Papa takon të rinjtë e Lindjes së Mesme: myslimanë e të krishterë të bashkuar për
t’i dhënë fund dhunës.
Në fjalimin gjatë takimit me rininë në sheshin para Patriarkatit maronit të Bkèrkè-së,
në Bejrut, Papa Benedikti XVI kujtoi se këto vise siç është Libani dhe Lindja e Mesme,
janë tokë me vlerë të jashtëzakonshme historike e shpirtërore, pse janë vet djepi
i krishterimit: “Të dashur miq, ju sot jetoni në këto vise të botës që kanë
pa lindjen e Jezusi dhe zhvillimin e krishterimit. Është nderim i madh! E është thirrje
për t’i qëndruar besnikë, për ta dashur tokën e sidomos për të qenë dëshmitarë e lajmëtarë
të gëzimit të Krishtit, pse feja e transmetuar nga Apostujt çon në lirinë e plotë
e në gëzimin, atë që kanë treguar kaq shumë Shenjtorë e të Lumtur të këtij Vendi.
Mesazhi i tyre e ndriçon Kishën universale. E mund të vazhdojë ta shndrisë edhe jetën
tuaj”. Benedikti XVI u ndal pastaj te sfidat e shumta e të vështira që kanë
njerëzit, e posaçërisht të rinjtë, në realitetin e jetës së përditshme në Liban e
në Lindje të Mesme dhe tha. “I njoh mirë vështirësitë tuaja që keni në jetën
e përditshme, për shkak të mungesës së stabilitetit e të sigurisë, vështirësitë që
keni për të gjetur punë e akoma për ndjenjën e vetmisë e të mënjanimit që përjetoni.
Në një botë që është në lëvizje të vazhdueshme, ju jeni vënë përballë sfidave të
shumta e të rënda. Edhe papunësia e mungesa e sigurive tjera, nuk duhet t’u shtyjnë
të shijoni “mjaltin e hidhur” të emigrimit, me çrrënjosjen dhe ndarjen nga vendlindje,
në shkëmbim të një të ardhme të pasigurt”. Në vazhdim, Papa u kujtoi të rinjve
rolin që kanë si protagonistë të së ardhmes së Libanit. I ftoi ta vlerësojnë dhe luajnë
rolin e tyre të rëndësishëm që kanë në shoqëri e në Kishë. Rinia është një moment
në të cilin njeriu frymëzohet me ideale të mëdha e, po kështu është edhe periudhë
në të cilën përmes studimit bëhen përgatitjet për një zanat e për një të ardhme. Kjo
është e rëndësishme e prandaj kërkon kohë, tha Papa e theksoi që jeta të mbështetet
mbi themele të sigurta e të qëndrueshme: “Kërkoni atë që është e bukur, e atë
që e mirë bëjeni me shije! Dëshmoni madhështinë dhe dinjitetin e trupit tuaj i cili
“është për Zotin” (1Kor 6,13). Në gjurmët e të lumit Gjonit Palit II, edhe unë
po u përsërisë: “Mos keni frikë. Hapjani dyert e shpirtrave e të zemrave tuaja Krishtit!”.
Takimi me Të (Jezu Krishtin) i “jep jetës një horizont të ri e me të edhe drejtimin
vendimtar” (Enc. Deus caritas est, 1), theksoi Papa duke i ftuar të rinjtë ta gjejnë
pikërisht në Jezusin, forcën e jetës, ta gjejnë në Të burimin e gëzimit të vërtetë.
Krishti thotë: Po ju jap paqen. Këtu, u tha Benedikti XVI të rinjve, qëndron revolucioni
që ka sjell Krishti, ai i dashurisë. Prandaj, kërkoni e jetoni marrëdhënie të pasura
me miqësi të vërtetë e fisnike. Ndërmerrni nisma që i japin kuptim jetës e që përforcojnë
rrënjët e ekzistencës, duke kundërshtuar mënyrën e sipërfaqshme e të lehtë të konsumit.
Mos iu nënshtroni idhujve kalimtar, por gjithmonë kërkoni shembujt më të mirë që keni
përreth, mësuesit e udhëheqësit shpirtëror që dinë t’u tregojnë udhën e pjekurisë
e të lumturisë. Në vijim të fjalimit, Papa nënvizoi vlerën që ka dokumenti pas
sinodal, Nxitja Apostolike “Kisha në Lindje të Mesme” edhe për të rinjtë, të cilën
i ftoi ta lexojnë e ta meditojnë për t’a zbatuar në jetën e përditshme. E pastaj duke
cituar letrën e shën Palit drejtuar Korintianëve, iu drejtua plot bindje rinjve: “Letra
jonë jeni ju, letër e shkruar në zemra tona, e njohur dhe e dashur nga të gjithë njerëzit.
E vërtetë dihet që ju jeni letra e Krishtit përpiluar për ne, shkruar jo me
bojë stilografi, por me Shpirtin e Zotit të gjallë, jo mbi rrasa guri, po mbi rrasa
të zemrave njerëzore” (2 Kor 3,2-3). Ju jeni letra e gjallë e Krishtit. Kjo letër
nuk do të shkruhet në letër e me stilograf. Do të jetë dëshmia e jetës tuaj dhe e
fesë tuaj. Ju të rinj, u tha Papa mijëra e mijëra të rinjve nga Libani e nga Lindja
e Mesme të pranishëm në këtë takim, ju të rinj libanezë, ju jeni shpresa e së ardhmes
së Vendit tuaj, shpresa e kësaj toke mikpritëse, shembull i bashkëjetesës. E pikërisht
duke u ndalur te vlera që bashkëjetesa mes feve për këtë Vend e këtë Rajon, Papa vlerësoi
e përshëndeti edhe të rinjtë jo të krishterë, pjesëmarrës në këtë takim: “Dua
t’i përshëndes tani të rinjtë myslimanë që sonte janë me ne. Ju falënderoj për praninë
tuaj e cila është kaq e rëndësishme. Ju së bashku me të rinjtë e krishterë jeni
e ardhmja e këtij Vendi të mrekullueshëm e të tërë Lindjes së Mesme. Mundohuni ta
ndërtoni së bashku të ardhmen. E kur të rriteni, vazhdoni të jetoni në përkim e në
bashkim me të krishterët. Pse bukuria e Libanit gjendet në këtë simbiozë të bukur.
Pra duhet që e tërë Lindje e Mesme, duke shikuar ju, të kuptojë që myslimanët e të
krishterët, Islami e Krishterimi, mund të jetojnë së bashku pa urrejtje, në respektimin
e besimit të çdonjërit, për të ndërtuar së bashku një shoqëri të lirë e njerëzore.
Më tej mora vesh se mes jush ka edhe të rinj nga Siria. Dua të them se e admiroj guximin
tuaj. Thuani shtëpive tuaja, familjarëve e miqve, që Papa nuk ju harron. Thuani njerëzve
rreth jush se Papa është i trishtuar në shpirt për shkak të vuajtjeve tuaja e të zisë
suaj. Ai nuk e harron Sirinë në lutjet e veta e në shqetësimet e veta. Nuk i harrojnë
mesdhetarët që vuajnë. Ka ardhur koha që myslimanë e të krishterë të bashkohen për
t’i dhënë fund dhunës e luftërave”, përfundoi Papa.