Benedikti XVI: nga shën Tereza e Krishtit Fëmijë mësojmë shkencën e vërtet të dashurisë.
Papa Benedikti XVI në katekizmin e audiencës së përgjithshme të datës 6 prill 2012,
mbajtur në sheshin e shën Pjetrit në Vatikan, foli për një nga Shenjtoret më të
dashura në botë, Terezën e Lisië-s. Shpirt i dashuruar pa masë me Krishtin e me të
gjithë njerëzit, nga meshtarët- tek ata që janë larg Krishtit, Shenjtorja karmelitane
e mbushi me dritë mbarë Kishën me doktrinën e saj të thellë shpirtërore, pohoi Benedikti
XVI. Ashtu si në raste të tjera, Papa tregoi shkurtimisht jetën e protagonistes së
reflektimit të tij. Por në këtë rast, përshkrimi i historisë së një shenjtoreje, që
u bë e famshme pikërisht për jetëshkrimin e saj “Historia e një shpirti”, i dha katekizmit
një bukuri të veçantë. Duke marrë shtytjen nga faqet e kësaj kryevepre, Papa pohoi: “Është
libër, që pati një sukses të menjëhershëm. U përkthye në shumë gjuhë e u përhap në
mbarë botën. Ju ftoj ta zbuloni përsëri këtë thesar të vogël, e shumë të madh njëheresh,
këtë koment të ndritur të Ungjillit, të jetuar plotësisht. Historia e një shpirti
është histori e mrekullueshme Dashurie, e treguar me vërtetësi, thjeshtësi e freski
të tillë, që e mahnit menjëherë lexuesin! Po cila është kjo dashuri, që e mbushi përplot
gjithë jetën e Shën Terezës, që nga foshnjëria, deri në vdekje? Miq të shtrenjtë,
kjo dashuri ka një Emër. Quhet Jezus!”. Nga hiri në hir, Tereza arriti të zgjedhë
kuvendin, pasi e pati zbuluar forcën e dashurisë për Krishtin e Kryqëzuar dhe sigurinë
se lutjet e saj do të arrinin te këmbët e fronit të Hyjit, edhe sikur të kërkonte
mëshirë për kriminelin më të tmerrshëm, gjë që edhe e bëri, kur ishte vetëm 14 vjeçe.
Vërejti Papa: “Është përvoja e parë e themelore e amësisë shpirtërore: ‘Kisha
besim të patundur në Mëshirën e pakufishme të Jezusit’, shkruan. Duke pasur gjithnjë
pranë Zojën e Bekuar, Tereza, në moshë fare të re, do, beson e shpreson me zemër
nëne”. Ende adoleshente, ajo e ndjen veten nënë shpirtërore. Hyn në kuvend,
pa i mbushur ende 15 vjetët, me leje të jashtëzakonshme nga Papa Leoni XIII. Ditën
kur bën kushtet rregulltare, paraqitet në elter si ‘nusja’ më e lumtur e kësaj bote,
sepse ‘Nuse e Krishtit’: “Në të njëjtën ditë, Shenjtorja shkruan një lutje,
që flet për tërë orientimin e jetës së saj: i kërkon Krishtit dhuratën e dashurisë
së pafundme, i kërkon të jetë më e vogla ndërmjet njerëzve e, sidomos, i kërkon, me
gjithë zemër, shëlbimin e mbarë njerëzimit. Duke ia kushtuar gjithë jetën, i drejton
uratën: “Të lutem, o Zot, që sot të mos dënohet asnjë shpirt”. Në Karmelin
e Lisië-së, Tereza bëhet prijëse, bëhet “shkencëtare” në shkencën e jashtëzakonshme
të dhurimit të plotë të vetvetes. E pikërisht këtë mendoi Papa Gjon Pali II, kur e
shpalli Dijetare (Doktoreshë) të Kishës në vitin 1997. E këtu Benedikti XVI iu drejtua
diejtarëve apo doktorëve të sotëm të Kishës, teologëve, duke i ftuar t’i kushtohen
kësaj shkence me madhështinë e përvujtërinë e Shën Terezës: “Me përvujtëri e
dashuri, me fe e shpresë, Tereza hyn vazhdimisht në zemër të Shkrimit Shenjt, që përfshin
Misterin e Krishtit. Një lexim i tillë i Biblës, i ushqyer nga shkenca e dashurisë,
nuk i kundërvihet aspak shkencës akademike. Shkenca e shenjtorëve, për të cilën flet
në faqen e fundit të ‘Historisë së një shpirti’, është shkenca më e lartë”. Një
shpirt i zjarrtë, si i saji, nuk mund të mos i digjte etapat, që çojnë në shenjtëri.
Vetëm nëntë vjet i mjaftuan për të skicuar ‘atë udhë të vogël” në të cilën shkëlqen
madhështia e saj. “Prova tejet e dhimbshme e fesë” dhe humbja e vazhdueshme e shëndetit,
që nisi qysh nga viti 1896, një vit para vdekjes, nuk e shuajnë, kujtoi Benedikti
XVI, dashurinë e ëmbël të Shenjtores, që jetoi e vdiq me buzë në gaz. “Gëzimi im
je Ti. Kur të dua, zemra ime është plot me Ty” – shkruan Tereza duke iu drejtuar Jezusit;
e ky është edhe sekreti i lumturisë së saj, tha Papa Ratcinger në katekizmin e audiencës
së përgjithshme të datës 6 prill 2012. Një dashuri pa fund për Krishtin, bashkuar
me besim shembullor në mëshirën e Tij: “Besim e dashuri, pra, janë pikat kulmore
e rrëfimit të jetës së saj. Dy fjalë, që si dy fanarë, ia ndriçuan gjithë udhën e
shenjtërisë, për t’u prirë edhe të tjerëve, për t’u treguar të gjithëve, udhën e
saj të vogël të besimit e të dashurisë së madhe, të fëmijërisë shpirtërore”.