2012-09-18 16:03:14

Papa Kishës kolumbiane: të ungjillëzohen popujt indigjenë


Benedikti XVI kërkon kujdes më të madh në ungjillëzimin e popujve indigjenë në Kolumbi. Vullneti i Papës u bë publik me anë të letrës “Statusi i popujve indigjenë në Kolumbi”, e cila u është dërguar meshtarëve dhe besimtarëve katolikë. Ipeshkvijtë lokalë shpjeguan se Ati i Shenjtë i fton t’i shohin popujt indigjenë si subjekte të ungjillëzimit, që duhen shoqëruar në udhën e njohjes së Krishtit. Papa tërheq vëmendjen për metodat e kriteret, me të cilat të krishterët u afrohen këtyre popujve dhe kërkon rishikimin e tyre. Duhet kuptuar si të arrijmë, përmes Ungjillit, në botëkuptimin kozmologjik e në traditën e indigjenëve, shkruan Benedikti XVI.
Pikërisht pardje, përfundoi në Vatikan, vizita “ad Limina” e një grupi prelatësh kolumbianë, e cila pati filluar më 1 shtator. Edhe ajo kontribuon në gjallërimin e impenjimit të Kishës në Kolumbi për pajtimin e vendit, pas luftës së përgjakshme civile. Folëm me kryeipeshkvin e Kalisë, imzot Dario de Jesus Monsalve Mejia:
Ati i Shenjtë na nxiti të realizojmë programin e Konferencës Ipeshkvnore Kolumbiane, pika thelbësore e të cilit është pa dyshim, formimi i bashkësive të vogla, si ato që në Aparesida të Brazilit, Papa i quajti “Bashkësitë e dishepujve misionarë”. Ky pra, do të jetë realiteti më i rëndësishëm: pasi takohet për herë të parë Jezusi, hyhet në procesin e kthimit të zemrës e kështu, formohen bashkësi besimtarësh, me të cilat merret veprimtaria baritore-misionare e Kishës. Projekti i Kishës kolumbiane bazohet kryesisht mbi familjen, siç na këshilloi Papa. Familja, bashkësia dhe shoqëria duhet të jenë gjithnjë në plan të parë për Kishën dhe objektiv kryesor i të gjitha planeve baritore. Ne kemi probleme të mëdha, pasi njerëzit shpesh jetojnë sikur Zoti të mos ekzistonte, ose besojnë në një Zot, që u përgjigjet vetëm interesave të tyre personale. Rezultati më shqetësues i këtij botëkuptimi është trafiku i drogës e dhuna, madje, edhe me pranimin e vrasjeve e të masakrave.







All the contents on this site are copyrighted ©.