2012-10-02 12:54:41

Të përgatitemi për vizitën e Papës: Historia e Shenjtërores së Loretos


Historia e shenjtërores së Loretos fillon në shekullin XIII, e pikërisht më 10 dhjetor 1294, kur shtëpia e Nazaretit, ku banonte Shën Maria Virgjër me familjen e saj, erdhi në qytetin italian. Kjo relike e çmuar u soll në Itali, pas rënies së mbretërisë së kryqtarëve në Tokën e Shenjtë. Studimet e fundit, që kanë marrë në shqyrtim gurët, mbishkrimet dhe dokumente të tjera, e pastrojnë traditën nga elementet legjendare, sipas të cilave, shtëpia është mbartur nga engjëjt, por konfirmojnë se ajo është vërtet Shtëpia e Shenjtë e Nazaretit. Për shekuj me radhë, shenjtërorja e Loretos ka qenë vend shtegtimesh ndër më të rëndësishme për katolikët. Këtu kanë ardhur të luten mëse 200 shenjtorë e të lumë e shumë papë.
Brenda saj, ruhet shtëpia e Zojës së Bekuar, vendi ku ajo jetoi me prindërit e vet, shën Anën e shën Joakimin e ku priti engjëllin, që e lajmëroi për lindjen e Jezusit. Shtëpia e shën Marisë në Nazaret përbëhej nga dy pjesë: nga një shpellë e gërmuar në shkëmb, e cila nderohet edhe sot në Bazilikën e Lajmërimit të Zojës po në Nazaret, dhe nga shtëpia me mur, ngjitur me të. Sipas traditës, në vitin 1291, kur kryqtarët u mundën dhe u përzunë nga Palestina, shtëpia me mur e Zojës u mbart “nga engjëjt”, më parë në Iliri e pastaj në Loreto.
Sot, mbi bazën e dokumenteve dhe të gërmimeve arkeologjike, si edhe mbi bazën e studimeve filologjike e ikonografike, mund të themi se gurët e Shtëpisë së Shenjtë u mbartën në Loreto me anije, nga njerëzit. Ndër të tjera, një dokument i shtatorit 1294 dëshmon se Nikofor Angjeli, despot i Epirit, kur i dha të bijën për nuse Filipit të Tarantos (djali i katërt i Karlit II Anzhù, mbret i Napolit), i dërgoi pajën e vajzës, në të cilën bënin pjesë edhe “gurët e shenjta të marra nga Shtëpia e Zojës sonë Virgjër, Nëna e Zotit”. Informacioni përkon me dëshminë e disa studiuesve të fillimit të këtij shekulli, të cilët deklarojnë se kanë lexuar në dokumente të Arkivit të Vatikanit, që sot nuk gjenden, se një familje bizantine me mbiemrin Angjeli, ose De Angjelis, i shpëtoi gurët e Shtëpisë së Nazaretit nga shkatërrimet e myslimanëve në shekullin XIII dhe i mbarti në Loreto. Nga gërmimet arkeologjike është vërtetuar se shtëpia nuk ka themele, por mbështetet në rrugë. Studime të tjera e krahasime me Shpellën e Nazaretit kanë nxjerrë në dritë përngjasimet, sidomos përsa u përket mbishkrimeve, që sipas ekspertëve, janë me origjinë judeo-kristiane. Shtëpia e Loretos përbëhet sot nga tre mure, të lartë tre metra. Sipër tyre është ndërtuar me tulla lokale, mur tjetër dhe kupola, që e bën më të përshtatshme për kultin. Veshja me mermer, plot me kryevepra skulpture, që zëvendëson murin e parë prej tulle, quajtur “i rekanatasve” (fillimi i shek. XIV), u financua nga Papa Juli II dhe u realizua nga artistë të shquar të Rilindjes Italiane, sipas projektit të Bramantit.







All the contents on this site are copyrighted ©.