2012-09-15 16:57:12

Papa liderëve politikë e fetarë të Libanit: nuk ka paqe pa liri fetare


Sot paradite Papa vizitoi Pallatin presidencial në Baabda të Bejrutit, shoqëruar nga entuziazmi i mijëra e mijëra besimtarëve që kishin dal anëve të rrugës për të përshëndetur automobilin e Papës gjatë kalimit. Në Baabda, Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger pati një takim të përzemërt privat me Presidentin Mishel Sulejman, pastaj me autoritetet tjera të Shtetit të Libanit, si dhe me liderët myslimanë të Vendit, të cilëve ua dorëzoi dokumentin pas-sinodal të ipeshkvijve katolikë të Lindjes së Mesme, Nxitjen Apostolike “Ecclesia in Medio Oriente” (Kisha në Lindje të Mesme). E me këtë rast Papa Ratcinger mbajti një fjalim të pasionuar mbi themelet e paqes. Para fjalës, Papa e Presidenti libanez mbjellën në kopshtin presidencial një cedër të vogël, simbol i Libanit. Po le t’i kthehemi përmbajtjes së rëndësishme të fjalimit të Benediktit XVI.
Liria fetare është e domosdoshme për paqen: ky pohim është një ndër fragmentet më të forta të fjalimit të pasionuar që Papa u drejtoi liderëve politikë e krerëve fetarë të Libanit. Një fjalim i përqendruar mbi themelet e paqes e të bashkëjetesës ndërmjet popujve. E Benedikti XVI e nisi reflektimin e tij duke u nxit nga modeli libanez:
“Në Liban, Krishterimi e Islami prej shekujsh banojnë në të njëjtën hapësirë. Jo rrallë herë i sheh të dyja fetë në të njëjtën familje”. E nëse kjo është e mundur në të njëjtën familje, është pyetja e Papës, “pse atëherë kjo nuk do të duhet të ishte edhe në nivelin e mbarë shoqërisë?”. E shtoi se “veçoria e Lindjes së Mesme qëndron në përzierjen shekullore të komponentëve të ndryshme”. E dihet qartë se, pranoi Papa, “ato edhe kanë luftuar njëra me tjetrën!”. Po në anën tjetër nuk duhet të harrojmë që, “një shoqëri pluraliste ekziston vetëm në saje të respektit të ndërsjellët, të dëshirës për të njohur tjetrin e në saje të dialogut të përhershëm”. Ky dialog ndërmjet njerëzve, shtoi Papa, “është i mundshëm vetëm nëse jemi të ndërgjegjshëm se ekzistojnë vlera të përbashkëta në të gjitha kulturat e mëdha, sepse janë të rrënjosura në natyrën e vet qenies njerëzore”. E kështu Papa nënvizoi rolin themelor të lirisë fetare për ndërtimin e paqes:
“Mos të harrojmë që liria fetare është një e drejtë themelore nga e cila varën shumë të drejta tjera”. E shtoi: “ Ta rrëfesh e ta jetosh lirisht fenë personale pa vënë në rrezik lirinë personale, duhet të jetë e mundur për çdo njeri”. Humbja apo dobësimi i kësaj lirie, vuri në pah Papa, “ e privon njeriun nga e drejta e shenjtë e një jete të plotë në planin shpirtëror”. Prandaj, vërejti Ati i Shenjtë se ”toleranca që e heq veten si të tillë, nuk e eliminon diskriminimin, madje nganjëherë e përforcon”. Nga ana tjetër, shtoi, “pa hapjen ndaj trashendencës”, ndaj Hyjnores, “njeriu duket i paaftë për të vepruar sipas drejtësisë e për t’u impenjuar për paqe”.
Liria fetare ka një përmasë shoqërore e politike të domosdoshme për paqen”. Ajo, promovon bashkëjetesën e një jete të harmonishme përmes angazhimit të përbashkët, “në shërbim të së vërtetës e cila nuk imponohet me dhunë”. E kështu Papa i nxiti libanezët të jenë shembull, të dëshmojnë me guxim se Zoti e do paqen. Benedikti XVI e zgjeroi vështrimin e tij mbi tërë Lindjen e Mesme, një rajon ky – tha ai – i zgjedhur prej Zotit për lindjen e feve të madhe e që megjithatë ende sot jeton “në shqetësim, në ankth e në vuajtje”:
Zoti e ka zgjedhur që të jetë shembull, që para botës të dëshmojë mundësinë që njeriu e ka për të jetuar konkretisht dëshirën e tij të paqes e të pajtimit”. Një ideal e frymëzim që “është përjetësisht i shkruar në planin e Zotit”. E kështu Papa nënvizoi se paqja supozon një shoqëri të bashkuar, një unitet që nuk do të thotë uniformitet. E për të garantuar dinamizmin e nevojshëm për ndërtimin dhe konsolidimin e paqes, lypet të kthehemi pa u lodhur tek themelet e vet qenies njerëzore”, duke vënë theksin mbi rolin që ka edukimi, familja e promovimi i kulturës së jetës:
Nëse e duam paqen, ta mbrojmë jetën”. “Kjo logjikë – theksoi Papa – e përjashton jo vetëm luftën dhe aktet terroriste, por edhe çdo sulm tjetër kundër jetës së qenies njerëzore, krijesës së dashur nga Zoti”. “Pa mbrojtjen e dinjitetit të njeriut, nuk është e mundur të nderohet paqja e vërtetë”, tha Papa e kujtoi kështu atentatet kundër jetës që janë varfëria, terrorizmi, papunësia, shfrytëzimi, keqpërdorimi, logjika ekonomike që synon të bëjë të mbizotërojë të pasurit mbi të qenurit. E Papa tërhoqi vëmendjen të ruhemi nga ato ideologji që “duke i vënë në pikëpyetje” vlerat e patjetërsueshme të çdo njeriu e të familjes, i “minojnë bazat e shoqërisë”:
Sot dallimet kulturore, shoqërore, fetare, duhet të sjellin në përjetimin e zbatimin e një vëllazërimi të ri, ku pikërisht ajo që bashkon njerëzit është kuptimi i përbashkët i vlerës që ka madhështia e çdo njeriu”. Këtu, shtoi Papa, “gjendet udha e paqes”, këtu “është orientimi që duhet t’u prijë zgjedhjeve e përcaktimeve politike dhe ekonomike, të çdo niveli e edhe në shkallë planetare”. Për të hapur “para breznive të nesërme një të ardhme në paqe, vijoi ai, detyra e parë është ajo e edukimit në paqe, është kultivimi e ndërtimi i kulturës së paqes”. Pra, çdo njeri duhet të jetë në qendër të vëmendjes e të respektit. E këtu Papa i drejtoi një thirrje kryetarëve të Shteteve, të qeverive dhe përgjegjësve fetarë:
Duhet mënjanuar e ndaluar në mënyrë të qartë dhunën verbale apo atë fizike. Ajo është gjithmonë fyerje për dinjitetin njerëzor, si për dinjitetin e autorit e po kështu edhe të viktimës”. “Mendimet e paqes, fjalët e paqes dhe gjestet e paqes – shtoi Papa – krijojnë atmosferën e respektit, të nderimit e të përzemërsisë” për të “avancuar së bashku drejt pajtimit”. E Papa nënvizoi edhe faktin që e keqja nuk është kurrë e panjohur, “nuk është forcë anonime”. E keqja kërkon “aleat, njeriun”, pse ajo “ka nevojë për të për t’u përhapur”. E atëherë bëhet punë themelore pikërisht vështrimi i ri, kthimi e përmirësimi i zemrës. “Është fjalë – shpjegoi Papa – për t’i thënë jo dhunës, për t’i pranuar gabimet personale”, sepse vetëm falja “i vë themelet e qëndrueshme të pajtimit e të paqes për të gjithë. Dialogu, përfundoi Benedikti XVI, “është i mundshëm nëse jemi të ndërgjegjshëm se ekzistojnë vlera të përbashkëta të të gjitha kulturave të mëdha, sepse janë të rrënjosura në natyrën e qenies njerëzore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.