2012-09-24 13:23:35

107-vjetori i lindjes së jezuitit atë Jak Gardin


Duke shfletuar kalendarin, sot më 24 shtator, kujtojmë 107-vjetorin e lindjes së misionit jezuit, atë Jak Gardin, dëshmitarit të patrembur që bëri të njohur para botës persekutimin e shqiptarëve nga regjimi komunist.
Jezuiti atë Giacomo Gardin, që shqiptarët e njohin me emrin Patër Jaku, lindi në Prodolone të San Vito Taliamento, në krahinën Pordenone, më 24 shtator 1905. Më 12 nëntor 1923, në moshën 18 vjeçare, hyri në Shoqërinë e Jezusit. Pas dy vjetëve të noviciatit në Goricë dhe viteve të përgatitjes në filozofi, u transferua në Kieri (Torino), për të ndjekur kurset trevjeçare të filozofisë, sipas traditës së jezuitëve. Më 1930 u nis për herë të parë në Shqipëri, ku për disa vite me radhë dha mësim në Kolegjin Saverian. Gjatë këtyre viteve mësoi mirë gjuhën shqipe e njohu thellësisht zakonet e vendit. U kthye në Kieri për të vazhduar studimet filozofike dhe këtu u shugurua Meshtar më 15 korrik 1936 nga Kardinali Maurilio Fossati. Pastaj, ndërmjet viteve 1937 e 1938 shkoi në Parei-le-Monial në Francë, për të kryer vitin e fundit të rrugës së gjatë të përgatitjes për Shoqërinë e Jezusit, duke përfshirë edhe vitin e tretë të provës.
Më 2 shkurt 1941 Atë Gardin bëri kushtet e përjetshme. Me këtë rast, në revistën “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit” (Korrik 1941, fq. 202-205) u botua vjersha e nënshkruar me inicialet P. Gj., titulluar “Pagjë e dashtëní”, në të cilën shkruhet. “Ty jetën t’kunorojnë / Pagja, dashtënia e gëzimi/ Ty shpirtin ta naltojnë/ N’virtyte i shêjtë defrimi,/ E janë për ty dafina/ vuejtjet për qiellë hyjrina//.
Për 20 vjet me radhë vazhdoi veprimtarinë e vet misionare në Shqipëri: dhjetë vjet si meshtar e pedagog, mik i dashur dhe tepër i nderuar i shqiptarëve në Shkodër e në Tiranë; dhjetë vjet të tjera ndër burgjet komuniste, i akuzuar nga diktatura si armik i përbetuar i popullit shqiptar. Më 1955, si rezultat i marrëveshjes ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, mundi të rifitonte lirinë dhe të kthehej në atdhe. Këtu shkroi librin “Dieci anni di prigionia in Albania” - “Dhetë vjet burg në Shqipni” që u botua më parë italisht më 1988 në SHBA, e më pas u përkthye në gjuhën shqipe nga Zef Nekaj e Petro Vuçani dhe u botua në Romë më 1992, taman atëherë kur Jezuiti besnik ndaj misionit të tij, kthehej përsëri në Shqipëri për t’i shërbyer si Atë shpirtëror rinisë katolike shqiptare e sidomos asaj rinie që, duke shprehur dëshirën të ndjekë rrugën e meshtarisë, përgatitet në bankat e seminarit papnor të rilindur, për të vijuar misionin e shenjtë e martirëve që derdhën gjakun për Krishtin në periudhën e komunizmit.
Shumë gjëra i kujton shqiptarëve emri i tij. I kujton Meshtarin e devotshëm, me cilësi të jashtëzakonshme për ta predikuar e për ta jetuar Ungjillin e Krishtit. I kujton misionarin që u bë një me popullin, të cilit kishte shkuar t’i shërbente, që ndau me këtë popull të mirën e të keqen, që vuajti për të, që e deshi aq, sa as sëmundja e as mosha e shtyrë nuk e penguan të ishte ndër të parët që u kthyen, kur u duk se po vinte pranvera e lirisë. Emri i Atë Gardin-it i kujton shqiptarëve mësuesin e shquar, që për dhjetë vet rresht dha mësim në Kolegjin e famshëm të Jezuitëve. I kujton njeriun e ekumenizmit, që edukoi vëllazërimin e dashurinë ndërmjet njerëzve, pa dallim besimi. E i kujton edhe autorin e veprës “Dhetë vjet burgim në Shqipní”, një ndër dëshmitë më të njohura mbi martirizimin e klerit e të popullit shqiptar, që u shkrua e u botua kur Atdheu i dytë i jezuitit misionar rënkonte ende pas perdes së hekurt. Përmes kësaj vepre Meshtari katolik tregonte me gisht para botës krimet e diktaturës komuniste.
Vepra në gjuhën italiane u botua më 1986 në Romë nga “Civiltà Cattolica”, në gjuhën angleze, më 1988 në SHBA dhe në gjuhën shqipe, më 1992, po në Romë. Vepra është përkthyer edhe në gjuhën kroate.
Libri i Atë Gardinit, që është konceptuar në pesë kapituj, të cilët flasin për: Arrestimin e procesin; Gjendjen e Kishës; Burgun; Kampin e përqendrimit dhe përfundimin e burgimit, ngjarje që shtrihen në vitet 1945-1955.
Mbyllet me predikimin e Atë Gardinit në Meshën solemne të Paqes me rastin e përkujtimit të 40-vjetorit të salvimit fetar në Shqipëri, kremtuar në Kishën e Shën Injacit në Kaliforni më 13 prill 1985, pas të cilit radhitet Letra që Shenjtëria e Tij, Gjon Pali II i drejton Atë Gardinit si dhe epilogu i veprës.
Përfundimi logjik në të cilin arrin Atë Gardin-i pasi rrëfen dhjetë vjetët e burgimit, tingëllon si ftesë për reflektim, për të mos harruar se “Zoti nuk e turbullon kurrë gëzimin e bijve të vet, pa pasur si qëllim t’u përgatisë një gëzim tjetër, edhe më të madh!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.