2012-09-28 16:42:44

Papa ipeshkvijve evropianë: ungjillëzoni, duke dëshmuar dashurinë e Krishtit


“Mesazhi i krishterë mbin e hedh rrënjë të forta, aty ku jetohet me të vërtetë nga bashkësia”: kështu shkruan Papa në mesazhin për krerët e Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, mbledhur në asamblenë e tyre vjetore të përgjithshme në San Galen të Zvicrës. Benedikti XVI i fton ipeshkvijtë të reflektojnë mbi detyrën e ungjillëzimit e mbi urgjencën e zbatimit të saj në kohën e sotme. Kumtimi i Lajmit të Mirë, nënvizon Ati i Shenjtë, duhet të mbështetet nga dëshmia e dashurisë vëllazërore dhe nga lutja e përbashkët.
Nga ana e tij, prefekti i Kongregatës së Ipeshkvijve, kardinali Mark Uilet, vuri në dukje se Evropa, e cila përshkohet nga kriza e shpresës e nga mungesa e motivimit shpirtëror, ka rrezik të mos arrijë ta realizojë plotësisht projektin e bashkimit të vërtetë të saj. Në meshën e paradites së sotme, kreu i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinali Anxhelo Banjasko, theksoi se Evropa duhet të ketë besim. Është e vetmja mënyrë për t’u shërbyer me bujari qytetarëve të vet. Fati i kontinentit, shtoi kardinali, nuk është aq bashkimi i interesave, por krijimi i një bashkësie me të njëjtin fat.
Pas Meshës, kremtuar në katedralen e qytetit zviceran, punimet e konferencës vazhduan me diskutime për temat, që kanë të bëjnë me Kishat në Evropë. Me ndihmën e disa ekspertëve, ipeshkvijtë po shqyrtojnë aspektet ekonomike, shoqërore, politike, por edhe kishtare e baritore, të krizës së kontinentit të vjetër. Synohet kështu, të përtërihet impenjimi i besimtarëve për ungjillëzimin e botës bashkohore.







All the contents on this site are copyrighted ©.