2012-10-01 17:16:07

Përfundoi në Zvicër, asambleja e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës


Të pranojmë sfidën e shekullarizimit. Me këtë synim përfundoi dje, asambleja e përgjithshme e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, e cila u mblodh më 27 shtator në qytetin zviceran San Galen. Kreu i Këshillit, kardinali Peter Erdë, deklaroi në përfundim të punimeve se Kisha e sotme duhet t’i kuptojë e t’i pranojë shenjat e shpresës, fryt i Koncilit II të Vatikanit.
Në Meshën që mbylli punimet, kremtuar në katedralen e qytetit, u përmendën temat kryesore të asamblesë së këtij viti. Mëse 50 kardinaj e ipeshkvij nga e gjithë Evropa, diskutuan për katër ditë me radhë mbi sfidat e kontinentit të vjetër, si kriza ekonomike, por edhe ungjillëzimi i ri. Kardinali Erdë theksoi se kriza ekonomike në Evropë karakterizohet nga shumë probleme, jo të lehta për t’u zgjidhur, por edhe nga shpresa. Por, cilat janë sfidat para Evropës, për të cilat folën ipeshkvijtë? Të dëgjojmë kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore të Italisë, kardinalin Anxhelo Banjasko:
Sfida e parë, ajo themelore, është të rizbulojë rrënjët e veta shpirtërore, pra, atë bashkësi idealesh, vlerash shpirtërore e morale, që kishin në mend për Evropën etërit e shquar të saj, si Shumani, Adenaueri e De Gasperi. Brenda kësaj sfide të parë, qëndron e dyta. Me ndihmën e të gjithëve - së pari, me ndihmën tonë si Kishë Katolike – Evropa duhet të asimilojë nga pikpamja kulturore, dy kategori themelore, që më duket se janë dy shtyllat e Bashkimit Evropian: lirinë si fryt i Ungjillit dhe kategorinë e mos diskriminimit. Sfida e tretë është bashkimi politik e jo vetëm ekonomik. Evropa nuk duhet të rëndojë mbi vendet anëtare; bashkimi duhet të jetë “i lehtë”, nëse mund të thuhet kështu, por pa të nuk mund të flitet për unitet evropian e për një vend në botën e globalizuar, që të mos jetë thjesht një grumbull shtetesh, por diçka me identitet të ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.