2012-09-26 16:44:49

Papa në audiencën e përgjithshme: liturgjia, vend i privilegjuar për takimin e të krishterëve me Zotin


“Liturgjia, shkollë lutjeje”: kjo ishte tema e audiencës së sotme të përgjithshme të Benediktit XVI, e cila u zhvillua në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa kujtoi Koncilin II të Vatikanit, që i filloi punimet pikërisht me një skemë mbi liturgjinë e shenjtë, duke vënë në dukje primatin e Zotit. Ati i Shenjtë nënvizoi se në dialogun me Hyjin, pra, në liturgji, është themelore, që ç’themi me gojë të përkojë me ç’mbajmë në zemër.
Liturgjia, vërejti Papa, është vendi i privilegjuar i takimit të të krishterëve me Zotin. Shkolla e parë e lutjes, shpjegoi Benedikti XVI, është Fjala e Zotit, Shkrimi i Shenjtë, dialogu i përhershëm i Hyjit me njeriun. Por, një hapësirë tjetër e çmuar për të mësuar si të lutemi, është edhe liturgjia, të cilën Katekizmi i Kishës Katolike e quan “shërbim nga populli e për popullin”:
“Në fakt, Populli i Zotit nuk ekziston për hir të lidhjeve të gjakut, të territorit, apo të kombit, por lind gjithnjë nga vepra e Birit të Hyjit e nga bashkimi me Atin, që Ai fiton për ne”.
Duke folur për skemën mbi liturgjinë e shenjtë, me të cilën filloi Koncili, Papa nënvizoi se ajo, që dukej si rastësi, vuri në dukje qartë primatin e Zotit mbi gjithçka, përparësinë e Tij absolute për të gjithë Etërit konciliarë:
“Para së gjithash Hyji: pikërisht këtë na thotë vendimi konciliar për të filluar nga liturgjia. Aty ku vështrimi i Zotit nuk është i rëndësishëm, çdo gjë tjetër e humb orientimin. Kriteri themelor për liturgjinë është orientimi i saj kah Zoti, për të marrë pjesë kështu, në veprën e Tij”.
Por si e ku duhet të marrim pjesë, pyeti Papa:
“Përgjigjja është: në veprën e Krishtit përmes Kishës, në liturgji, në veçanti në Sakramentin e Eukaristisë, që e bën të pranishme dhuratën e flijimit të Birit të Zotit, që na shëlboi; në Sakramentin e Pajtimit, përmes të cilit kalojmë nga vdekja e mëkatit në jetën e re; e në veprat e tjera sakramentore, që na shenjtërojnë”.
Misteri i Pashkëve, vazhdoi Benedikti XVI, është në qendër të teologjisë liturgjike të Koncilit. Liturgjia na jep fjalët, por jemi ne ata, që duhet të hyjmë në kuptimin e tyre më të thellë:
“Element themelor, parësor në dialogun me Hyjin përmes liturgjisë, është përkimi ndërmjet asaj, që themi me gojë e asaj, që mbajmë në zemër”.
E kjo zemër duhet të shohë lart, përtej shqetësimeve të përditshme, duhet të hapet ëmbëlsisht nga Fjala e Zotit, të marrë pjesë në lutjen e gjithë Kishës. Vetëm kështu, zemra kthehet kah Hyji:
“Kur e përjetojmë në liturgji këtë lloj gjendjeje themelore, në zemrën tonë duket sikur nuk ka fuqi të veprojë forca e rëndesës, që e tërheq poshtë, e ajo fluturon lart, drejt së vërtetës, drejt dashurisë, drejt Zotit”.
Ja përse, shpjegoi Papa, e ndjejmë kremtimin e liturgjisë vetëm nëse e përgatisim shpirtin me lutje, duke u bashkuar me Misterin e Krishtit e me bisedën e Tij si Bir me Atin e vet Qiellor.







All the contents on this site are copyrighted ©.