2012-09-21 15:48:43

Benedikti XVI ipeshkvijve francezë: mbrojtja e familjes nuk është veprim i prapambetur, por profetik


Kisha është e thirrur ta mbrojë familjen e martesën nga çdo lloj manipulimi të së vërtetës, që u takon: kështu u tha sot Papa, grupit të ipeshkvijve francezë, të cilët i priti në Kastel Gandolfo, me rastin e vizitës së tyre “ad Limina” në Vatikan. Benedikti XVI u ndal edhe në rolin e laikëve në Kishë e në rreziqet e ‘burokratizimit’ të skajshëm të baritorisë në dioqeza:RealAudioMP3
“Të mbrosh jetën e familjen në shoqëri nuk është aspak veprim i prapambetur, por profetik, sepse kjo ndihmon të promovohen ato vlera, që mundësojnë zhvillimin e plotë të njeriut, krijuar në përngjasim e shembëlltyrë me Zotin”.
E më pas, duke cituar Nxitjen Apostolike pas-sinodale “Sacramentum Caritatis”, Ati i Shenjtë theksoi:
“Të mirat, që Kisha dhe krejt shoqëria presin nga martesa e nga familja e themeluar mbi të, janë tepër të mëdha, për të mos u impenjuar me fund në këtë fushë të veçantë baritore. Martesa dhe familja janë institucione, që duhen promovuar e mbrojtur nga çdo mëdyshje mbi të vërtetën e tyre, sepse çdo dëm, që u bëhet atyre është në fakt, plagë që i hapet bashkëjetesës njerëzore”.
Benedikti XVI foli për jetën e bashkësive të krishtera, duke vënë në dukje se zgjidhja e problemeve baritore dioqezane nuk mund të kufzohet vetëm në çështjet organizative:
“Ka rrezik, që të vihet theksi vetëm në kërkimin e efikasitetit, me një lloj ‘burokratizimi të baritorisë’, që përqendrohet tek strukturat, tek organizimi e tek programet, të cilat mund të përdoren si të ishin pronë ekskluzive e anëtarëve të këtyre strukturave”.
Kjo, vazhdoi Papa, ndikon pak, sidomos në jetën e të krishterëve, që nuk shkojnë rregullisht në kishë. Por, ungjillëzimi kërkon takimin me Zotin, dialogun e rrënjosur në lutje. E këtu, bëhet i rëndësishëm roli i laikëve:
“Është e nevojshme të vigjëlohet për respektimin e ndryshimeve ndërmjet meshtarisë së përbashkët të të gjithë besimtarëve dhe meshtarisë së të shuguruarve. Ndryshimi nuk është në grada, apo nivele, por në natyrë… Është e rëndësishme që bashkëpunimi ndërmjet laikëve dhe meshtarëve të realizohet në kuadrin e bashkimit kishtar përreth ipeshkvit, që është garanti i tij”.
Në fund, Benedikti XVI përmendi udhëtimin e tij apostolik në Francë, në vitin 2008, gjatë të cilit nënvizoi se rrënjët e krishtera të vendit janë baza, mbi të cilën duhen mbështetur përpjekjet për ungjillëzimin e ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.