2012-09-22 12:28:53

Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës së 25-të gjatë Vitit kishtar ‘B’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 25-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.
Në Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të kësaj së diele të 25-të, Jezusi na thotë se kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet shërbëtor i të gjithëve ashtu siç ishte Ai vet. Jezusi na zbulon planet e Zotit Atë mbi beniamin, mbi të dashurin e të preferuarin e tij: prej Tij do të dorëzohet në duart e njerëzve (Ungjilli); e prej tyre do të dënohet me një vdekje të turpshme e të tmerrshme (leximi 1). Dishepujt nuk e kuptonin atë çka thoshte Jezusi, aq sa filluan të diskutonin se kush prej tyre ishte më i madhi.. Ky diskutim i jep Jezusit rastin për të mësuar se mbi çka mbështet e në çka vërtetë qëndron autoriteti në bashkësinë e në Kishën e tij.
Fjala e Zotit e kësaj së diele, e posaçërisht pjesa ungjillore, pra na propozon dy realitete historike të jetës së Jezusit, në dy momente të ndryshme: i pari realitet ka si sfond rrugët e Galilesë; i dyti e ka shtëpinë e Kafarnaumit, ku Jezusi tërhiqet për të pushuar dhe për të biseduar me nxënësit e vet.
Rruga, është realitet e simbol i udhës së jetës, e në pjesën e ungjillit të kësaj së diele marrë nga Shën Marku, na tregon vullnetin e prerë të Jezusit për të përshkuar e kryer besnikërisht deri në fund vullnetin e Atit Qiellor, që e çon deri në flijimin shpëtimprurëse falas mbi Kryq. Ai është i drejti, siç pohon leximi i parë i kësaj së diele marr nga Libri i Urtisë, të cilin Ati Qiellor e dorëzon, të cilin e flijon për shëlbimin tonë njerëzor.
Është ky një flijim i rëndë, madje shikuar në aspektin njerëzor është vërtetë absurd, të cilin Apostujt refuzojnë ta kuptojnë; e megjithatë kjo nuk e ndal Jezusin ta çojë deri në fund misionin e tij, ta kryej vullnetin e Atit të Tij Qiellor. Krishti ka ardhur e është mishëruar për të zbatuar pikërisht vullnetin e Hyjit Atë, duke besuar e duke u mbështetur krejtësisht në Të.
Pjesa e dytë e fragmenti ungjillor të kësaj së diele, është një koment i “qartë” i këtij aspekti. Vetëm kush beson e mbështetët në Zotin, porsi një fëmijë, mund ta kuptojë atë dhe të jetojë si nxënës i vërtetë i tij. Pra, me pak fjalë, leximet biblike të kësaj së diele, na ndihmojnë ta njohim nga afër e më tepër figurën e Krishtit dhe tiparet që duhet ti ketë ai njeri që dëshiron dhe synon të jetë vërtetë nxënës i Jezusit.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi I Ur 2,12.17-20
Nga Kaini e më vonë njerëzit dhe shpesh edhe besimtarët kanë kërkuar me të gjitha format të detyrojnë të drejtët të heshtin. Prania e të drejtit nuk pushon së denoncuari poshtërsinë tonë. Njerëzit edhe sot, të verbër nga arsyetimet e tyre, duan shkatërrimin e të drejtit, duke ripërtërirë dënimin e padrejtë të Krishtit. Por pas vdekjes së tij edhe xhelati dëshmoi: Ky është Biri i Hyjit.

Lexim prej Librit të Urtisë

Thanë të paudhët: “T’i vëmë pritë të drejtit, sepse na pengon dhe u kundërshton veprave tona, sepse na qorton për mëkatet kundër ligjit e na i përplas në sy mungesat e edukatës që kemi marrë. Të shikojmë a janë fjalët e tija të vërteta dhe të shqyrtojmë çfarë mbarimi do të ketë: nëse i drejti është vërtet bir i Hyjit. Ai patjetër do ta ketë kujdes dhe do ta shpëtojë nga duart e kundërshtarëve. Ta vëmë në sprovë me fyrje e me mundime e ta shohim butësinë e sedrës së tij, ta sprovojmë durimin e tij. Ta dënojmë me vdekje të turpshme: sepse siç thotë ai, shpëtimi do t’i vijë!”
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 54
Ti, o Zot, je mburoja ime

Më shpëto, o Hyj, pashë Emrin tënd,
me fuqinë tënde mbroje të drejtën time.
O Hyj, vështroje lutjen time,
prire veshin nga fjalët e gojes sime!

Sepse krenarët u çuan kundër meje,
mizorët kërkojnë të ma marrin shpirtin:
për Hyjin ata s’kanë kujdes.

Por, ja, Hyji po më vjen në ndihmë,
shpirtin tim ai po e merr ndore.
E unë me ëndje do të të kushtoj fli,
do ta lavdëroj Emrin tënd, o Zot,
sepse është i mirë.

Leximi II Jk 3,16-4,3
Ne të gjithë, thotë Jakobi, hapim luftë. Mosbesimi ynë, lakmia jonë, kopracia jonë janë shkaqet e çdo lufte. Duhet të jemi miqtë e Hyjit për të fituar mbi grindjet dhe ndarjet. Vetëm kur paqja e Hyjit mbush zemrën, ajo nuk provon më as zili, as dëshira të çrregullta.

Lexim prej Letrës së shën Jakobit apostull

Fort të dashur, ku është smira dhe grindja, atje ka pështjellim dhe çdo të keqe. Kurse urtia që vjen prej së larti më se pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e përshtatshme, plot mëshirë dhe vepra të mira, e durueshme dhe jo shtiracake. Fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që punojnë për paqe.
Nga vijnë ngatërresat dhe grindjet që vlojnë ndër ju? A thua jo këndej: nka lakmimet tuaja që luftojnë në gjymtyrët tuaja? Dëshironi e nuk keni; vritni e keni smirë, dhe gjë nuk fitoni; griheni e luftoni. Nuk keni, pse nuk luteni. Luteni e nuk fitoni, pse luteni keq që t’i shpenzoni në plotësimin e ëndjeve tuaja.
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja.
Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.
Aleluja. Aleluja.

Ungjilli Mk 9, 30-37

Jezusi kërkon t’i përgatisë dishepujt për fundin e tij tragjik, që do të jetë një interval përpara shpresës përfundimtare. Por ata ushqejnë akoma shumë interesa dhe mburrje, kërkojnë në mbretërinë e Jezusit një pozicion për tu dukur,
diskutojnë mes tyre për të pasur vendet më të rëndësishme. Nuk kanë mësuar akoma mësimin e kryqit: përvujtërinë, varfërinë dhe shërbimin.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi dhe nxënësit e tij kaluan nëpër Galile, por nuk donte ta dinte kush, sepse mësonte nxënësit e vet. U thoshte: “Biri i njeriut do t’u dorëzohet njerëzve e ata do ta vrasin, por kur ta kenë vrarë, ai do të ngjallet pas tri ditësh.” Ata nuk morën vesh këtë fjalë e kishin frikë ta pyesin. Arritën në Kafarnahum. Si hyri në shtëpi, i pyeti: “Mbi çka biseduat rrugës?” Ata nuk bënë zë, sepse udhës kishin biseduar kush ishte më i madhi. Jezusi u ul, i thirri rreth vetes të Dymbëdhjetët e u tha: “Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i mbrami i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.” Pastaj mori një fëmijë të vogël, e vuri në midis të tyre, e mori ngrykë dhe u tha: “Kush e pranon një vogëlush si ky në Emrin tim, më pranon mua; e kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më dërgoi mua.”
Fjala e Zotit.
Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës Hyjnore të kësaj së diele mund të dëgjoni edhe këtu.........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.