2012-09-22 12:36:54

50 vjet pas Koncilit II të Vatikanit, një libër shpjegon dokumentet e tij


”E ardhmja e Koncilit, dokumentet e Vatikanit II: një thesar për t’u zbuluar”: ky është titulli i librit, të paraqitur javën e kaluar në selinë e Radio Vatikanit. Ai mban firmën e studiuesve me autoritet, të cilët vënë në dukje se si, edhe pas 50 vjetësh, ajo mbledhje e të gjithë ipeshkvijve të botës mbetet aktuale. Intervistuam personin, që është kujdesur për këtë vëllim, të publikuar nga Shtëpia Botuese ”Effatà”, Luka Rolandi. Si lindi kjo ide?
Lindi kryesisht nga synimi për të kërkuar, sidomos për një publik rinor e për personat, që nuk e dinë as se çfarë është Koncili, një mundësi informacioni paraparak mbi vetë dokumentet, para se të lexohen ato, duke u nisur nga analizat e ekspertëve, vatikanistëve, biblistëve dhe liturgjistëve.
Cilat janë thesaret, që rizbuluat në këto dokumente, siç shkruhet edhe në titullin e librit?
Shumë, sepse dokumentet, pavarësisht nga mosha e tyre 50-vjeçare, kanë akoma një ngarkesë e forcë profetike, një këndvështrim të thellë shpirtëror e kulturor, që mendoj se është e rëndësishme t’u ripropozohet, sidomos brezave të rinj. Në 50 vjet shoqëria është zhvilluar me shpejtësi, por kohët e Kishës janë më të ngadalshme, duhet një farë kohe për t’i metabolizuar gjërat. Prandaj, mendoj se është themelore që Papët, ipeshkvijtë, meshtarët e bashkësitë t’i referohen vazhdimisht Koncilit II të Vatikanit, për t’i kujtuar mësimet e tij, në mënyrë që ato të vihen në zbatim.
Nëse do t’ju duhej t’ia shpjegonit Koncilin një të riu besimtar, si do të vepronit?
Do të veproja në dy mënyra. Nga njëra anë, duke përdorur ndonjë mjet multimedial, pra duke i treguar ndonjë imazh nga Koncili: të shohësh 2.500 ipeshkvij nga e gjithë bota, për herë të parë pranë e pranë në Shën Pjetër, në një asamble të madhe, nuk është e paktë. Nga ana tjetër, do t’i tregoja një shembull, si fjalimin, që mbajti Papa Gjoni XXIII në mbrëmje, pas hapjes së Koncilit – të famshmin “fjalim për Hënën” – sepse e paraqet Koncilin sipas një përmase më ‘shtëpiake’, që mund t’u flasë zemrës së të gjithëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.