Diqeza e Sapës: don Genc Tuku të falënderojmë për atë që ishe e që na dhurove!
Don Genc të falënderojmë për atë që ishe e për atë që na dhurove. Zoti i jetës të
pranoftë në krahët e Atit të mëshirshëm e të dhuroftë frytet e punës tënde: lumturinë,
paqen dhe jetën e amshuar. Kështu, Kisha dioqezane e Sapës u nda sot nga prifti i
ri dom Genc Tuku, që ndërroi jetë papritmas të dielën e kaluar, nga një goditje në
zemër. Mesha e Salikimit u kremtua në ora 10.00 në vendlindjen e të ndjerit në Troshan,
e më pas familjarë, ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, autoritete civile e një numër
i madh besimtarësh e përcollën për në banesën e fundit në varrezat e fshatit Troshan,
ku i dhanë lumturinë don Gencit, të bindur në shpresën e ringjalljes së kumtuar e
të premtuar nga Mësuesi Hyjnor, Jezu Krishti. Ndarja nga jeta e dom Genc Tukut ka
pikëlluar familjen e tij, ipeshkvin dhe klerin e Sapës, besimtarë e ata që e kanë
njohur dhe dashur këtë shërbëtor të Zotit. Më tepër mbi ceremoninë e përmotshme
kremtuar në Troshan për shpirt e në përkujtim të don Genc Tukut, të ndjekim shërbimin
e Violeta Marashit...Violeta Marashi:
I JEPET LAMTUMIRA E FUNDIT DOM GENC TUKUTPas dy dite homazhesh sot më 18 shtator
iu dha lamtumira e fundit meshtarit dioqezan dom Genc Tukut, i cili ndërroi jetë të
dielen e 16 shtatorit 2012. Në orën 9.00 trupi i pajetë i dom Genc Tukut u nis në
proçesion nga shtëpia ku u lind dhe u rrit drejt Kishës famullitare. Të bashkuar në
Kishën “Lindja e Zojës në vendlindjen e tij Troshan, qindra besimtarë bashkë me familjarët
e tij përjetuan me dhimbje dhe lot ndarjen nga jeta të dom Gencit. Nderuan dhe ngushëlluan
e gjithë hierarkia e Kishës Katolike në Shqipëri me në krye Përfaqësuesin e Atit të
Shenjtë, Nuncin Apotolik, Ramiro Moliner Igles bashkë me ipeshkvijtë e Shqipërisë,
dhe trevave shqiptare. Rreth 85 meshtarë bashkëkremtuan me barinjtë e tyre liturgjinë
e dritës, kryesuar nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Angelo Massafra.
Në fillim të meshës, Ipeshkvi i Sapës falënderoi të gjithë të pranishmit që bashkëndanë
këto momente të dhimbshme me bariun e Kishës Dioqezane të Sapës dhe me familjen e
dom Gencit. Fjalën e rastit e mbajti ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji i cili
e çmoi shumë figurën e dom Gencit dhe gjithë shërbimin e tij gjatë 10 viteve si meshtar
i denjë, i zellshëm dhe punëtor, e mbi të gjitha si besnik i Krishtit. Gjatë liturgjisë
së dritës u mbajtën të gjitha ritet përkatëse të salikimit dhe më pas, mes lutjeve,
lotëve dhe pikëllimit trupi i pajetë i dom Gencit u nis drejt banesës së fundit, tek
varrezat e fshatit të tij ku do të prehet në Paqe. Me të mbërritur tek varrezat, imzot
Lucjan Avgustini bëri dhe bekimin e varrit e të trupit të të ndjerit. Pas këtij momenti
të gjithë me nga një grusht dhe e mbuluan trupin e dom Gencit, duke ia besuar Zojës
së Bekuar që ta ruajë si një bir të sajin dhe ta paraqesë e t’ia dorëzojë birit tjetër,
Jezusit; kurse familjes, Zoti u dhashtë forcën dhe guximin, shpresën dhe sigurinë,
që t’i qëndrojmë gjithmonë besnikë Fjalës së tij. Pushofsh në Paqe me Krishtin
dom Genc Tuku! Curriculum vitae i dom Genc Tukut Dom
Genc Tuku ishte ndër meshtarët e parë shqiptarë pas komunizmit. Me lirinë fetare dhe
kontaktet që kishte me Mons. Nikollë Troshanin dhe fretërit që shërbenin në famulli,
i lindi dëshira për t’u bërë meshtarë, dhe ndoqi studimet në seminarin e Shkodrës.Me
14 Shtator 2001 mori Diakonatin në Kishën “Lindja e Zojës” në Troshan. U shugurua
meshtar me 29 qershor 2002 në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, ndërsa Meshën
e Parë e kremtoi me datën 1 korrik 2001 në vendlindjen e tij në Troshan. Pas shugurimit
u emërua si famullitar në famullinë Lindja e Zojës në Dejë. Shërbeu në shumë famulli
të tjera si në famullinë “Shën Gjon Bosko” në Shelqet; në famullinë Shna Prendja në
Grash; në famullinë “Zoja Rruzare” në Gjegjan e në shumë zona të tjera. Dom Genc Tuku
ishte Përgjegjës për thirrjet në dioqezë dhe për Rininë Dioqezane. Ishte përgjegjës
i Asistentëve Pastoralë për 8 vjet. Gjithashtu prej më se 6 viteve udhëhoqi edhe Shoqatën
Kombëtare “Kolping” me qendër në Tiranë dhe Shkodër. E gjithë veprimtaria e tij prej
Meshtarit la gjurmë të frytshme në Kishën Shqiptare, posaçërisht në Dioqezën e Sapës.Violeta
Marashi