2012-09-24 13:21:40

Papa në Engjëllin e Tënzot: lutuni për të krishterët e Lindjes së Mesme e për paqen


Benedikti XVI bëri dje një thirrje të fuqishme për paqen në Lindjen e Mesme, gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Kastel Gandolfo. Duke iu drejtuar shtegtarëve të gjuhës franceze, Ati i Shenjtë u kërkoi besimtarëve të luten për të krishterët e Lindjes së Mesme dhe për dialogun ndërfetar:
“Vazhdoni të luteni për të krishterët e Lindjes së Mesme, për paqen dhe për dialogun e qetë ndërmjet feve”.
Para këtyre fjalëve, Papa u ndal në Ungjillin e së dielës, i cili na tregon sa larg janë nga pikpamja shpirtërore Jezusi e dishepujt:
“Gjenden, nëse mund të themi kështu, në dy frekuenca të ndryshme valësh, prandaj fjalët e Mësuesit nuk kuptohen, ose kuptohen vetëm sipërfaqshëm. Shën Pjetri Apostull, pasi shfaq fenë e tij në Jezusin, i lejon vetes ta kritikojë, sepse Krishti parashikoi se do të refuzohej e do të vritej”.
Ka edhe shenja të tjera për këtë distancë, e cila na kujton se logjika e Zotit është gjithnjë e ndryshme, sheh më lart se e jona. Prandaj, tha Papa, ndjekja e gjurmëve të Hyjit kërkon nga njeriu një kthim të thellë të zemrës, kërkon ndryshimin e mënyrës së të menduarit e të jetuarit, kërkon ta hapim zemrën e të dëgjojmë Fjalën e Zotit, që të na shndrisë e të na shndërrojë nga brenda:
“Një pikë kyç, ku shihet ndryshimi ndërmjet Zotit e njeriut, është mendjemadhësia: Zoti nuk është mendjemadh, sepse Ai është plotësia vetë e priret gjithmonë ta dojë e ta dhurojë jetën; ndërsa, në njerëzit, mendjemadhësia i ka rrënjët e thella e kërkon vigjilenzë e spastrim të vazhdueshëm”.
Ne, që jemi të vegjël, vazhdoi Benedikti XVI, duam të dukemi të mëdhenj, të jemi të parët, ndërsa Zoti, që është vërtet i madh, nuk ka frikë të përulet e të bëhet i fundit ndër të fundëm. Ati i Shenjtë dha si shembull për t’u ndjekur Virgjërën Mari, e cila “u sintonizua” përsosurisht me Hyjin.
Gjatë përshëndetjeve, Papa kujtoi se dje u shpall i Lum në Troyes të Francës, meshtari Louis Brisson, themelues i Oblateve dhe i Oblatëve të Shën Françeskut të Sales. Pastaj, duke iu drejtuar shtegtarëve polakë, uroi që “çdo fëmijë të mund të gëzojë dashurinë dhe ngrohtësinë familjare”. E të gjithë fëmijët, të kenë kushte të denja për jetën e edukimin e tyre. Së fundi, shtegtarëve italianë të Kultivuesve të Drejtpërdrejtë (Coldiretti), të cilët i kanë dhuruar Benediktit XVI një vresht për Fermën papnore, u tha:
“Të dashur miq, e vlerësoj shumë impenjimin tuaj në favor të mbrojtjes së Gjithësisë e ju falenderoj për dhuratat”.







All the contents on this site are copyrighted ©.