Më 19 shtator kalendari përkujton shën Gjenarin, ipeshkëv
Ndërmjet shenjtorëve të lashtësisë, Shën Gjenari është nga më të nderuarit prej besimtarëve,
e kryesisht prej napoletanëve. Kulti i Shenjtit, që arriti deri në ditët tona i shoqëruar
nga mrekullia misterioze e shkrirjes së gjakut, është i përhapur kryesisht në krahinën
italiane të Kampanies e në të gjithë Italinë Jugore. Emri Gjenar vjen nga latinishtja
‘Ianuarius’, që rrjedh nga ‘Ianus’, hyjnia e lashtë, që ruante çelësat e qiellit,
fillimet e vitit e kalimin e portave të shtëpive. Gjenar, pra, do të thotë ‘i kushtuar
hyjit Ianus’. Shtatë janë “aktet” që flasin për martirizmin e Gjenarit. Ndër to,
vendin e parë e zënë “Aktet bolonjeze” dhe “Aktet vatikanase”. Nga këto dokumente
mësojmë se Gjenari mund të ketë lindur në Napoli aty nga gjysma e shekullit III e
se qe ipeshkëv i Beneventit, ku zhvilloi apostullimin e tij, i dashur dhe i nderuar
nga e gjithë bashkësia e krishterë, madje edhe nga paganët, për shkak të kulturës
së tij të thellë e të gjithanshme si dhe për bamirësinë, pa kurrfarë dallimi. Ishte
periudha e parë e perandorisë së Dioklecianit (243-313), kur nuk kishte nisur ende
martirizimi e prandaj të krishterët gëzonin lirinë e kultit. Por kur ipeshkvi bamirës
u plak, shpërtheu persekutimi. Burgjet nisën të mbusheshin me të krishterë, që shumë
shpejt u dukën edhe në arenat e cirqeve. Ipeshkvi u kap në sa vizitonte e u jepte
zemër besimtarëve të tij ndër pranga, në prag të martirizimit. Deshën të organizonin
me të një shfaqje cirku, duke e vënë përballë arinjve të uritur. Por duke pasur frikë
nga revolta e mundshme e popullit, që e nderonte, ndërruan mendim dhe vendosën t’i
presin kokën. U martirizua në Pocuoli pranë Napolit, qytet ku nderohet në mënyrë
të veçantë e ku ruhen reliket e tij. Një grua me emrin Euzebia, siç ishte zakon në
këto kohë të errëta për të krishterët, ia doli mbanë ta mblidhte një pjesë të gjakut
të ipeshkvit martir në dy lotore e ta ruante me nderim të madh. Është ky gjak
që çdo vit, në të kremten e Shenjtit, shkrihet, duke i prekur thellë ndjenjat fetare
të besimtarëve napoletanë e, në përgjithësi të të gjithë besimtarëve, që shikojnë
në këtë shkrirje, një mrekulli të përvitshme të Shën Gjenarit.