2012-10-01 12:36:33

Atë Federiko Lombardi, në prag të udhëtimit të Papës te Zoja e Loretos: Vigjilje mariane


Udhëtimi i Papës Benedikti XVI në Loreto, për të nderuar Zojën e Bekuar, në shtëpinë e saj, është argumenti i komentit javor të zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Ati i Shenjtë do të shkojë në qytetin italian ditën e enjte, më 4 tetor e do t’i lutet Nënës së Zotit për Vitin e Fesë e për Sinodin e ungjillëzimit të ri, por edhe për të gjitha problemet e travajet e Kishës. Kujtojmë se në Loreto, qe themeluar në vitin 1580, Kolegji ilirik, ku kanë studiuar shumë shqiptarë. Emri i tij është i lidhur me fillimet e shqipes së shkruar, pasi aty kanë studiuar imzot Pjetër Budi, autori i “Doktrinës së krishterë” dhe, Frano Bardhi, autori i “Fjalorit latino-epirot”. Por të dëgjojmë atë Lombardin:
“Benedikti XVI shkon në Loreto më 4 tetorin e ardhshëm, në 50-vjetorin e shtegtimit të njohur të Papës Gjoni XXIII, një javë para hapjes solemne të Koncilit II të Vatikanit. Ideja është t’ia besojmë Nënës së Zotit, lutjet e ndjetet tona për Kishën e kësaj kohe, ndërsa afrohet Viti i Fesë e Sinodi i Ipeshkvijve për Ungjillëzimin e Ri. Nuk është hera e parë, që Papa Benedikti XVI shkon si shtegtar në Loreto. Si kardinal, ka qenë së paku shtatë herë e një herë tjetër, si Papë. Ajo që, në përshpirtërinë e popullit të krishterë, është shtëpia e përvuajtur e Marisë dhe e Familjes Shenjte, burim i kujtesës së gjallë të Lajmërimit të Zojës e të misterit të Mishërimit të Hyjit, është vend shpirtëror e simbolikisht shumë i përshtatshëm për t’u përgatitur për këtë kohë përtëritje të fuqishme të misionit të kumtimit të Ungjillit në botën e sotme.
Koncili II i Vatikanit, i hapur e i mbyllur me dy festa mariane, atë të Amësisë hyjnore e atë të Zojës së Papërlyer, ia kushton kapitullin përfundimtar të dokumentit të madh mbi Kishën – “Lumen Gentium” – pikërisht Marisë, “shenjë shprese e ngushëllimi të sigurtë për popullin e Zotit në udhë”. Kisha, populli i Zotit në udhë, është mariane. Duke e ndërmarrë këtë rrugë, ashtu si Gjoni XXIII, së bashku me Papën Benedikti XVI, për të rijetuar me përvuajtëri misterin dhe gëzimin e Lajmërimit të Zojës e të Mishërimit të Birit të Zotit, mund të kalojmë një muaj sinodal e një Vit hiri, të shoqëruar e të inkurajuar nga Nëna e Jezusit dhe e jona”.







All the contents on this site are copyrighted ©.