2012-09-27 13:03:26

Aktualiteti i shën Augustinit në qendër të fjalëve të Papës, në fund të koncertit për nder të tij


Një koncert unik, ai i mbrëmshmi në Kastel Gandolgo, ofruar Papës Benedikti XVI nga dioqeza gjermane e Vyrcburgut, në veri të Bavierës. U ekzekutua një vepër mbi shën Augustinin, oratori “Agustinus”, dhe Ati i Shenjtë përshëndeti pjesëmarrësit e konferencës kushtuar ipeshkvit të Iponës, që po zhvillohet në Universitetin Augustinianum të Romës. Papa u ndal në aktualitetin e këtij Ati të shquar të Kishës në përballimin e sfidave e të problemeve të botës bashkohore.
Një mozaik tingujsh, siç thotë vetë kompozitori Vilfrid Hiler, përshkruan monologun e shpirtit të shën Augustinit me Zotin. Mozaik, i përbërë nga shtatë imazhe muzikore:
“Është një mozaik. Disa gurë të tij shkëlqejnë sipas rënies së dritës mbi to e sipas këndvështrimit… Por vetëm duke dëgjuar gjithë veprën e kupton imazhin që sjell: ajo përfaqëson madhështinë dhe kompleksitetin e njeriut e të teologut Augustin”.
Nëse duam ta njohim vërtet autorin e “Rrëfimeve”, vazhdoi Papa, pavarësisht se studiojmë aspekte të veçanta të veprës së tij, duhet të kemi gjithnjë parasysh krejt veprën e shenjtit, mendimin e tij tërësor. Në oratorin “Augustinus”, ipeshkvi i shenjtë nuk duket kurrë, por kjo mungesë e tij e bën të jetojë jashtë kohës, përjetësisht, tha Benedikti XVI:
“Lufta e njeriut dhe kërkimi i asaj ç’ka më intime, kërkimi i së vërtetës dhe i Zotit ka vlerë për të gjitha kohrat; nuk ka të bëjë vetëm me një shenjt, por me çdo njeri”.
Së fundi, përshëndetja e Papës për ata që e mundësuan këtë koncert:
“Zoti jua shpërbleftë me gjithë zemër”.







All the contents on this site are copyrighted ©.