Benedikti XVI, shën Robert Belarmini na mëson se nuk ka reformë në Kishë, pa reformën
vetjake e pa kthesën e zemrës.
Audiencën e përgjithshme të së mërkurës së 23 shkurtit 2001, mbajtur në Sallën e Palit
VI në Vatikan, Papa Benedikti XVI ia kushtoi një figure të madhe të krishterimit,
Shën Robert Belarminit, kardinal jezuit e dijetar i Kishës. Bari shpirtrash,
prijës i madh, e model i njeriut që lutet: këto, sipas Benediktit XVI, ishin tiparet
themelore të Shën Robert Belarminit i cili, me shkrimet e tij të teologjisë e të përshpirtërisë,
luajti një rol të dorës së parë në Kishën e pas Koncilit të Trentit, për t’iu përgjigjur
Reformës protestante, lindur nga kriza e thellë fetare: “Ai i shmanget toneve
polemike e agresive kundër ideve të Reformës, por, duke përdorur argumentet e arsyes
e të traditës së Kishës, e shpjegon qartë e me sukses doktrinën katolike”. Anëtar
i një numri të madh kongregatash, Kardinali jezuit, shën Robert Belarmini kreu edhe
detyra të rëndësishme diplomatike. E megjithatë, barra e rëndë e drejtimit të Kishës,
nuk e pengoi të ecte ditë për ditë në rrugën e shenjtërisë. E në sa ecte në këtë rrugë,
i kushtoi vëmendje të veçantë predikimit e katekizmit: “Predikimet dhe katekizmat
e tij kanë karakterin thelbësor, që ai e përvetësoi nga edukimi injacian. Synojnë
përqendrimin e të gjitha forcave të shpirtit tek Zoti Jezus, për ta njohur thellë,
për ta dashur, për t’i përngjarë”. Në shkrimet e tij – vijoi Papa Jozef Ratcinger
– thekson me forcë se mësimet e Zotit duhet të zënë vendin e parë në jetën e çdo njeriu.
Prej këndej, vend të parë duhet të ketë edhe lutja. E ai jo vetëm që e predikoi këtë,
por edhe e jetoi. U bë model i shkëlqyer i njeriut gjithnjë në lutje: një lutje, që
ushqehet me Fjalën e Zotit, që e dëgjon këtë Fjalë; model i njeriut, që nuk pyet për
interesat vetjake, por e lëshon me gëzim gjithë vetveten në dorë të Zotit: “Shenjë
dalluese e përshpirtërisë së Belarminit është perceptimi i gjallë personal i mirësisë
së pambaruar të Zotit. Prej këndej, Shenjti ynë ndjehej vërtet bir i dashur prej Tij.
E ishte burim i një gëzimi të madh çasti kur, me qetësi e thjeshtësi, gjunjëzohej
për t’u lutur e për të kundruar Zotin”. I formuar me përshpirtërinë injaciane
– shtoi Benedikti XVI – Belarmini na lë trashëgim, si normë të sigurt për të jetuar
mirë e, sidomos, për të bërë një vdekje të mirë, meditimin e shpeshtë e serioz mbi
çastin e fundit, çastin kur njeriu do të japë llogari para Zotit për të gjitha veprat
e veta. Nga i cili nuk mund të shpëtojë askush. Prej këndej, edhe porosinë të mos
përpiqemi për të mbledhur pasuri mbi këtë tokë, por të jetojmë thjeshtë, me zemrën
plot dashuri të krishterë, sepse vetëm kështu njeriu mund të grumbullojë pasuri për
qiell, ku hajduti nuk hyn dot e tenja nuk mund të brejë. Dijetari i Kishës i bën thirrje
të fuqishme klerit e besimtarëve për reformimin e jetës: “Belarmini na mëson
me qartësi të madhe e me shembullin e vetë jetës së tij se nuk mund të flitet për
reformë të vërtetë në Kishë, në se kësaj reforme nuk i paraprin reforma personale,
kthimi i zemrës sonë në rrugën e Zotit”. Ngjarjet e favorshme a të pafavorshme,
pasuritë a varfërinë – tha Papa duke i bërë jehonë njërit nga shkrimet e jezuitit
- njeriu i urtë nuk i kërkon e nuk i pranon duke pasur parasysh vetëm vetveten. Të
gjitha ngjarjet, të këndshme a të pakëndshme, që na pëlqejnë a na trondisin, janë
të mira e të dëshirueshme vetëm në se vihen në shërbim të lavdisë së Zotit: “Nuk
janë fjalë të dala nga moda, por për t’u medituar gjatë e për të orientuar rrugën
tonë mbi këtë tokë. Na kujtojnë se fundi i jetës sonë është Zoti, Hyji që u dëftua
në Jezu Krishtin, në të cilin vijon të na bëjë thirrje e të na premtojë bashkimin
me Të”. Këto fjalë - shtoi Benedikti XVI - na kujtojnë sa rëndësi ka t’ia besojmë
vetveten Zotit, të shkrijmë gjithë jetën në shërbim të Ungjillit, ta ndriçojmë me
fe e lutje çdo rrethanë e çdo veprim të jetës sonë, gjithnjë të prirur drejt bashkimit
me Të.