2012-09-21 14:50:08

Vatikan: për të garantuar sigurinë globale duhet të eliminohet tërësisht arsenali bërthamor


“Vetëm duke kultivuar kulturën e paqes të bazuar mbi primatin e së drejtës e mbi respektimin e jetës njerëzore, mund të ballafaqohen seriozisht sfidat e shumta që kanë të bëjnë me “rilindjen bërthamore”, do të thotë me “lidhjen që ekziston ndër çarmatimit e jo rritjes bërthamore, rritjes së kërkesës për energji, kërcënimeve që vijnë nga terrorizmi bërthamor dhe nga tregu i zi bërthamor, e siguria bërthamore”. Me pak fjala çarmatimi bërthamor dhe përdorimi i energjisë radioaktive për qëllime paqësore e për zhvillimin njerëzor. Ndërmjet këtyre dy poleve u zhvillua fjala e Sekretarit të Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet, kryeipeshkvit Dominique Mamberti, gjatë seksionit të 56-të të Konferencës së përgjithshme të Agjencisë ndërkombëtare për energjinë atomike (Aiea) në Vjenë.
Ekziston një teknologji bërthamore që është në favor të jetës, por ekziston një tjetër teknologji bërthamore në favor të vdekjes. E para ka nevojë për zhvillime të mëtejshme, që shpesh herë janë shumë të rralla, dhe e dyta ka nevojë të neutralizohet e ndalohet krejtësisht, ndërsa ka ende shumë prej atyre që e perfeksionojnë atë.
Imzot Mamberti diskutoi rreth këtyre dy çështjeve duke u nisur nga të dhëna tejet shqetësuese të kohëve të fundit, nga “rilindja bërthamore” që sot po përjeton paradoksin që, nga njëra anë, vërejti prelati, vërehet reduktimi i grumbullimeve të armëve bërthamore dhe nga ana tjetër “modernizohen arsenalet bërthamore e bëhen investime të mëdha parash për të siguruar prodhimin e tyre të ardhshëm dhe mirëmbajtjen e tyre”. Çmontimi i arsenaleve “moralisht nuk është i mjaftueshëm”, nënvizoi imzot Mamberti, sepse kërkohet shumë më tepër: një “kulturë e paqes bazuar mbi primatin e së drejtës dhe të respektimit të jetës njerëzore”.
Pas pohimit të këtij parimi të përgjithshëm, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet analizoi disa problematika të veçanta lidhur me temën e përmendur: mbrojtjen nga “terrorizmi bërthamor”, deri edhe mbrojtjen nga “tregu i zi bërthamor”, e këndej implementimin e sigurisë.
Edhe këtu, imzot Marmberti bëri dallime e sqarime duke thënë: “siguria globale nuk mund të bazohet mbi armë bërthamore”, por mbi adoptimin nga ana e të gjitha fuqive bërthamore të protokolleve e të normave në fushën e kësaj lënde.
Në mënyrë të veçantë, duhet të pranohet Traktati për ndalimin global të eksperimentimeve bërthamore, që konsiderohet si një “instrument i rëndësishëm”. “Selia e Shenjtë – nënvizoi prelati – është e bindur që, duke punuar së bashku, nënshkrimi, ratifikimi dhe hyrja në fuqi e Traktatit përfaqëson një kontribut domethënës për të ardhmen e njerëzimit, ashtu si dhe për mbrojtjen e tokës e të mjedisit që Krijuesi na i ka besuar për t’u përkujdesur”.
Këtë, shtoi ai, sepse “njerëzimi nuk meriton më pak se bashkëpunimin e plotë të të gjitha Shteteve në këtë lëndë të rëndësishme” e sidomos për arsye se “armët bërthamore – nënvizoi me forcë prelati – kanë një aftësi shkatërrimtare që është bërë kërcënim edhe për vet mbijetesën e njerëzimit, e për këtë arsye duhet ditur që, përderisa vazhdon të ekzistojë arsenali bërthamor, kërcimi kundër njerëzimit do të zgjatë.
Më tutje, imzot Marmberti pohoi se armët bërthamore janë të padobishme për përballimin e kërcënimeve aktuale siç është varfëria, shëndeti, ndryshimi klimaterik, terrorizmi e kriminaliteti transnacional. E vetmja mënyrë për të garantuar që këto armë nuk do të përdorën akoma është eliminimi i tyre i plotë, i pakthyeshëm e i vërtetueshëm, nën kontrollin ndërkombëtar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.