Delegati i Papës në Shqipëri për 950-vjetorin e dioqezës së Sapës
I deleguari i Posaçëm i Papës Benediktit XVI, për kremtimet jubilare të 950-vjetorit
të themelimit të dioqezës së lashtë shqiptare të Sapës, kardinali Santos Abril
y Castelló, mbërriti sot më 26 shtator në Shqipëri. Në aeroportin e Tiranës
kardinali Santos Castellò u prit nga Nunci Apostolik në Shqipërisë izmot Ramiro Moliner
Inglés,ipeshkvi i Sapës, izmot Avgustini, kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit, imzot Mirdita
e ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Palmieri. Mbi programin e vizitës së këtyre ditëve të
kardinalit Santos Abril y Castelló dhe programet qendore të kremtimve të Jubileut
të 950-vjetorit të themelimit të dioqezës së Sapës, që do të mbahen më 28 e 29 shtator,
në festën liturgjike të shën Mihillit, Kryengjëll, në mikrofonin e Radio Vatikanit
flet ipeshkvi i Sapës imzot Lucjan Avgustini, ta dëgjojmë…
Ja dhe
disa fragmente nga homelia e ipeshkvit të Sapës imzot Lucjan Avgustini me rastin e
përurimit të Vitit Jubilar në Katedralen e Vau-Dejës më 5 janar 2012. “Çdo
strukturë, institucion, send apo njeri e ka një zanafillë që përcakton moshën
ose vjetërsinë e saj. Ndër krahasimet që zakonisht përdoren për të treguar themelimin
në të kaluarën si mënyrë identifikimi në të sotmen, thonë: “jemi shumë të rinj
dhe njëkohësisht të vjetër.” Epiteti “ I ri ” i atribuohet moshës
së personit ose gjallërisë së tij apo të popullit që i përket, ndërsa “I vjetër”
i atribuohet vendit ku banon ai dhe ku kanë banuar të parët e tij. Këto dy fjalë përshkruajnë
vitalitetin dhe autoktoninë që do të thotë përshkruajnë
jetën në tërësinë e plotë të saj. Kështu mund të themi edhe për jetën e Dioqezës së
Sapës. Ajo është aq e re, aq sa edhe e vjetër. Duke iu referuar të dhënave
në Annuario Ponteficio, të dhënat zyrtare të Kishës Katolike në botë,
atëherë viti themelimit të dioqezës së Sapës është viti 1062. Në këtë vit të
bekuar të Vitit të Zotit 2012 mbushen plotë 950 vjet të themelimit të saj. Qyteti
i hershëm i Sapës është zhdukur nga faqja e dheut, kanë mbetur vetëm rrënojat e Kishës
Katedrale të Shën Mihillit. Kjo për arsye të luftërave dhe pushtimeve që ka pësuar
populli dhe vendi ynë. Në fillim e rrënuan tartarët rreth vitit 1240, pastaj më vonë
osmanët por edhe fatkeqësitë natyrore, tërmetet. Por, selia ipeshkvnore e Sapës ka
arritur të mbijetojë gjatë të gjitha vështirësive dhe ajo sot vazhdon jetën e saj,
dhe po i mbush 950 vjet jete e besim në Krishtin Zot, duke i qëndruar besnik Zotit,
Papës (Selisë Shenjte) dhe duke u vu në shërbim të besimtarëve për shëlbimin e shpirtrave.
Kjo është Kisha e Krishtit e moçme në ekzistencën e saj dhe e re në veprim për të
mirën dhe shpëtimin e njerëzimit”... ...Më lejoni, besimtarë të mi të dashur,
që në këtë ditë të kujtimit të shugurimit ipeshkvnor së bashku me ju ta falënderoj
të Madhin Zot për hirin që më ka dhuruar që më ka zgjedh për bari të kësaj dioqeze
të Sapës, pasardhës i ipeshkvit martir Imzot Gjergj Volaj, moton e të cilit e kam
zgjedhur edhe unë që të më udhëheq në punën time baritore “In virtyte Dei – Me ndihmën
e Zotit” dhe që duke e kërkuar gjithmonë ndihmën dhe ndriçimin e tij këtë që po fillojmë
të mundemi edhe ta kryejmë në nder dhe lavd të Madhit Zot dhe për shëlbimin e shpirtrave. Uroj
që secili duke ia filluar nga unë, meshtarët, rregulltarët dhe rregulltaret dhe i
gjithë populli i Zotit të kemi një takim personal me Hyjin e mishëruar dhe
ky takim të sjellë në jetë gëzim, shpresë dhe fuqinë e dëshmisë së besimit sikurse
na kanë mësuar martirët dhe të parët tanë. AMEN"! Lutja e Vitit JubilarO Atë,
Zotërues i qiellit dhe i tokës, që në dashurinë tënde të pakufishme na dhurove
Birin tënd një të vetmin të mishëruar për virtyt të Shpirtit Shenjt në kraharorin
e Virgjërës Mari, Ty të qoftë lavdi në shekuj.
Kisha jonë Dioqezane e Sapës po
e jeton vitin e hirit të Zotit duke kujtuar 950 vjetorin e themelimit të saj. Me
hirin tënd o Hyj i Gjithëpushtetshëm, bëj, që ky vit jubilar, të jetë kohë kthimi
i zemrave kah Ti duke e dëgjuar zërin e Krishtit dhe duke zbatuar fjalën dhe
mësimin e tij.
Forcoje me fuqinë e Shpirtit Shenjt Kishën tonë Dioqezane, pastroje
prej çdo të keqeje dhe mësimeve të gabueshme, bëj që me besim të pathyeshëm duke
ndjekur shembullin e të parëve tanë dhe martirëve të jemi një bashkësi dhe dëshmitarë
të vërtetë të fesë.
Bëj o Hyj, që gjatë këtij viti jubilar, nën udhëheqjen
dhe këshillat e Virgjërës Mari, Nënës së Këshillit të Mirë, shenjtërve, martirëve
dhe pajtorve tanë, të reshemi me hiret dhe bekimet tua.
Ty o Hyj i Gjithëpushtetshëm, Krijuesi
i gjithësisë dhe i njeriut, nëpër Krishtin, zotëruesin e kohërave dhe të historisë, në
Shpirtin Shenjt, që e shenjtëron tërë gjithësinë, të qoftë lavdi, nderi e lumturia, sot
e në shekuj të shekujve. Amen!