2012-09-16 15:22:02

Mesha e Papës në Bejrut: Zoti u dhashtë paqen Sirisë dhe Lindjes së Mesme. Të pranishëm, 350 mijë besimtarë


Në praninë e 350 mijë besimtarëve, ndër të cilët edhe Presidenti i Republikës, Mishel Sulejman, Papa u dorëzoi Nxitjen Apostolike pas-sinodale "Kisha në Lindjen e Mesme", Patrikëve dhe ipeshkvijve të rajonit, pasi ua kishte dhënë edhe autoriteteve, në takimet e ndryshme të djeshme. Mesha e paradites së sotme qe prekëse jo vetëm për këtë ngjarje të rëndësishme, por edhe për praninë e meshtarëve dhe të besimtarëve të vendeve si Siria, përgjakur nga dhuna e lufta. Pikërisht popujve të vuajtur të Lindjes së Mesme iu drejtua Benedikti XVI, i cili gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, bëri një thirrje të fuqishme për paqen. Zoti u dhashtë Libanit, Sirisë dhe Lindjes së Mesme “dhuratën e paqes së zemrave, uljen e heshtjen e armëve dhe ndalimin e çdo dhune”, e ngriti zërin Ati i Shenjtë para lumit të njerëzve, mbledhur në City Center Waterfront të Bejrutit, që s’është tjetër, veçse zona portuale e qytetit:RealAudioMP3
“I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare! U bëj thirrje vendeve arabe që, si vëllezër, të propozojnë zgjidhje të pranueshme, të cilat të respektojnë dinjitetin e çdo njeriu, të drejtat dhe fenë e tij!”
Pritja që iu bë fjalëve të Papës ishte emocionuese. Një det me flamuj të Vatikanit e të Libanit, valëviteshin para elterit, që kishte për sfond një kedër gjigant, simbol i vendit. Pranë elterit, ullinj, simbole të paqes. “Ju – u tha Papa libanezëve në Lutjen e Engjëllit të Tënzot – e njihni mirë tragjedinë e konflikteve e të dhunës, që sjell sa e sa vuajtje”. Fatkeqësisht, shtoi Benedikti XVI, “kërcëllimi i armëve vazhdon të dëgjohet, ashtu si britma e vejushave dhe e jetimëve!”:
“Kush dëshiron të ndërtojë paqen, nuk duhet të shohë tek tjetri një të keqe, që duhet eliminuar. Nuk është e lehtë të shohësh tek tjetri një person për t’u respektuar e dashur, por kjo duhet bërë, nëse dëshirojmë të ndërtojmë paqen, nëse duam vëllazërim… pavarësisht nga origjina e bindja fetare”.
Para Lutjes së Engjëllit të Tënzot, siç e thamë, Papa kremtoi Meshën për dorëzimin e Nxitjes Apostolike “Kisha në Lindjen e Mesme”, së bashku me Patrikët e ipeshkvijtë e rajonit. Meshë në latinisht, e pasuruar me këngë të riteve të ndryshme lindore e me lexime në arabisht, greqisht e armenisht. Në homeli, Benedikti XVI nënvizoi se vetëm ata, që pranojnë ta ndjekin Jezusin në udhën e Tij, pranojnë të jetojnë në bashkim me Të në grupin e dishepujve, mund të jenë vërtet të vetëdijshëm për historinë dhe ngjarjet e saj. Krishti u tha dishepujve se do të vuante e do të vdiste, për t’u dhënë atyre të kuptojnë se Ai është Mesia i vuajtur, Mesia shërbëtor e jo ndonjë çlirimtar politik i gjithpushtetshëm:
“Të ndjekësh Jezusin në udhën e Vet, do të thotë të marrësh kryqin tënd për ta shoqëruar në këtë rrugë. Një udhë jo e lehtë, që nuk është ajo e pushtetit, ose e lavdisë tokësore, por ajo që domosdoshmërisht, çon drejt vetëmohimit, drejt humbjes së jetës për Krishtin dhe Ungjillin, me qëllim shpëtimin e saj”.
Vendimi për ta ndjekur Jezusin, vazhdoi Papa, kërkon një intimitet gjithnjë e më të madh me Të, duke ia dëgjuar Fjalën, nga e cila marrim frymëzim. Pikërisht në këtë vazhdë, Benedikti XVI përmendi Vitin e Fesë, që do të fillojë më 11 tetor, një nismë, tha Ati i Shenjtë, për t’u thelluar në fe, për ta bërë atë më të vetëdijshme e për të forcuar bashkimin tonë me Krishtin e me Ungjillin:
“Thirrja e Kishës dhe e të krishterit është të shërbejë, ashtu siç ka bërë vetë Zoti, falas për të gjithë, pa dallim… Çfarëdolloj detyre në Kishë është, para së gjithash, shërbim për Zotin e për vëllezërit”.
Kjo frymë, vazhdoi Ati i Shenjtë, duhet të karakterizojë të gjithë të pagëzuarit, sidomos në ndihmën që ata u japin më të varfërve, më të braktisurve, më të vuajturve. Kështu, theksoi akoma Papa, t’i shërbesh drejtësisë e paqes në një botë të dhunshme është jo vetëm urgjente, por e domosdoshme për ndërtimin e një shoqërie vëllazërore. E në fund tha:
“Të dashur vëllezër e motra, i lutem veçanërisht Zotit që t’i japë këtij rajoni të Lindjes së Mesme shërbëtorë të paqes e të pajtimit, që të gjithë të mund të jetojnë paqësisht e me dinjitet”.
Kjo është edhe dëshmia, që duhet të japin të krishterët e këtyre trojeve, duke bashkëpunuar për paqen me të gjithë njerëzit vullnetmirë. Pastaj, Papa dorëzoi Nxitjen Apostolike pas-sinodale, me këto fjalë:
“Të dashur vëllezër e motra të Libanit e të Lindjes së Mesme! Uroj, që kjo Nxitje të jetë udhërrëfyese për të ecur përpara në rrugët shumëformëshe e të ndërlikuara, ku ju paraprin Krishti. U përforcoftë feja, shpresa e dashuria në vendet tuaja e në çdo bashkësi për ta bërë kështu, të besueshme dëshminë tuaj për Hyjin, i cili u bë i afërt me çdo njeri!”
E më pas shtoi:
“E dashur Kishë e Lindjes së Mesme, merr jetë nga limfa e veçantë e Shëlbimit, që u realizua në këtë Tokë unike e të dashur mbi të tjerat! Ec përpara në gjurmët e etërve të fesë, që me këmbënguljen dhe besnikërinë e tyre, i hapën rrugën përgjigjes së njerëzimit për Zbulesën e Hyjit!”
Homelinë e meshës, Papa e përfundoi me urimin që Ungjilli të vazhdojë të dëgjohet në Lindjen e Mesme, ashtu si 2000 vjet më parë e, të jetohet sot e përgjithmonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.