2012-09-17 15:37:28

Imzot Avgustini: Dom Genc Tuku, dëshmi e një jete me Zotin


Në orët e para të ditës së diele të datës 16 shtator 2012, kaloi në amshim meshtari i dioqezës së Sapës, dom Genc Tuku, 37 vjeç. Sot me 17 shtator, në Kishën e bashkësisë famullitare të ‘Lindjes së Zojës, në Dejë, ku shërbeu si prift, në ora 15.00 u kremtua Mesha e dritës për don Genc Tukun. Meshën e kryesoi ipeshkvi i Sapës imzot Lucjan Avgustini në bashkëkremtim me shumë priftërinj, e para një numri jashtëzakonisht të madh të besimtarëve e të njerëzve që e kanë njohur, respektuar e dashur don Gencin, të cilit i thanë lamtumirë si famullitar. Më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit............RealAudioMP3
HOMAZHE PËR DOM GENCIN
Në orët e para të ditës së diele të datës 16 shtator 2012, kaloi në amshim meshtari i dioqezës së Sapës, dom Genc Tuku, 37 vjeç. Ndërsa po afrohej orari i kremtimit të Meshës në orën 9.00 të së Dielës, në famullinë Lindja e Zojës, në Dejë dom Genc Tuku ndërroi jetë si pasojë e një ataku kardiak. Me të marrë lajmin e hidhur, ipeshkvi i Sapës, imzot Lucjan Avgustini, shkoi në vendngjarje dhe mori të gjitha masat e duhura për homazhet dhe shërbimin mortor. Ndarja nga jeta e dom Gencit ka pikëlluar mbarë zemrat e gjithë besimtarëve të dioqezës së Sapës, kryesisht të familjes së tij, klerit dioqezan dhe klerit shqiptar. Që nga dita e djeshme kanë vazhduar homazhet në Kishën ‘Lindja e Zojës në Dejë’. Si nga ana e besimtarëve ashtu edhe e meshtarëve dhe rregulltareve homazhet janë shoqëruar me lutje e uratë për shpirtin e tij, e në shumicën e pjesëmarrësve nuk munguan sytë plot me lot, dëshmi e shprehje pikëllimi dhe dhimbje të thellë për humbjen e këtij meshtarit të ri.
Ndërsa në orën 15.00, të pasdites së datës 17 shtator 2012, po në Kishën Lindja e Zojës në Dejë, është kremtuar Mesha e lamtumirës si famullitar, udhëhequr nga ipeshkvi i Sapës imzot Lucjan Avgustini. Menjëherë pas Meshës trupi i dom Genc Tukut u përcoll për në familje ku do të qëndrojë deri nesër më 18 shtator. E Mesha e Salikimit do të kremtohet të martën e 18 shtatorit, në orën 10.00 në vendlindjen e tij në Troshan, ndërsa do të prehet në banesën e fundit në varrezat e fshatit po në Troshan. Shpirti i tij u prehtë në Paqe me Krishtin! Violeta Marashi
E tani të dëgjojmë dëshminë e ipeshkvit të Sapës, imzot Lucjan Avgustini në mikrofonin e Radio Vatikanit............... RealAudioMP3
Në vijim po botojmë homelinë e rastit mbajtur nga ipeshkvi imzot Lucjan Avgustini gjatë Meshës së dritës.
Homelia me rastin e vdekjes së don Genc Tuku
Fort të dashur meshtar, rregulltar dhe rregulltare
Fort e dashura familje e Don Gencit
Fort të dashur besimtarë

Si njerëz të gjithë ne jemi në pikëllim, pse pushoi së rrahuri zemra e Dom Genc Tukut, meshtar i kësaj Dioqeze të Sapës, një prej meshtarëve të parë pas komunizmit.
Si ipeshkëv e bari i kësaj dioqeze, më ra pjesë edhe kjo peshë dhe më duhet ti them disa fjalë të ndarjes nga vëllai në meshtari dhe nga ati shpirtëror i juaji të dashur besimtarë të Dejës, Shelqetit Gjegjanit, Kalivarit dhe Gojanit ku së fundmi ka shërbyer Don Genci. Heshtja për mua kishte për të qenë në këtë moment një zgjedhje më e lehtë dhe më e dëshiruar.
Jo pse nuk dëshiroj të flas, por mjafton që të kujtoj se nga ky vend, prej të cilit po flas tani, sa e sa herë Don Genci i ka predikuar popullit, sa herë më ka përshëndetur kur kam ardhur për të kremtuar Meshën në këtë famulli kishtare e unë, duhet sot ti drejtoj fjalët e përshëndetjes e të lamtumirës, prej kësaj jete tokësore.
Por, edhe pse me dhimbje në zemër, më duhet të them diçka që ky moment i pikëllimit e i dhimbjes të shndërrohet në lutjeje, shqyrtimi, e mbi të gjitha në moment hiri dhe falënderimi të Madhit Zot, sepse me vdekje nuk është mbarimi por fillimi i jetës së amshuar.
Vdekja është vetëm ndarje e përkohshme, e ndërsa në njërën anë ajo na trishton e pikëllon, në anën tjetër na ngushëllon dhe forcon feja, pse, besimtarëve të tu o Zot jeta nuk u merret por u shndërrohet. Vdekja tokësore është kalim, është Pashkë – kalim, prej kësaj jete në jetën më të lumtur, ku nuk ka vajtim, as vuajtje, vdekja është kalim nga trupi jonë i vdekshëm në trupin e pavdekshëm. Shën Pali thotë se do të vishemi me pavdekësi. Kjo ndodhë kur jetojmë me Zotin. E Don Genci i jonë, të cilin po e përcjellim nga kjo jetë, diti të jetojë me Zotin. Jeta e tij me Zotin filloi herët.
Don Genci apo Gaspër, si e kishte emrin në pagëzim, lindi prej prindërve Dedë Gjokë Tuku dhe Marije Ndok Ndoka në Troshan. Si fëmijë, edhe pse feja ishte e ndaluar, e për këtë arsye në moshën 15 vjeçare e mori pagëzimin, ai kishte kontakte të vazhdueshme me imzot Nikollë Troshanin, ipeshkvin e vetëm që kishte mbetur gjallë nga persekutimi komunist, si bari i Kishës në Shqipëri, dhe kontakte me motër Gjyzepina Nikaj, motër rregulltare stigmatine. Aty, në këto takime e kontakte dom Genci filloi me e njohtë dhe me e dashtë më shumë Zotin. Për çka më vonë kjo dashuri u shpreh edhe konkretisht me ecjen e tij në rrugën e meshtarisë, e cila në vitin 2002 u kurorëzua me shugurimin e tij meshtarak.
Po, pikërisht kjo është ajo dëshmi e jetës me Zotin, për të cilën na dëshmon dom Genci jonë i dashur.
Edhe sot të shohim të shtrirë në këtë Kishë, ku shërbeve si meshtar, si famullitar, si bari shpirtëror i grigjës që prej Zotit të qe besuar. Edhe sot në sytë e besimtarëve shihen lotët, por janë lot të dhimbjes, të lamtumirës e të falënderimit drejtuar Madhit Zot. Sot ti qëndron në heshtje, nuk përgjigjesh me zë si dikur “Ego sum” – “Ja ku jam”, sepse përfundimist iu përgjigje Atit Qiellor në thirrjen e fundit që Ai ta drejtoi në këtë jetë tokësore.
Prandaj o Zot i Gjithëpushtetshëm e i Amshuar, nuk po të themi përse e more prej mesit tonë don Gencin e dashur, por të falënderojmë për këtë kohë që e le në praninë tonë, për shembullin dhe dëshminë të cilën ai na dha.
Ne e kemi për detyrë që ta ruajmë në zemrat tona dhe t’i vëmë në veprim në jetën tonë porositë dhe mësimet i tij, për të mirën e Kishës, të vendit e të popullit. Po don Genc, deri sa u shkrire plotësisht sikur një qiri, ti jetove me Zotin, punove për Kishën e për popullin. E tash pusho në paqe!
Shën Agostini thotë: “Jeta është krijuar për ta kërkuar Zotin, vdekja për ta pasur, amshimi për ta gëzuar”.
Gëzoje lumturinë e përgatitur nga Jezu Krishti për ata që i qëndrojnë besnik. Të presin aty edhe martirët e këtij populli!
Prandaj o Zot i Gjithëpushtetshëm dhe i Amshuar, nuk po të themi përse e more prej mesit tonë don Gencin, sepse besoj që duke i ditur nevojat që i kemi në vendin tonë për meshtarë, Ti do të kujdesesh që dikush prej të rinjve ta zëvendësojë don Gencin në meshtari, prandaj po të falënderojmë për këto 10 vite që e le në praninë tonë, për shembullin dhe dëshminë të cilën don Genci na e dha gjatë punës meshtarake, edukative e sociale, posaçërisht duke pasur parasysh këtu angazhimin shumëvjeçar në familjen Kolping, ku dëshmoi kujdesin për të varfrit dhe ata që vuajnë.
Lutu Zotit për dioqezën tënde të Sapës, për mua, për meshtarët e rregulltarët, për besimtarët e famullive kishtare ku ti shërbeve gjatë 10 viteve të meshtarisë. Lutu Zotit për prindërit e tu dhe familjen tënde. Lutu Zotit që të dimë ta jetojmë e dëshmojmë jetën dashurinë e Tij Hyjnore. Ndërsa neve na mbetet detyrë që ta kujtojmë e të ruajmë në zemrat tona shembullin, mësimet e porositë e besimit në Krishtin e Gjallë që na i ka dhënë don Genc.
Pushofsh në paqe! Amen!
Dejë, 17 shtator 2012







All the contents on this site are copyrighted ©.