2012-09-24 15:27:07

Akoma protesta për filmin mbi profetin Muhamet. Pakistani: “Asnjë shpërblim për kokën e regjizorit”


Në Liban, mijëra njerëz, përkrahës të hezbollahëve, manifestuan dje kundër filmit amerikan për profetin Muhamet. Protesta, edhe në vende të tjera, ndërsa qeveria e Pakistanit u distancua nga propozimi i një ministri të vet për të vendosur një shpërblim për kokën e regjizorit të filmit blasfem. Gjatë kësaj jave, presidenti amerikan Barak Obama do të flasë në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së, për të theksuar edhe një herë se distancohet nga filmi.
Mbi këtë valë protestash në botën islamike, intervistuam teologun mysliman Adnane Mokrani, pedagog në Universitetin Papnor Gregorian:
Përshtypja ime e parë është se në Perëndim ka grupe të vogla, që po punojnë për ta shtuar urrejtjen kundër myslimanëve e ka të tjera, që po përfitojnë nga ky rast për t’i bërë pak reklamë vetes. Por, nga ana tjetër, në botën islamike, ka grupe fondamentaliste, disa prej të cilave, të lidhura me Al Kaedën, që po investojnë për urrejtjen, duke reaguar dhunshëm me qëllim që të marrin ndonjë pozitë në skenën e re politike të botës arabo-islamike. Në mes të këtyre ekstremeve është shumica e myslimanëve, e të krishterëve, e perëndimorëve dhe e lindorëve, që punojnë për paqen, për demokracinë, për të drejtat e njeriut, për bashkëpunimin, për solidaritetin ndërkombëtar. Këtyre u duhet të punojnë edhe më shumë për t’i mënjanuar e për të mos ua lenë skenën ekstremistëve.
Sipas jush, cili duhet të jetë reagimi më i drejtë i myslimanëve para provokimeve, si ai i filmit?
Sipas meje, në këtë çast, reagimi më i dobishëm nga ana islamike do të ishte injorimi i plotë i provokimit. Kjo, sepse pikërisht këtë duan ata, që e kanë prodhuar filmin, duan këtë reagim, që paradoksalisht, konfirmon ‘karakterin e dhunshëm’ të Islamit: kush e mbron Profetin, duke përdorur dhunën, nuk bën tjetër, veçse e fyen vetë Profetin e konfirmon atë, që thuhet kundër tij. Është kontradiktë e jashtëzakonshme; është paradoks. Ndërsa, përgjigjja civile, kulturore, paqësore, duhet të jetë injorimi i filmit dhe paraqitja e historisë, asaj të studiuar në mënyrë shkencore, akademike, që nuk bie në këto kurthe. Ka sfida më të vërteta se këto: e para është rindërtimi i vendeve të sapodala nga revolucioni, si Tunizia dhe Libia. Duhet ndihmuar më mirë edhe populli sirian, sepse drama siriane është skandal, për mendimin tim. Manifestojmë për karikaturat, ose për këtë film me cilësi tepër të ulët artistike, por rrimë pa fjalë para masakrave të tmerrshme në Siri!
Prof. Mokrani, pas ‘pranverës arabe’, a ekziston mundësia që myslimanët ta dënojnë një satirë të tillë fetare, me nivel të ulët, pa reaguar me dhunë?
Sipas meje, pjesa më e madhe e myslimanëve nuk ka reaguar me dhunë. Ajo që ndodhi në Bengazi të Libisë, është një sulm i parapërgatitur nga një grup i Al Kaedës. Pra, e deshën dhe e planifikuan më parë. Nuk ishte reagim spontan, por sulm i përgatitur mirë. Ndërsa, shohim se pjesa tjetër e myslimanëve reagon paqësisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.