2012-09-24 15:26:21

Patriku maronit i Libanit i kërkon OKB-së të ndalojë fyerjet kundër feve


Patriku maronit Beshara Raji i kërkon OKB-së të gjejë një zgjidhje për ndalimin e fyerjeve kundër feve. Propozimi u bë sot, në fillim të një takimi islamo-kristian me dyer të mbyllura, në selinë e tij në Bkerke të Libanit. Përsa i përket filmit amerikan, Patriku sqaroi se ai fyen jo vetëm myslimanët dhe profetin e tyre Muhamet, por edhe të krishterët e çdo fe tjetër. “Ne nuk kënaqemi vetëm me dënimin e tij – tha ai para mbledhjes. I kërkojmë bashkësisë ndërkombëtare të dalë me një rezolutë të OKB-së, që dënon denigrimin e feve”.
Takimi i Bkerke-së u bë me kërkesën e Myftiut të Madh sunit të Libanit, shehut Mohammad Rashid Qabbani, për të diskutuar pikërisht për sulmet kundër Islamit. Por, në mbledhjen e sotme u fol edhe për situatën e vështirë ekonomike libaneze dhe për Nxitjen Apostolike të Benediktit XVI “Kisha në Lindjen e Mesme”, të cilën Papa ua dorëzoi ipeshkvijve të rajonit, gjatë udhëtimit të tij të fundit në Liban.







All the contents on this site are copyrighted ©.