2012-10-02 16:00:59

Të rinisemi nga Arkivat: në Vatikan, një kuvend ndërkombëtar për Koncilin


“Koncili II Ekumenik i Vatikanit në dritën e arkivave të Etërve Konciliarë”: kjo është tema e kuvendit ndërkombëtar për 50-vjetorin e hapjes së Koncilit, që do të mbahet në Vatikan, duke filluar nga dita e nesërme e deri më 5 tetor. Konferenca u paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit, nga atë Bernard Ardura, kryetar i Komitetit Papnor të Shkencave Historike dhe nga profesor Filip Shenò, drejtor i Qendrës së Studimeve “Koncili II i Vatikanit” në Universitetin Papnor Lateranens të Romës.
Kuvendi, siç shpjegoi atë Ardura, synon të nxisë rileximin e dokumenteve konciliare, jashtë ideologjive. Si hap i parë, do të realizohet një repertor nga arkivet e etërve konciliarë, që do të botohet në internet, në faqen e Komitetit Papnor. Kushdo mund ta konsultojë falas:
“Rezultatet e përzgjedhjes së parë të dokumenteve do të jenë në dispozicion të publikut të gjerë të studiuesve e do të shërbejnë si nxitje e përhershme për të vazhduar kërkimet në fusha të ndryshme”.
Nga ana e tij, profesor Filip Shenò u ndal në dy interpretimet e Koncilit II të Vatikanit: atë, që e konsideron “hap përpara” dhe atë, që e konsideron “prishje me të kaluarën”. Interpretimi i fundit, që mbështetet nga e ashtuquajtura “shkollë e Bolonjës”, nuk është ai, që na tregon magjisteri i Papëve, si ai i Gjon Palit II, ashtu edhe ai i Benediktit XVI. Historiani i Universitetit Lateranens përcaktoi objektivin e kuvendit në Vatikan dhe të kërkimeve në arkiva:
“Sfida kryesore, që paraqitet para historianëve të Koncilit është kjo: si të pajtohen këto dy interpretime të kundërta të ngjarjeve konciliare e të vendimeve të tij? Nuk duhet të shkruajmë një lloj “kundër-historie” për Koncilin II të Vatikanit, por, më thjesht, duhet të rifillojmë hulumtimin historik mbi bazën e një dokumentacioni sa më të gjerë të jetë e mundur e pa premisa ideologjike… për ta kuptuar ngjarjen dhe vendimet e marra në të, në mënyrë sa më të ekuilibruar, me konsensus të përbashkët”.







All the contents on this site are copyrighted ©.