2012-09-19 17:32:38

Franca blindohet, për shkak të karikaturave të Muhametit


Në ditën e daljes të së përjavshmes satirike “Charlie Hebdo”, me karikaturat e profetit Muhamet, Franca blindohet. Ministri i Jashtëm, Laurent Fabius ka dhënë urdhër të mbyllen ambasadat dhe shkollat franceze në 20 vende të botës, ku mund të ketë protesta të myslimanëve. Në Tunizi, shkollat franceze do të mbahen mbyllur deri të hënën.
Gjithashtu, qeveria franceze ka njoftuar se do të ndalojë çdo lloj manifestimi kundër filmit amerikan mbi Muhametin. Një protestë e tillë duhej të zhvillohej të shtunën në Paris. “Nuk ka asnjë arsye të lejojmë hyrjen në vendin tonë të konflikteve, që s’kanë të bëjnë aspak me Francën”, shpjegoi kryeministri Jean-Marc Ayrault. Ai kujtoi se Franca është “vend, ku garantohet liria e shprehjes, përfshirë atë përmes karikaturave”. “Nëse ka njerëz, që e ndjejnë veten të fyer dhe mendojnë se nuk është respektuar ligji, ne jemi një shtet në të cilin ligji respektohet, prandaj t’i drejtohen gjykatës”, shtoi.
Ndërkaq, numri i revistës me karikaturat është shitur menjëherë. Në faqen e parë, duket një hebre ortodoks, që shtyn karrocën e një njeriu me çallmë, mbi të cilën shkruhet “Të paprekshmit 2”. Në faqen e fundit, nga ana tjetër e revistës, shihet Muhameti, që i tregon të ndenjurat një regjizori. Brenda revistës, shumë karikatura frymëzohen nga filmi blasfem mbi profetin Muhamet, prodhuar në SHBA-të.
Edhe gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano” kritikon publikimin e karikaturave, në një artikull me titullin e qartë “Benzinë mbi zjarr”. “Ndërsa bëhen përpjekje të lodhshme për të ulur tensionin në botën islamike për filmin “Pafajësia e Myslimanëve”(Innocence of Muslims) – shkruhet në gazetën vatikanase – ka rrezik të hapet një front i ri proteste, pasi e përjavshmja franceze ‘Charlie Hebdo’ publikoi sot disa karikatura për Muhametin”. Gazeta e quan këtë një “nismë të diskutueshme, e cila i hedh benzinë zjarrit, pas sulmit të konsullatës amerikane në Bengazi, në të cilin vdiq ambasadori Chris Stevens e tri funksionarë të tjerë, pas manifestimeve të përgjakshme të protestës në vende të ndryshme e pas kërcënimeve terroriste të Al Kaidës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.