2012-09-17 14:20:21

Më 29 shtator fillon procesi për daljen e paligjshme të dokumenteve nga Vatikani


Presidenti i Gjykatës së Qytet-Shtetit të Vatikanit, prof. Giuseppe Dalla Torre, shpalli sot dekretin, që cakton datën 29 shtator, ora 9.30, për audiencën e parë të procesit ndaj të pandehurve Paolo Gabriele e Claudio Sciarpelletti, të hedhur në gjyq me vendimin e Gjykatësit Hetimor të 13 gushtit të kaluar, pas hetimeve mbi çështjen e daljes së dokumenteve të rezervuara nga apartamenti i Benediktit XVI e nga Vatikani. Kështu njofton Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.
Audienca do të zhvillohet në Sallën e audiencave të Gjykatës së Shtetit të Vatikanit. Dekreti u është transmetuar të interesuarve. Paolo Gabriele, ish-kujdestar i dhomës së Benediktit XVI, akuzohet për vjedhje të rëndë, ndërsa Claudio Sciarpelletti, teknik informatik i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit akuzohet për ndihmë e mbështetje.
Siç duhet, mazhordomi i Papës, Paolo Gabrieli, u arrestua më 23 majin e kaluar, pasi në shtëpinë e tij u gjetën shumë dokumente të rezervuara që ishin nxjerr nga banesa Papnore. Për këtë u hodh në gjyq, ku pranoi vjedhjen e dokumenteve.







All the contents on this site are copyrighted ©.