Historiani e teologu që e bëi të njohur Koncilin e II të Vatikanit ndër shqiptare,
dom Gaspër Gjini në 82 vjetorin e lindjes. Kanë kaluar 82 vjet nga lindja e dr.
dom Gaspër Gjinit. Prifti e studiuesi i madh, lindi më 24 shtator 1930 në Ferizaj,
në familjen e madhe të Kolës e të Dushe Gjinit, që lindën, rritën e edukuan 12 fëmijë. Gaspri
u shugurua meshtar më 2 korrik 1955. Më vonë shkoi në Romë, ku pas studimeve në Universitetin
Papnor Urbaniana, më 1968 mbrojti doktoratën me temë “Mbi burimet historiko-juridike
të Kishës katolike të dioqezës së Shkupit”. Tërë jetën ia kushtoi veprimtarisë
baritore të ungjillëzimit në Kosovë e Maqedoni, në fillim si sekretar i ipeshkvit
të dioqezës së Shkup-Prizrenit, më pas si kancelar e si prift famullitar në Ferizaj
e në Shkup. Vite me radhë shërbeu si Kryetar i Gjyqit kishtar dioqezan, ishte bashkëpunëtor
i zellshëm i revistës fetaro-kulturore të dioqezës së Prizrenit “Drita”. Prifti që
shpalosi para botës shqiptare ngjarjen madhore të Koncilit të II të Vatikanit, me
tërë risinë dhe rëndësinë që solli në jetën e Kishës e të besimtarëve. Në revistën
“Drita” shpjegoi e komentoi dokumentet më të rëndësishme që solli reforma e Koncilit
të II të Vatikanit. Gjatë kësaj kohe përpiloi dhe botoi librin e uratëve “Shûjta
shpirtërore”. Mbylli sytë më 7 mars 1985 në spitalin e Beogradit, në sa ishte në
kulmin e pjekurisë shkencore. Njeri me virtyte të rralla, me kulturë poliedrike,
don Gaspër Gjini na la trashëgim veprën madhore postume: "Ipeshkvia Shkup -Prizren
nëpër shekuj" , botuar në Zagreb, më 1992.