Marie Tuci, martire e regjimit komunist në përvjetorin e vdekjes
Shërbëtorja e Zotit Marie Tuci, martire e Krishtit dhe Kombit në kohën e regjimit
komunist në Shqipëri, në përvjetorin e vdekjes. Duke shfletuar kalendarin historik,
sot më 24 shtator, përkujtojmë 62-vjetorin e martizimit të shërbëtores së Zotit, Marie
Tucit. Kjo dëshmitare e fesë së krishterë, e shpirtit fisnik shqiptar dhe e kulturës,
siç dëshmon jeta, vepra dhe martirizimi i postullantes së Motrave Stigmatine, vdiq
më 24 shtator të vitit 1950 në Shkodër,. Në jetën e saj të shkurtër, Marie Tuci
dëshmoi dhe transmetoi fuqinë e fesë së krishterë, shndriti ndërgjegjet e tjerëve
me besimin e patundur në Krishtin e Gjallë dhe me dashurinë për kulturën e jetës e
të vëllazërimit. Kujtojmë se Marie Tuci, mirditore, është e vetmja femër që gjendet
deri më tani, në listën e 40 martirëve shqiptarë për të cilët procesi dioqezan i
kanonizimit për lumturimin e tyre në nivelin e Kishës katolike shqiptare, ka përfunduar
e tashmë ka kaluar në shqyrtim pranë Kongregatës së Vatikanit për Cështjen e Shenjtorëve.
Shërbëtorja e Zotit, Marie Tuci së bashku me të vëllain e shumë të tjerë, u arrestuan
nga komunistët pas vrasjes se Bardhok Bibes. Vuajtjet më të mëdha për Marinë do të
vinin nga shefi i sigurimit të Shkodrës të asaj kohe, Hilmi Seiti, i cili i goditur
nga bukuria e vajzës, tentoi të abuzoje me të, po ndeshi në kundërshtimin e ashpër
të Maries. Lirinë do ta fitonte pikërisht atëherë kur kishte mbërritur edhe fundi
i saj tokësor për shkak të torturave çnjerëzore. Atëherë kur nuk munden ta mposhtnin
dot në dinjitetin, në fisnikërinë dhe në idealet e saj, komunistët e futen në një
thes bashke me një mace duke e goditur vazhdimisht. Kur e nxirren prej andej, Maria
nuk njihej. Një dëshmitar i martirizimit e kishte krahasuar me një larvë njerëzore.
E dërgojnë në spitalin e Shkodrës ku dhe ndahet nga jeta me 24 shtator të vitit 1950.
Maria Tuci, vajza mirditore, u shndërrua në simbolin e emancipimit e të dinjitetit
njerëzor e femëror në kushtet e një regjimi të egër diktatorial komunist që e burgosi
dhe e çoi në rrugën pa kthim të vdekjes. 62 vjet më vonë Maria Tuci përkujtohet në
Shkodër dhe Mirditë si një grua me dinjitet të lartë e të pathyeshëm, që nuk iu dorëzua
epsheve të funksionarëve të sigurimit të regjimit të kohës, ndonëse ishte e mbyllur
në qelitë e errëta të komunizmit. Bukuria e saj vriste sytë e gardianëve dhe njerëzve
të pushtetshëm, dinjiteti i saj nxiste dhunën brenda tyre, po Maria Tuci nuk u përkul
në asnjë moment duke i treguar atyre se përtej një gruaja të re dhe të bukur, qëndronte
një grua shqiptare plot dinjitet e bindur në idealet e veta të larta, të shenjta e
të përjetshme. Ajo e Marie Tucit qe një jetë e mbytur herët mes dhimbjesh dhe torturash
pafund, po një jetë që pranoi martirizimin në mënyrë shembullore, heroike e me dinjitet
në mbrojtje të dhuratës më të madh që pati nga Zoti, jetës, nderit dhe besimit në
Krishtin Shpëtimtar. Ajo donte të behej murgeshë, t'i përkushtohej gjithë jetën Zotit
e popullit të vet të dashur shqiptar, Fesë e Atdheut, po nuk mundi, sepse jetoi në
kohën me të egër të përbindëshit, komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës. Ishte koha
e përndjekjes dhe orvatjet së shfarosjes së katolikëve shqiptarë, që përbenin një
rrezik të vazhdueshëm për tiranin çnjerëzor Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij. Ishte
koha e tmerrshme e kohës së diktaturës ateiste të komunizmit që e lau tokën shqiptare
me gjakun e pafajshëm të martirëve të vet. E gjaku i tyre, si ai i Marie Tucit, u
shndërruan në farën e ngadhënjimit të së mirës mbi të keqën, të fitores së dashurisë
mbi urrejtjen, të dritës mbi errësirën, të së vërtetës mbi gënjeshtrën.