2012-09-21 15:00:01

Shqipëri: letra dhe Dekreti Kishtar kundër vrasjeve


Prot. nr. 96A/2012
Shkodër, 14/09/2012 Shumë të dashur besimtarë
të Arkidioqezës së Shkodër-Pult, të Dioqezës së Sapës dhe të Dioqezës së Lezhës
Zoti ju dhashtë paqe!
Me këtë letër po jua hapim zemrën tonë të plagosur dhe bashkëndajmë me ju shqetësimin e madh dhe dhimbjen atërore që na kanë nxitur të shpallim dekretin për ndëshkimet kanonike të parapara në rast vrasjeje. Jemi me të vërtetë shumë të shqetësuar për numrin e madh të vrasjeve dhe të akteve kriminale që janë duke ndodhur në këtë vit 2012. Si të mos na vijë keq kur shohim se kaq shumë (njerëz), bij të Hyjit dhe të dashur prej Zotit, e humbasin jetën për shkak të vendimit vrasës të dikujt tjetër? Si të mos ndiejmë dhimbje edhe për faktin se disa bij të Hyjit, të dashur edhe ata prej Zotit, bëhen vrasës, duke bërë një krim që rëndon në ndërgjegjen e tyre dhe vë në rrezik shëlbimin e tyre të amshuar?
Këtë vit shqetësimi ynë është rritur ditë pas dite, duke dëgjuar meshtarët që na vinin në dijeni për faktin se po shtohen gjithnjë e më shumë dhuna në familje, përdorimi i forcës në marrëdhëniet mes personave dhe “logjika” e hakmarrjes dhe e “gjakmarrjes”.
U jemi mirënjohës meshtarëve për punën baritore që kryejnë në bashkësitë e krishtera për të shpallur Ungjillin e Jezu Krishtit dhe për të nxitur një mendësi që është gjithnjë e më besnike ndaj Hyjit dhe ndaj ligjit të Tij të dashurisë. Në të njëjtën kohë, të gjithë jemi të vetëdijshëm se edhe mes atyre që janë pagëzuar disa nuk e respektojnë jetën e të tjerëve, duke mos jetuar kështu personalisht një jetë të krishterë siç na ka mësuar Shëlbuesi ynë Jezu Krishti.
Të gjithë e njohim mirë urdhrin e pestë të Zotit, që thotë: “Mos vra”. Dhe neni 2268 i Katekizmit të Kishës Katolike thotë qartë: “… Vrasësi dhe ata që lirisht bashkëpunojnë në vrasje bëjnë një mëkat që kërkon hakmarrje prej qiellit (Zan 4,10)”. Mjerisht ka njerëz që nuk e zbatojnë urdhrin e Hyjit, madje e shkelin atë haptazi, megjithëse e quajnë veten “katolikë të mirë”. Disa madje vrasin nganjëherë pa asnjë ngurrim ose hakmerren në mënyrë të përgjakshme e barbare. Ata shpesh vetëarsyetohen duke thënë se zbatojnë Kanunin. Duke u mbështetur në një traditë shekullore dhe duke i dhënë më shumë rëndësi traditës së njerëzve se sa ligjit të Hyjit, mendojnë se marrja e gjakut është një detyrë dhe, duke menduar kështu se bëjnë drejtësi, nuk i japin rëndësinë e duhur të keqes që bëjnë. Në të vërtetë vrasja për gjakmarrje ka të njëjtën peshë si çfarëdo vrasjeje tjetër, madje, do të thoshim edhe më të madhe, sepse paramendohet dhe përgatitet në çdo hollësi nganjëherë për vite të tëra. Edhe më keq, të gjithë ata që vrasin, me sjelljen e tyre vrasëse i vënë shqelmin Ungjillit të Jetës dhe Kryqit të Zotit tonë Jezu Krishtit që ndoshta e mbajnë në qafë ose e kanë të varur në muret e shtëpive të tyre! Sjellja e tyre pra është një fyerje ndaj Krishtit, i cili ka zgjedhur ‘të japë’ gjakun e Tij për shëlbimin e njerëzimit dhe jo ‘ta marrë’ si ‘shpërblim’ për mëkatet dhe fajet që ne bëjmë. Sjellja e tyre, nëse e mendojmë mirë, është pra një fyerje ndaj Gjakut të Krishtit.
Nëse jemi me të vërtetë të krishterë dhe katolikë, Ungjilli dhe vlerat që burojnë prej fesë duhet ta ndryshojnë jetën tonë dhe mendësinë tonë, duhet të na bëjnë ta respektojmë jetën, që është e shenjtë dhe e paprekshme, që prej momentit të ngjizjes deri në vdekjen natyrore. Njëri prej aspekteve që duhet të ndryshojë patjetër në mendësinë tonë është ai i vënies së drejtësisë me duart tona dhe me armë, duke e vrarë tjetrin për çfarëdo konflikti, nganjëherë edhe i rastësishëm. Një element i rëndësishëm që ndihmon për këtë ndryshim të domosdoshëm të mendësisë jepet edhe prej faktit që shtetasit të munden me të vërtetë të kenë besim se Gjykata i ndëshkon fajtorët për krime dhe pra se mund të kenë besim se Organet Gjyqësore të Shtetit janë të drejta dhe të ndershme në gjykime, duke e shmangur korrupsionin.

U bëjmë thirrje këtyre Organeve Gjyqësore Shtetërore duke kërkuar rreptësinë më të madhe dhe asnjë zbritje dënimi apo lehtësim për vrasjet, dhe në veçanti për vrasjet “për gjakmarrje”. Pra, kërkojmë maksimumin e dënimit, deri në dënimin me burgim të përjetshëm, për krimet e vrasjes, duke ia besuar vrasësin mëshirës së Hyjit, që të pendohet dhe të përpiqet të japë dëmshpërblim për krimin e bërë, edhe ndaj njerëzve të pafajshëm të familjes së viktimave që vuajnë pasojat ë rënda të krimit (p. sh. gruaja e mbetur e vejë, bijtë e mbetur jetimë!). Në numrin 2266 Katekizmi i Kishës Katolike thekson me të drejtë se mbrojtja e të mirës së përbashkët, pra e të gjithë shoqërisë, kërkon që Shteti të përpiqet për ta “frenuar përhapjen e sjelljeve cenuese të të drejtave të njeriut dhe të rregullave themelore të bashkëjetesës civile”. Prandaj është e nevojshme që ata që u shkaktojnë dëme të rënda të tjerëve të bëhen të padëmshëm.
Në këta vjet të episkopatit tonë jemi munduar të mos i humbasim rastet e ndryshme të takimit dhe të kremtimit me ju në famullitë tuaj për t’u kujtuar të gjithëve atë që thotë Jezusi: “Kush më do, t’i mbajë urdhërimet” (....) dhe “prej kësaj do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi, nëse e doni njëri-tjetrin” (Gjn 13,35).
Sa herë ju kemi folur për faljen që duhet t’i kërkojmë Hyjit, por edhe për faljen që duhet t’u kërkojmë e t’u japim të tjerëve dhe ju kemi ftuar në falje e në pajtim! Sa herë e kemi përsëritur parimin: “shqiptari ta ndihmojë vëllain e vet shqiptar dhe të jetë i mëshirshëm me vëllain e vet shqiptar!”, si zbatim konkret i Ungjillit!
Arsyet që kemi shprehur në fillim të kësaj letre na kanë bindur se nuk janë më të mjaftueshme këshillat e porositë, sepse shpesh mbeten të padëgjuara dhe njerëzit vazhdojnë të veprojnë në kokë të vet, duke e shkelur nganjëherë rëndë ligjin e Hyjit. Pra, mendojmë se ka ardhur momenti të përdorim ndëshkimet dhe dënimet që parasheh Kisha e Shenjtë dhe e Drejta Kanonike për krimet e rënda. Katekizmi i Kishës Katolike në numrin 2266 na kujton se “mësimi tradicional i Kishës e ka njohur si të vlefshme të drejtën dhe detyrën për të dhënë ndëshkime në përpjesëtim me peshën e krimit”. Dhe vazhdon duke paraqitur se cili është qëllimi dhe vlera e ndëshkimit: “Ndëshkimi ka si qëllim të parë që ta ndreqë çrregullimin e sjellë prej fajit... ndëshkimi ka vlerën e shpërblimit... ndëshkimi ka vlerën kuruese:... ai duhet të ndihmojë në ndreqjen e fajtorit”.
Detyra për ta mbrojtur ‘popullin e Hyjit’ që na është besuar ditën e shugurimit tonë ipeshkvor na ka nxitur pra që të shpallim dekretin në fjalë. Mendojmë se veprojmë për të mirën e personave që bëjnë vrasje, të shpirtrave të tyre pas vdekjes, të familjeve të tyre, të bijve të pafajshëm. Në të vërtetë, neni 1034 i Katekizmit të Kishës Katolike thotë se “Jezusi flet vazhdimisht për ferrin që i pret ata të cilët deri në fund të jetës nuk pranojnë të kthehen dhe ku mund të vritet si shpirti ashtu edhe trupi (Mt 10,28)”.
Me ndërmjetësinë e Zojës së Këshillit të Mirë dhe të “Martirëve” tanë, Hyji e ndriçoftë mendjen e të gjithë njerëzve në mënyrë që të gjithë të mund të pranojmë këshillat e paqes, të faljes dhe të pajtimit.
Ia besojmë Zotit jetën e të gjithëve dhe i japim secilit bekimin tonë atëror.



Imzot Lucjan Avgustini Imzot Angelo Massafra OFM Imzot Ottavio Vitale RCJ
Ipeshkëv i Sapës Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult Ipeshkëv i Lezhës


Dom Robert Kola Atë Artan Seli SDS Atë Flavio Cavallini OFM
Kancelar Kancelar Kancelar
******************************************************
Prot. Nr. 96/2012
DEKRET

Vrasjet e shumta që vazhdojnë të ndodhin në territorin e Dioqezave tona dhe jo vetëm aty, shumë prej të cilave për gjakmarrje, vënë në dukje se ka persona që nuk e zbatojnë urdhrin e Hyjit: “Mos vra”, madje e shkelin atë haptazi, megjithëse e quajnë veten “katolikë të mirë”. Disa vrasin nganjëherë pa asnjë ngurrim ose hakmerren në mënyrë të përgjakshme e barbare. Ata shpesh vetëarsyetohen, duke u mbështetur në një traditë shekullore, duke thënë se zbatojnë Kanunin. Ata i japin më shumë rëndësi traditës së njerëzve se sa ligjit të Hyjit. Të gjithë ata që vrasin, me sjelljen e tyre, janë duke i vënë shqelmin Ungjillit të Jetës dhe Kryqit të Zotit tonë Jezu Krishtit. Sjellja e tyre pra është një fyerje ndaj Krishtit, i cili ka zgjedhur ‘ta japë’ gjakun e Tij për shëlbimin e njerëzimit dhe jo ‘ta marrë’ atë si ‘shpërblim’ për mëkatet dhe fajet që ne bëjmë.
Meqenëse e ndiejmë thellë përgjegjësinë tonë si Barinj të Kishës që është në Shkodër, në Sapë e në Lezhë dhe na duhet t’i mbrojmë bashkësitë e krishtera nga çfarëdo rreziku, pasi jemi këshilluar me bashkëpunëtorë dhe ekspertë si dhe me ata që kanë rënë drejtpërdrejt në kontakt me këto episode, me qëllim që të arrihet pendimi i vrasësve dhe zbutja e zemrave të të gjithë njerëzve në mënyrë që ngjarje të tilla të mos ndodhin më
D E K R E T O J M Ë
Se kushdo që bën një vrasje ose bashkëpunon që ajo të bëhet ose ndihmon në mënyrë të qëllimshme që ajo të ndodhë, në bazë të nenit 1331 te Kodit të së Drejtës Kanonike ndëshkohet me shkishërim (dmth. ekskomunikim).
Prandaj, në bazë të të njëjtit neni 1331

D E K L A R O J M Ë

Se i shkishëruari
1. Nuk mund të marrë pjesë në kremtimet e Kishës
2. Nuk mund të marrë Sakramentet (rrëfimin, kungimin, krezmimin, kurorën e shenjtë, urdhrin e shenjtë)
3. Nuk mund të marrë sakramendoret, si funeralin dhe varrimin e krishterë në varrezat katolike.
Në bazë të nenit 1335 kujtojmë se: “Nëse ndëshkimi ndalon kremtimin e sakramenteve..., ndalesa pezullohet nëse kjo është e nevojshme për t’u kujdesur për besimtarët që gjenden në rrezik vdekjeje”.
Dera e Kishës do të jetë gjithmonë e hapur për ata që, të goditur nga ky dekret dhe nga ndëshkimet e parapara prej tij, pendohen dhe, duke e ndryshuar mendësinë e tyre të vrasjes, duan të kthehen në bashkim të plotë me Hyjin dhe me Kishën. Ata duhet ta shfaqin konkretisht qëllimin e tyre real për ndryshim duke zbatuar kushtet që vijojnë:
1. Ta shfaqin publikisht pendimin e tyre
2. Ta ndreqin padrejtësinë e bërë
3. Ta kryejnë dënimin e paraparë prej ligjit
4. Të marrin faljen nëpërmjet rrëfimit sakramental
Dispozitat e lartpërmendura hyjnë në fuqi prej ditës së diel më 16 shtator 2012, kur kjo letër do të lexohet në të gjitha kishat e Dioqezave tona. Ato diktohen prej kujdesit atëror për mbrojtjen e popullit të Hyjit (krh. nenin 1742 të KDK).

Shkodër, prej Kuries Arqipeshkvore Metropolitane, më 14 shtator 2012, Festa e Lartësimit të Kryqit.

X Lucjan Avgustini X Angelo Massafra OFM X Ottavio Vitale RCJ
Ipeshkëv i Sapës Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult Ipeshkëv i Lezhës

Dom Robert Kola Atë Artan Seli SDS Atë Flavio Cavallini OFM
Kancelar Kancelar Kancelar









All the contents on this site are copyrighted ©.