2012-09-21 14:54:07

Ipeshkvijtë e Shkodrës, Sapës e Lezhës besimtarëve: po jetës e jo vrasjes


Situata e rëndë shoqërore shkaktuar nga vrasjet e gjakmarrjet, që gjatë periudhës së fundit ka dhënë shenja të një zgjerimi të pakuptimtë, ka nxitur ipeshkvijtë katolikë të kryedioqezës së Shkodër-Pultit, të Sapës e të Lezhës, që të marrin një vendim të skajshëm disiplinor kanonik kishtar: dekretimin e përjashtimit nga Kisha të atyre besimtarëve që përlyhen me vrasje e gjakmarrje. Ipeshkvijtë e dioqezave të përmendura shqiptare, përmes një letre shoqërues të dekretit ndëshkues kanonik kishtar të datës 14 shtator, u bënë thirrje të gjithë besimtarëve katolikë e qytetarëve, t’i ndalin vrasjet dhe të distancohen nga të gjithë ata persona që përfshihen në këtë fenomen negativ, që mjerisht është i pranishëm në një pjesë mirë të shoqërisë shqiptare, posaçërisht në veri të Vendit.
Gjatë konference për shtyp në mjediset e sallës "Kardinal Mikel Koliqi" në Shkodër, imzot Angelo Masafra, kryeipeshkëv i Shkodër-Pultit dhe imzot Luçjan Avgustini, ipeshkëv i Sapës, në emër të Këshillit Arqipeshkëvnor, përcollën përpara mediave të shumta, lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, mesazhin e tyre dhe dekretin, nënshkruar zyrtarisht më datën 14 shtator, në festën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë, i cili hyri në fuqi më datën 16 shtator, pasi shpalljes publike në të gjitha Kisha katolike të dioqezave të Shkodër-Pultit, Sapës e Lezhës.
"Vrasjet e shumta që vazhdojnë të ndodhin në territorin e Dioqezave tona dhe jo vetëm aty, shumë prej të cilave për gjakmarrje, vënë në dukje se ka persona që nuk e zbatojnë urdhrin e Hyjit: "Mos vra", madje e shkelin atë haptazi, megjithëse e quajnë veten "katolikë të mirë". Disa vrasin nganjëherë pa asnjë ngurrim ose hakmerren në mënyrë të përgjakshme e barbare. Ata shpesh vetëarsyetohen, duke u mbështetur në një traditë shekullore, e pohojnë se gjoja po zbatojnë Kanunin. Kështu, ata dëshmojnë se i japin më shumë rëndësi traditës së njerëzve se sa ligjit të Hyjit", shkruhet në dekret.
"Kushdo që bën një vrasje ose bashkëpunon që ajo të bëhet ose ndihmon në mënyrë të qëllimshme që ajo të ndodhë, në bazë të nenit 1331 te Kodit të së Drejtës Kanonike ndëshkohet me shkishërim (do të thotë ekskomunikim). Prandaj, në bazë të këtij neni, i shkishëruari nuk mund të marrë pjesë në kremtimet e shenjta të Kishës, nuk mund të marrë Sakramentet (rrëfimin, kungimin, krezmimin, kurorën e shenjtë, urdhrin e shenjtë), nuk mund të marrë sakramendoret, si bekimin e shtëpive, funeralin dhe varrimin e krishterë në varreza katolike", thuhet ne dekret.
Prelatët e dioqezës së Shkodrës, të Sapës e të Lezhës u bënë thirrje edhe organeve gjyqësore të Shtetit, duke kërkuar rreptësinë më të madhe dhe asnjë zbritje dënimi apo lehtësim për vrasjet dhe në veçanti për vrasjet "për gjakmarrje".
Po si e pse u arrit deri te ky akt i skajshëm disiplinor kanonik Kishtar, cili është qëllimi dhe cilat rezultate shpresohet të arrihen përmes këtij ndëshkimi, të dëgjojmë ipeshkvin e Sapës imzot Lucjan Avgustinin....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.