2012-10-02 18:08:06

Imzot Mamberti Kombeve të Bashkuara: kriza në Siri nuk zgjidhet pa respektuar të drejtën ndërkombëtare. OKB-ja duhet reformuar.


Mbi krizën në Siri “nuk është e mundur të arrihet deri një zgjidhje jashtë respektimit të rregullave të së drejtës ndërkombëtare e të së drejtës humanitare”. Kështu pohoi kryeipeshkvi Dominique Mamberti, Sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet në fjalën e tij mbajtur dje në Nju Jork, gjatë Asamblesë së 76-të të përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ministri i Jashtëm i Vatikanit kërkoi përsëri edhe reformën e organizmave të OKB-së, në përkim është skenarin aktual ndërkombëtar.
Para nesh është një fakt: 67 vjet pas themelimit të vet, OKB-ja është një gjigant që i ka këmbët prej argjile e ndoshta jo vetëm këmbët: Është shumë i qartë imzot Mamberti në analizimin e çështjes duke shkuar drejt te plaga më e dhimbshme – te aftësia reale që kanë Kombet e Bashkuara për të ndikuar mbi ngjarjet ndërkombëtare – plagë që mund të shërohet nëse OKB-ja e ndryshon lëkurën e jo vetëm atë. Nga lindja e saj deri më sot, pranon prelati, Kombet e Bashkuara kanë prodhuar një korpus ligjesh që janë pikë referimi “gati në nivelin universal” në mbrojtje të paqes. Mbrojtja e të drejtave njerëzore, çarmatimi bërthamor, bashkëpunimi për zhvillimin, rezoluta e konflikteve rajonale, bilaterale apo civile. Atëherë “si është e mundur – pyet imzot Mamberti – që, me gjithë pranimin dhe përkrahjen universale të Kartës së Kombeve të Bashkuara e të Traktateve themelore, nuk arrihet të rivendoset një qeverisje botërore e drejtë dhe e vërtetë?”.
Pyetja kyçe është siç janë edhe dramat që interesojnë viset e ndryshme të planetit, shpesh të rrëmbyera e të trazuara nga luftërat, terrorizmi, kriminaliteti, apo më mirë të themi nga mjetet që konsiderohen – vërejti ministri i Jashtëm i Vatikanit imzot Mamberti – si një “mënyrë më e lehtë” për “disa sektorë të popullsisë botërore” për “të dal nga varfëria” e për të krijuar e fituar një hapësirë në skenën ndërkombëtar. Sepse kjo është dhe mbetët nyje e pazgjidhur, nënvizon përfaqësuesi i Vatikanit: vazhdimi i ndarjes së pabarabartë të të mirave e të gjërave të natyrave të ndryshme, një distancë kurrë e paredaktuar ndërmjet pasurisë e varfërisë, një përparim teknologjik i jashtëzakonshëm nga njëra anë dhe një çrregullim në anën tjetër e, pastaj jo e fundit, një krizë ekonomike e financiare që e ka shtie në botë ankthin dhe pasigurinë e rëndë ekonomike. E tërë kjo, pohoi imzot Mamberti, ka minuar drejtpeshimet ndërkombëtare nga Lufta e ftohtë e këndej, duke thërrmuar me vite bërthamën e vlerave të mbrojtura nga OKB-ja. Për shembull, “humbja e besimit në vlerën e dialogut” ka nxjerr në pah pasojat e krizës siriane ku – nënvizoi prelati – “nuk është e mundur të ketë një zgjidhje jashtë respektimit të rregullave të së drejtës ndërkombëtare e të së drejtës humanitare”.
Duke përsëritur fjalët Papës Benediktit XVI, sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet nxiti edhe një herë OKB-në të rishqyrtoi vetveten edhe para asaj që imzot Mamberti e quan një “dobësim praktik dhe të objektivave, të caktuara në Parathënie e në kapitullin e parë të Kartës të Kombeve të Bashkuara. Atë që propozon Selia e Shenjtë, tha prelati, është një “përgjigje e natyrës morale” e “duhet të pyesim – shtoi – nëse kriza që ka përfshirë planetin mos ndoshta lidhet me krizën e thellë antropologjike, do të thotë me mangësinë e një marrëveshje e të mirëkuptimi të përbashkët mbi atë çka vërtetë njeriu është”. Ta mohosh vizionin trashendental të jetës së njeriut, vijoi imzot Mamberti, e bënë “ shpresë të kotë” garantimin e një bashkëjetese paqësore ndërmjet popujve. Edhe më keq, u hap portën atyre forcave që synojnë të rishkruajnë agjendën e angazhimeve të OKB-së duke kërcënuar të drejtën e jetës, të familjes së natyrshme, duke e reduktuar njeriun në “konsumator” apo në “agjent të prodhimit të tregut”. Prandaj, është urgjente që Kombet e Bashkuara të reflektojnë mbi “vizionin themeltar të Organizatës”, për t’i dhënë një hapësirë debatit për reformën dhe përmirësimin e funksionimit të organeve” të vet OKB-së. E kjo, përfundoi imzot Mabmerti, “nuk do të mund të arrihet pa bindjen dhe bashkëndarjen e vlerave themelore”: respektimin e dinjitetit njerëzor, posaçërisht të lirisë fetare, e të promovimit të një “zhvillimi njerëzor të tërësishëm”, që krijon “kushtet juridike, ekonomike e sociale që pasqyrojnë realisht rëndësinë e dinjitetit njerëzor dhe përmasën e tij transhendentale, si në nivelin personal e po kështu edhe në atë kolektiv”.







All the contents on this site are copyrighted ©.