Me 21 shtator kalendari kujton shën Mateun,Ungjilltar.
Me 21 shtator kalendari Kishtar përkujton Shën Mateun, Apostull e Ungjilltar. Mateu,
në Ungjillin e tij, flet vetë për thirrjen që Jezusi i bëri: “Jezusi, si shkoi prej
andej, pa një njeri që quhej Maté, ndenjur në doganë e i tha: “Eja mbas meje!”. Ai
u ngrit e shkoi pas Tij” (Mt 9,9.) Shën Marku shton hollësinë se babai i të thirrurit
quhej Alfeo, ndërsa Shën Luka rrëfen se pasi la gjithçka për të ndjekur pas Jezusin,
Mateu shtroi një gosti të madhe, në të cilën morën pjesë shumë publikanë, duke ngjallur
kështu polemika të ashpra nga ana e farisenjve, të cilët u mrekulluan kur panë se
Jezusi hante me mëkatarët. Të dy ungjilltarët e quajnë Mateun edhe Levi, ashtu si
Simoni quhet edhe Pjetër e Sauli- Pal. Emri i parë është Levi – i dyti, Maté, përdoret
pas thirrjes nga Jezusi. Pas Rrëshajëve Mateu shkroi Ungjillin në gjuhën aramaike
për të krishterët e kthyer prej hebrenjve, për t’ua plotësuar mungesën e tij, kur
u nis për të predikuar Krishtin në vise të tjera. I shkruar në gjuhën aramaike që
e kuptonin pak njerëz, Ungjilli i Mateut u bë libër për të gjithë, pasi më vonë u
përkthye në gjuhën greke. Ndër katër Ungjijtë, ky i Mateut është më i ploti dhe më
mirë i sistemuar. Ungjilli i Mateut është i përqendruar në Personin e Jezu Krishtit:
Ai është Krishti - Mesia. Pra dëshmon, mbi të gjitha, se Jezusi është Mesia që realizon
premtimet e Besëlidhjes së Vjetër dhe përmban pesë kumtime të rëndësishme të Krishtit
mbi Mbretërinë e Hyjit. Mateu ishte nga Kafarnao, qendër e rëndësishme, ku kalonin
masa tregtarësh, nga të cilët mblidhte taksat. E pikërisht ky njeri, kaq i lidhur
me botën e parasë, në Ungjillin e tij do të shkruante fjalët e Jezusit: “Lum të varfërit!”;
“Kur jep lëmoshë, të mos e dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë
e fshehtë” dhe “Mos grumbulloni thesare mbi tokë… nuk mund t’i shërbehet njëkohësisht
edhe Zotit edhe pasurisë… Kërkoni më parë mbretërinë e Zotit, e gjithçka tjetër ka
për t’ju dhënë si shtesë”. Ky është mesazhi që na sjell sot Shën Mateu, Apostull
e Ungjilltar, një nga hebrenjtë që u bënë dëshmitarët e ngjalljes së Krishtit dhe
i kumtuan botës se Jezusi i Nazaretit është Mesia i premtuar nga Shkrimet e Shenjta.
Ka shumë mundësi që të ketë vdekur nga vdekje natyrore, ndonëse burime pak të
besueshme flasin për martirizimin e tij.