2012-09-25 14:31:12

"Obbori i jo besimtarëve” shkon në Asizi më 5 e 6 tetor


Etapa e ardhshme e “Oborrit të jo besimtarëve”, që do të zhvillohet në Asizi, më 5 e 6 tetor, u paraqit sot paradite në Vatikan. Do të marrë pjesë edhe Presidenti i Republikës së Italisë, Xhorxho Napolitano. Kujtojmë se “Oborri i jo besimtarëve” është një projekt i Këshillit Papnor për Kulturën, që synon dialogun ndërmjet Kishës dhe jo besimtarëve. Është zhvilluar për tri ditë edhe në Tiranë, në nëntor 2011.
“Ndoshta, do të jetë takimi më origjinal e i nivelit më të lartë i ‘Oborrit të jo besimtarëve’” – tha kardinal Xhanfranko Ravazi, kreu i Këshillit Papnor për Kulturën, në konferencën për shtyp. Tema e dy ditëshit në qytetin e Shën Françeskut do të jetë “Zoti, ky i panjohur”, fjalë të marra nga Papa Benedikti XVI. Kjo ngjarje, e cila bie menjëherë para përurimit të Vitit të Fesë, është organizuar edhe me bashkëpunimin e Kuvendit të Shenjtë të Asizit dhe të Shoqatës “Oicos Reflektime”.
Programi i manifestimeve është i pasur: 9 takime në gjithë Asizin dhe 40 relatorë, për të folur mbi tematika të ndryshme: të varfërit, toka dhe ekologjia, feja, puna, dialogu ndërfetar e ndërkulturor, të rinjtë dhe marrëdhëniet me artin e me të shenjten. Do të marrin pjesë eksponentë të kulturës, të shoqërisë e të ekonomisë nga Italia dhe bota. Njëkohësisht me “Oborrin e jo besimtarëve” do të organizohet edhe “Oborri i Fëmijëve” dhe “Oborri i Tregimeve”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kardinali Ravazi bëri një bilanc të nismës, e cila ka prekur qytete të ndryshme të botës:
“Bilanci i deritanishëm është pozitiv, sidomos sepse temat ndryshojnë nga vendi në vend, prandaj, keq a mirë, ndërthuren me jetën e përditshme. Kemi shpresë të vazhdojmë në këtë rrugë, të vazhdojnë kishat dhe bota laike, jo besimtare, që ka bashkëpunuar me entuziazëm të madh… Së dyti: kemi përpara horizontin e indiferencës e mendoj se ky është problemi ynë i vërtetë”.
Prelati nënvizoi se janë në program etapat e tjera të kësaj nisme: në Katanzaro të Italisë, mbi temën e ligjshmërisë, pastaj në Portugali, në Meksikë e në Marsilje të Francës. Kreu i Këshillit Papnor të Kulturës nuk mungoi të uronte që “Oborri i jo besimtarëve” të zhvillohet edhe në Universitetin “La Sapienza” të Romës, ku Papa Benedikti XVI nuk u lejua të fliste në janar 2008.
Nga ana e tyre, françeskanët e Asizit vunë në dukje se takimet në këtë qytet zhvillohen jo vetëm në përkim me fillimin e Vitit të Fesë e të Sinodit të Ipeshkvijve për Ungjillëzimin e Ri, por edhe të nesërmen e festës së Shën Françeskut. Të dëgjojmë atë Enco Fortunaton:
“Fakti që do të zhvillohet ‘Oborri i Françeskut’, ‘Oborri i jo besimtarëve’, pas 4 tetorit, mendoj se është vazhdim i kremtimit të kësaj figure, në çaste të ndryshme. Emocioni e reflektimi shkojnë bashkë”.
Oborri i jo besimtarëve në Asizi do të transmetohet nga Radio Vatikani, nga Telepace e nga RAI.







All the contents on this site are copyrighted ©.