2012-09-25 17:11:39

Me 25 shtator nga kalendari Kishtar kujtohet shën Aurelia e Neomisia


Sipas gojëdhënës që lexohet më 25 shtator në lutjes kushtuar shenjtës, motrat Aurelia e Neomisia kishin lindur në Azinë e Vogël, ku i qenë kushtuar që në fëmijëri jetës së përshpirtshme. Si u rritën, për të thelluar devocionin e tyre, vizituan viset e shenjta të Palestinës. Më pas shtegtuan ndër shenjtëroret më të njohura të Perëndimit. Vizituan, kështu, edhe Romën. E si e kishin kryer shtegtimin, u nisën për t’u kthyer nëpër rrugën Latine, ku u ndeshën me agarenët të cilët, pasi kishin shkretuar Kalabrinë e Lukaninë, ishin dyndur në Kapua. Vajzat u kapën e u rrahen mizorisht me zinxhirë, derisa nuk dhanë më asnjë shenjë jete. Por ndërkaq nisi një shtrëngatë aq e tmerrshme, sa persekutorët e tyre u shpërndanë, pa pyetur më për to. Motrat, që nuk kishin vdekur, vijuan rrugën.
Si arritën në Ananji, vendosën të banojnë në një lagje të varfër, të quajtur Macerata, rrëzë një kodre e këtu, pasi kaluan gjithë jetën në lutje e pendesë, i mbyllën sytë në paqe më 25 shtator. Trupat e tyre, të nderuar nga banorët e vendit, së pari u varrosën në uratoren e lagjes. Me rastin e vizitës së Papës Leoni IX në Ananji, u mbartën në manastirin e Shën Reparatës, pranë mureve të qytetit. Që aty i mbarti sërisht ipeshkvi Romualdo. Tani reliket e dy motrave shenjte pushojnë në kriptën e katedrales së Shën Manjos, pranë relikeve të Shën Sekondinës, nën elterin që u është kushtuar.
Motrat shenjtore i gjemë vazhdimisht ndër afresket e shekullit XIII, në kriptën e katedrales, në lterin e madh e në kamaren e pikturuar nga Gjakomo de Guerra në vitin 1324, ku dy motrat paraqiten pranë ipeshkvit Pjetër.
Pjesa më e madhe e relikeve të Aurelies dhe Neomisisë ruhen në dy urna realizuar me porosinë e imzot Antonio Sardit në vitin 1903 dhe ekspozohen në elterin e madh të katedrales ditën e festës së tyre, më 25 shtator.







All the contents on this site are copyrighted ©.