Sot bie pesë vjetori i kalimit në amshim të françeskanit shqiptar atë Zef Pllumi.
Ky dëshmitar i paepur i Zotit dhe i kombit shqiptar na la faqe të mrekullueshme të
historisë së Ungjillit të shpresës dhe të qëndresës së vërtetë shqiptare. Hyji
Atë e thirri atë Zef Pllumin pranë vetes, para pjesë vjetesh, më 25 shtator 2007,
në spitalin romak “Gemelli”, por në mendje e në zemra tona si dhe të atyre që e kanë
njohur nga afër, ky gjigant i Kishës e i Kombit Shqiptar, është përgjithmonë i gjallë.
Edhe ne të programit të shqip të Radio Vatikanit, ruajmë jo pak kujtime personale
të paharrueshme të takimeve e të bisedave që kemi pasur me atë Zef Pllumin, gjatë
qëndrimit të tij në Romë e në Vatikan si dhe gjatë vizitave tona në Shkodër e në Shqipëri.
Me rastin e pesë vjetorit të kalimit të tij në shtëpinë e Atit Qiellor, duam të
vëmë edhe një herë në dukje, dëshminë e shndritshme të fesë, të kulturës e të atdhedashurisë
që na la ky Patër Françeskan heroik – siç paraqitej me shumë dashamirësi Atë Zef Pllumi.
Nuk do të harrojmë dëshminë tejet të çmueshme të atij kalvari, pjesë e të cilit ishte
edhe personalisht atë Zefi, që përjetoi populli shqiptar, kisha, kleri e Vendi mbarë
në periudhën e errët të diktaturës komuniste në Shqipëri. Nuk do ta harrojmë aftësinë
e tij të leximit të së kaluarës e të së sotmes dhe të dialogut e të afërsisë që kishte
me gjithkënd. Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta tokësore, atë Zef Pllumin e
kujtojmë me admirim e mirënjohje, ndërsa në mendje tonë na kthehen vizionet e tij
të mëdha, plotë shpresë, plotë dashuri e fuqi ungjillore që ua transmetonte të gjithëve.
Atë Zef Pllumi ende sot mungon, i mungon Etërve Françeskanë, i mungon Kishës, botës
së kulturës e shoqërisë shqiptare për vlerat që mishëronte e dëshmonte me bindje e
thjeshtësi, me kujtesë të saktë e largpamësi. Ai konsiderohet me të drejtë si ndërgjegjja
e një treve dhe historie të tërë. Personalisht pati një jetë shumë të dhimbshme, plot
vuajtje dhe sakrifica, por gjithmonë e kurdoherë besnik ndaj Fjalës së Zotit dhe bindjeve
të fesë, ideve kulturore e kombëtare të cilat diti t'i ruaj për rreth tre dekadave
të burgjeve komuniste e t’i sjell nga errësira në dritë, nga vuajtja në liri, nga
vdekja në ringjallje, siç dëshmoi personalisht Atë Zefi në mikrofonin e Radio Vatikanit. Ja
pra disa fragmente nga intervista që realizuam në janar të vitit 2007 me Atë Zef Pllumin
për programin shqip të Radio Vatikanit, me rastin e marrjes së çmimit “Penda e artë”
për veprën “Rrno vetëm për me tregue”. Kjo vepër, pohon mes tjerash atë Zefi, "rrëfen
të vërtetën e fakteve pa inate, me ma të madhen paanësi, tuj tregue faktet pa i gjykue..”.
‘Rrno vetëm për me tregue’ ashtë “një mendim i ndryshëm prej të gjithë historianëve
tjerë të Shqypnisë qi kanë shkrue deri me sot”. Po ta dëgjojmë atë Zef Pllumin
në mikrofonin e dom David Gjugjës...................