2012-09-28 16:16:36

Kryeministri Berisha: shqiptarët të bashkuar në lirinë e besimit në Zotin


Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha mori pjesë sot në Konferencën Shkencore të Bashkësisë Islame të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë.
"Në 20 vite është ndërtuar infrastruktura shpirtërore në Shqipëri. Shqiptarët duhet të jenë një komb i bashkuar në lirinë e të gjitha lirive, që është liria e besimit tek Zotit", u shpreh Kryeministri i Shqipërisë Berisha.
Kryeministri vlerësoi veprën e ndritur të paraardhësve të klerit shqiptar dhe vazhdimin e saj me vendosmëri e mençuri nga të gjithë udhëheqësit shpirtëror të këtij kombi.
Sipas Kryeministrit të Shqipërisë Berisha, roli dhe kontributi i udhëheqësve shpirtëror të Vendit në 100 vjetorin e Pavarësisë është injoruar dhe është harruar dhe kjo është shumë e vërtetë.
"Kjo ka shpjegimin e vetë të qartë, sepse për diktaturën dhe diktatorin në Shqipëri, armik më të keq se besimet tek Zoti nuk kishte, ndaj dhe ai ndërmori ndaj tyre barbaritë më të pashembullta në historinë moderne të njerëzimit. Edhe në Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare, pushtuesi do të përpiqej t'u impononte qytetarëve besimin e tij", tha Berisha.
Sipas kreut të qeverisë së Tiranës, ky kapitull i rëndësishëm i historisë tonë duhet të vendoset në piedestalin që meriton. "Elita fetare e vendit ka meritat më të para nga të gjitha elitat e tjera. Nëse vështrojmë kombet dhe historitë e tyre do të gjeni në raport me shqiptarët, kombe që kanë tradita mijëravjeçare shkrimi, këndimi, alfabetesh, bibliotekash dhe qytetërimi të admirueshëm. Por ka një specifikë që nuk e ka asnjë komb tjetër dhe që është xhevahir i vërtetë i qytetërimit të kombeve dhe kjo është toleranca e mirëkuptimi fetar. Nuk ka dhe s'mund të ketë asnjë tregues më epror për qytetarinë e një kombi më shumë se toleranca fetare", theksoi Berisha.
Sipas kreut të ekzekutivit shqiptar, klerikët e të gjitha besimeve u angazhuan në një kontribut historik për krijimin e alfabetit dhe për kombin shqiptar.
"Rolin më përcaktues në Kongresin e Manastirit për alfabetin e kanë pasur udhëheqësit e besimeve fetare", nënvizoi Berisha.
Sipas Kryeministrit, ishin klerikët ata që dhanë kontributin kryesor për hapjen e shkollës së parë shqipe.







All the contents on this site are copyrighted ©.