2012-10-01 19:16:15

‘Hylli i Dritës’ mbush 99 vjet!


Revista zëmadhe e françeskanëve shqiptarë ‘Hylli i Dritës’, mbush 99 vjet
Duke shfletuar kalendarin historik, përkujtojmë se si sot më 1 tetor para 99 vjetësh doli numri i parë i revistës së njohur të Françeskanëve shqiptarë "Hylli i Dritës" - pasqyrë e lavdishme, por jo më pak edhe tragjike e historisë së Kombit Shqiptar, për lirinë e të cilit u përpoqën autorët e saj françeskanë e jo françeskanë, duke shkruar sa me bojë, aq me flijimin e jetës deri në derdhjen heroike të gjakut në mbrojtje të vlerave kulturore e shpirtërore të popullit e të vendit.
Numri i parë i revistës “Hylli i Dritës” u botua më 1 tetor 1913, për t'u ndërprerë menjëherë, sepse doli haptas në mbrojtje të lirisë e të drejtave kombëtare shqiptare, seriozisht të kërcënuara një vit pas shpallje së pavarësisë e para fillimit të Luftës I Botërore.
Shkruante Atë Gjergj Fishta:"E tuj kenë se me të hîm t' ushtrive ndërkombëtare në Shkodër mbaroi nata e errshme e robnisë e për Shqipëtarë filloi me ague e bardha dritë e Lirisë, e kemi quejtë ketë të Përkohëshme tonë: "Hylli i Dritës", përsé âsht tue lé nepër ag të qytetnisë së Shqipënisë. E porsi Hylli i Dritës me fërfllim t'ambël të vetin ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme, (ashtu) na do të përkujdesena, qi edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjall shpënesën ndër zemra të Shqipëtarëvet se prej Hyut ditë mâ të mira kanë me iu reshë Shqipënisë" (H.D. I. 1913, 4-8). (Pater Gjergji).
Revista Hylli i Dritës rifilloi të botohej në maj të vitit 1921, për të heshtur rishtas nga nëntori i 1944-tës deri në nëntor të 1993-shit. Nga 1993 u duk përsëri nën drejtimin e njërit nga françeskanët e paktë që kishin shpëtuar gjallë nga persekutimi i komunizmit: Atë Zef Pllumit. Shumë shpejt u ngrit po në atë rang të lartë që kishte pasur dikur Hylli i Dritës dhe revista tjetër e Etërve Jezuitë “ Leka“.
Në këtë periudhë të pas komunizmit, Hylli i Dritës u botua deri ne vitin 1997 kur iu deshtë të mbyllej sërish. Pas kësaj ndërprerje të re, rifilloi përsëri të botohet në vitin 2006, gjithnjë nën drejtimin e Provincës Françeskane “Zoja Nunciatë” të Shqipërisë, por kësaj radhe nën kujdesin e prof. Ardian Ndrecës.RealAudioMP3
Drejtuesit e Hyllit të Dritës
Drejtuer: Át Gjergj Fishta o.f.m. [I/1913-1914, VI/1930-VII/1931 (nr. 3)]
Drejtuer i gjegjshem: Át Gjergj Fishta o.f.m. [VII/1931 (nr.4)-XVI/1940 (nr. 10-11)]
Drejtuer i gjegjshem: A. A. Harapi o.f.m. [XVIII/1942-XIX/1943]
Drejtuer i gjegjshem: Dr. A. Gjon Shllaku o.f.m. [XV/1939 (nr.2-7), XX/1944]
Gerant i gjegjshem: Kolë Topalli [II/1921-V/1924]
Gerant i gjegjshem: Kristo Gjakova [VI/1930-]
Pronár: P. Pashk Bardhi o.f.m. [VII/1931 (nr. 4)-X/1934]
Pronár: Provinçjalati Françeskan [XVII/1941-XX/1944]
Administrator: A. B. Dema [XV/1939 (nr. 2)-XVI/1940 (nr. 10-11)]
Drejtuer e Administrues: A. B. Dema [XVI/1940 (nr. 12)-XVIII/1942]
Drejtuer i gjegjshem: A. B. Dema o.f.m. [XVII/1941-XVII/1942]
Drejtuer i gjegjshëm: At Zef Pllumi o.f.m. [1993-1997]. Kryeredaktor: Aurel Plasari.
Drejtuer i gjegjshëm: At Zef Pllumi o.f.m [2006-2007]. Kryeredaktor: Ardian Ndreca.
Drejtuer i gjegjshëm: At Gazmend Tinaj o.f.m [2007 e në vijim]. Kryeredaktor: Ardian Ndreca.







All the contents on this site are copyrighted ©.