2012-09-28 16:43:43

Kryeministri Berisha priti në një takim kardinalin Abril Y Castello, në Shqipëri, si Delegat i Papës, me rastin e 950-vjetorit të dioqezës së Sapës


Kryeministri Berisha priti dje në një takim në Tiranë Hirësinë e Tij Kardinalin Abril Y Castello, i cili ndodhet për një vizitë në Shqipëri, si Delegat i Papës, me rastin e kremtimeve të 950-vjetorit të dioqezës së lashtë shqiptare të Sapës.
Kardinal Castello shprehu kënaqësinë për këtë vizite dhe mikpritjen dhe, në emër të Atit të Shenjtë Papës Benediktit XVI, i përcolli Kryeministrit të Shqipërisë përshëndetjet e përzemërta. “”Në emër të Shenjtërisë së Tij, ju përcjell përshëndetje të posaçme. Ai ndjek me shumë interes të gjitha çështjet e Shqipërisë dhe është në dijeni të gjithçkaje pozitive që po ndodh këtu. Me ngarkoi t’ju shpreh afërsinë dhe vëmendjen e Tij për zhvillimet këtu, si dhe urimet më të mira për të ardhmen”.
Kardinal Castello vlerësoi pune e mirë të qeverisë dhe siguroi për vazhdimësinë e bashkëpunimit të Kishës Katolike, në synimin e përbashkët për të ndërtuar një shoqëri të bazuar në vlera të shëndosha.
Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu Kardinalit Castello kënaqësinë për ketë vizitë, në kuadrin e 950 vjetorit të Dioqezës së Sapës, përvjetor i cili përkon me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Kryeministri e cilësoi Dioqezën e Sapës si një kështjellë e cila i ka frymëzuar shqiptarët në shekuj drejt vlerave dhe idealeve të lirisë.

Kryeministri i shprehu gjithashtu Hirësisë së Tij Kardinalit Castello mirënjohjen për mbështetjen e madhe dhe të vazhdueshme që Ati Shenjtë Papë dhe Selia e Shenjtë i kanë dhënë Shqipërisë përgjatë historisë së saj, në mënyrë të veçantë pas rënies së komunizmit. Kryeministri Shqipërisë Berisha u shpreh se Kisha Katolike, bashkë me komunitetet e tjera fetare, kanë bërë një punë shumë dimensionale dhe të çmuar, duke kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme ne rindërtimin, jo vetëm të institucioneve fetare, por dhe në ri-ngritjen e shtyllave morale të shoqërisë.
Të dy bashkëbiseduesit çmuan faktin se Shqipëria, pavarësisht se është një vend shumë fesh, është një shembull që tregon një vlerë të jashtëzakonshme, që është respekti dhe toleranca ndërfetare. Kryeministri theksoi se kjo vlerë qëndron edhe në themel të presidencës shqiptare të Këshillit të Evropës, e cila ka përzgjedhur si moto të saj; “Të bashkuar në diversitet”.
Kardinal Castello theksoi se eksperienca shqiptare është një shembull për t’u ndjekur në Evropë, e cila duhet ta përballë krizën e rendë që po përjeton jo vetëm nëpërmjet parimeve dhe instrumenteve të tregut, por duke u bazuar në vlerat më të mira të shoqërisë.
Kryeministri shprehu edhe njëherë dëshirën, jo vetëm të tij, por edhe të gjithë shqiptareve, që Shenjtëria e Tij Papa Benedikti i XVI të vizitojv Shqipërinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.