2012-09-19 16:04:38

Oborri i jo besimtarëve në Stokholm. Kardinali Ravazi: të thyesh në publik heshtjen për Zotin, kjo qe risia


Të flasësh për Zotin publikisht, në një shoqëri, në të cilën feja konsiderohet një çështje ngushtësisht private, është sukses. Kështu shprehet në intervistën me Radio Vatikanin, kryetari i Këshillit Papnor të Kulturës, kardinali Xhanfranko Ravazi, pasi “Oborri i jo besimtarëve” zhvilloi veprimtarinë e vet në Stokholm, kryeqytet i Suedisë. Kujtojmë se ky “Oborr” ka qenë i pranishëm për tri ditë edhe në Shqipëri, në nëntor të vitit të kaluar. Por të dëgjojmë kardinalin Ravazi:RealAudioMP3
U ndodha në një ambient, jo vetëm krejtësisht të ndryshëm nga pikpamja fetare, në krahasim me atë katolik, pasi është ambient luteran, por edhe në një ambient laik, që është krenar për këtë, ambient i shekullarizuar, ku të flasësh haptas për fenë nuk bën pjesë në komunikimin normal, por vetëm në sferën private të njerëzve e të Kishës. Kisha “frikë e dridhesha”, siç thotë filozofi e teologu danez Kierkegaard, por u çlirova krejtësisht për dy arsye: së pari, u prita shumë mirë nga jo besimtarët dhe, së dyti, vetë bashkësia luterane mori pjesë intensivisht në takime. Elementi mbizotërues në këtë shoqëri, është pa dyshim shekullarizimi. Por, elementi më mbresëlënës për vetë suedezët, duke pasur parasysh edhe komentet në mjetet e komunikimit, qe fakti se ambiente krejtësisht laike si Akademia e Shkencave dhe deri në një farë mase, edhe të rinjtë e Fryshuset, u përfshinë krejtësisht në një diskutim fetar. Sipas kulturës mbizotëruese, këto diskutime nuk duhet të bëhen në publik, sepse nuk mund të pranohet të flitet për fenë publikisht. Ndokujt mund t’i mbetet hatri! Por, pasi folëm qartë ne, katolikët, edhe personalitete të rëndësishme të kulturës suedeze deklaruan fenë e tyre, ose braktisjen e saj, ose mohimin e çdo lloj përmaseje fetare, duke u ekspozuar kështu publikisht, edhe para kolegëve. Edhe për mua kjo qe surprizë. Siç më thanë në Suedi, nuk e kishin menduar kurrë se heshtjen për temat fetare, do ta thyente pikërisht një kardinal katolik.







All the contents on this site are copyrighted ©.