2012-09-18 12:17:48

Patriku maronit Raji: udhëtimi i Papës në Liban, ngjarje historike e providenciale


Komente pozitive në të gjithë Lindjen e Mesme, pas përfundimit të udhëtimit të Papës në Liban, ku Benedikti XVI qëndroi nga e premtja deri të dielën e kaluar. Ati i Shenjtë u dorëzoi ipeshkvijve Nxitjen Apostolike pas-sinodale “Kisha në Lindjen e Mesme”. Pikërisht, Patriku maronit Bekara Butros Raji thekson në mikrofonin tonë, rëndësinë e kësaj vizite:
Unë personalisht, së bashku me gjithë libanezët, falenderoj Zotin për këtë ngjarje historike, por edhe providenciale. Libanezët, ashtu si të krishterët e Lindjes së Mesme, ndjeheshin si para një humnere: po e humbisnin shpresën e fillonin të harronin se duhet të luajnë një rol të caktuar në këto troje. Vizita e Papës, fjalët që tha, Nxitja Apostolike, kremtimet, bënë të rilindë në libanezët, myslimanë e të krishterë, ai bashkim jete, që është vlera e këtij vendi, është mesazhi, që pritet nga Libani e nga misioni i tij në Lindjen e Mesme, sepse Libani dallohet nga vendet e tjera. Njerëzit e kuptuan këtë vlerë. Të gjithë ne, të krishterët e Lindjes së Mesme, dëgjuam komentet për këtë udhëtim dhe morëm guxim: njerëzit e kuptuan se të krishterët nuk janë pakicë këtu, por janë prania e Kishës, e Kishës universale. Prandaj, duam ta falenderojmë Zotin, që na dërgoi këtë ngjarje historike e hyjnore, përmes Papës, përmes asaj që tha e që bëri. Të gjitha ceremonitë, të gjitha takimet, ishin në favor të krejt Libanit, të krishterë e myslimanë. Gjëja më e bukur, që mund të kujtoj, është kur Papa, duke u ndarë me libanezët, në aeroport, tha: “Ngrohtësia e zemrës suaj më zgjuan dëshirën për t’u kthyer”. Ky është një mesazh i bukur e një dëshmi e pëlqyeshme e Atit të Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.