2012-10-01 19:06:29

Imzot Avgustini: Ta dëgjojmë zërin e Zotit e t’i zbatojmë mësimet ungjillore


Fjala e përshëndetjes e imzot Lucjan Avgustinit, ipeshkëv i Sapës me rastin e 950 vjetorit të themelimit të Dioqezit të Sapës

Nga thellësia e zemrës i them fjalët, në fillimin e këtij kremtimi liturgjik, “Qoftë bekuar ai që vjen në emër të Zotit”.
Në këtë Vit jubilar gjatë kremtimeve të shumta në nder dhe lavd të Madhit Zot dhe dobinë e shpirtrave, patëm gëzime dhe dhimbje, kjo e fundit me kalimin në amshim para disa ditëve të meshtarit tonë të dashur, njërit prej gjeneratës së parë të meshtarëve pas komunizmit, Don Genc Tuku.
Megjithatë, sot është një ditë e veçantë, është dita e kremtimit kryesor Jubilar për Dioqezën e Sapës dhe jo vetëm, por për të gjithë popullin tonë shqiptarë, prandaj si ipeshkëv i kësaj dioqeze më lejoni t’ju drejtoj fjalët e përshëndetjes.
Falënderimi në rend të parë është ndaj Hyjit të Gjithëpushtetshëm që na mundësoi ta kremtojmë këtë Jubile, dhe gjatë këtyre 950 viteve na dhuroi të parëve tanë dhe neve të mira dhe bekime të shumta.
Shprehi falënderimin e thellë ndaj Atit të Shenjtë Benediktit XVI i cili në mënyrë të veçantë është sot i pranishëm me ne, në personin e të dërguarit të veçantë për këtë kremtim jubilar, Eminencës së Tij Kardinalit Santos Abril y Castello, Kryeprift i Bazilikës Papnore Santa Maria Magiore në Romë, dhe ju them nga zemra: mirë se keni ardhur Eminencë, në Shqipëri e në Dioqezën e Sapës, në emër të Atit të Shenjtë dhe “Qoftë bekuar ai që vjen në emër të Zotit!”.
Eminencë, nëpërmjet jush dëshiroj që Atit të Shenjtë Benediktit XVI ti përcjelli falënderimet e mia personale, të klerit dhe popullit për kujdesin dhe dashurinë që tregoi duke ju caktuar që ta përfaqësoni në këtë jubile të 950 vjetorit të themelimit të kësaj Dioqeze të Sapës si dhe të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit dhe popullit tonë shqiptar.
Besimtarët e kësaj dioqeze, për shekuj, në të mira dhe në rreziqe të jetës, duke kujtuar historinë e kaluar shumëshekullore e posaçërisht atë të sundimit diktatorial ateist i kanë qëndruar besnik Zotit dhe Kishës nën udhëheqjen dhe kujdesin në tokë të Shën Pjetrit apostull dhe pasardhësve të Tij, edhe sot, në këto momente të këtij kremtimi jubilar dëshirojmë të përtërimë së bashku besnikërinë dhe dashurinë ndaj Kishës së Krishtit dhe Atit të Shenjtë.
Falënderoj për praninë e tyre të gjithë vëllezërit në Episkopat:
Imzot Ramiro Moliner Ingles, Nunci Apostolik në Shqipëri;
Imzot Rok Mirdita, Arqipeshkëv i Dioqezit “Tiranë – Durrës”
Imzot Hil Kabashi, Ipeshkëv e Administraturës Apostolike të Jugut të Shqipërisë, i cili sot kremton edhe ditën e emrit, për çka e uroj nga zemra.
Imzot Cristoforo Palmieri, ipeshkëv i Rrëshenit
Imzot Otavio Vitale, Ipeshkëv i Lezhës
Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Administraturës Apostolike të Prizrenit - Kosovë
Imzot Gjergj Frendo, ipeshkëv ndihmës i Dioqezit “Tiranë - Durrës”
Atë Gazmend Tinaj, Ministër Provincial i etërve françeskan të provincës shqiptare
Atë Pier Giorgio Taneburgo, Ministër Provincial i etërve Kapuçin të Provincës Puglia
Atë Lovro Gavran, Ministër Provincial i provincës françeskane Bosna Srebrna

Përfaqësuesit e komuniteteve fetare;
Fort lumturinë e tij Anastas Janullatos, Krepeshkop i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë
Zotëri Selim Muça, Kryetar i Komunitetit mysliman në Shqipëri
Baba Edmond Brahimaj, Kryegjyshi i komunitetit të Bektashinjve në Shqipëri
Zotëri Vitor Muçaj, kryetar i vëllazërisë ungjillore

Përzemërsisht falënderoj për praninë e tyre në këtë kremtim jubilar:

Prania e Juaj Shkëlqesi të nderuara në këtë kremtim është dëshmi nga ana e Qeverisë Shqiptare e nderimit, respektit dhe kujdesit ndaj Kishës Katolike në Shqipëri si dhe ndaj Atit të Shenjtë Benediktit XVI i cili është në mesin tonë nëpërmjet të deleguarit të veçantë, Kardinalit Santos.
Përshëndes dhe falënderoj:
- Të gjithë ministrat e pranishëm deputetët, Trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, Prefekten e Shkodrës, (Kryetarin e Qarkut Shkodër), ju të gjithë përfaqësues të pushtetit vendor të Bashkive dhe komunave.
- Juve të gjithë të dashur meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare,
- Ju përshëndes të gjithë ju të ftuar, mysafir të dashur dhe juve besimtarë të mbledhur në këtë Katedrale për ta rritur gëzimin e kësaj dite së sotme dhe për të nderuar të dërguarin e veçantë të Atit të Shenjtë.
- Një falënderim i posaçëm dhe i ngrohtë u takon të gjithë atyre që janë angazhuar në këto ditë për kremtimin e kësaj dite. Kisha dashur ti përmendi të gjithë por lista është e gjatë, dhe të gjithëve ju falënderoj nga zemra.
Më lejoni që të them se: pajtimi me Zotin dhe njeri tjetrin, falja dhe dashuria, është pasuria më e madhe që duhet marrë si hir të veçantë në këtë vit jubilar, dhe të dimë ta jetojmë, ta ruajmë e kultivojmë. Nuk ka tjetër rrugë, për lumturinë dhe përparimin tonë, të popullit dhe vendit.
Eminencë, Ju lutem që t’ia paraqitni Zotit këtë kremtim liturgjik që të forcohemi në fe, ta ndiem zërin e Zotit dhe t’i zbatojmë mësimet dhe porositë e tija. Ashtu qoftë!

Vau Dejës, 29 shtator 2012







All the contents on this site are copyrighted ©.