2012-09-15 19:14:19

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 24-të ‘B’


Ta pranojmë në fe misterin e Krishtit. Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë Hyjnore të dielës së 24-të gjatë vitit, ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar.
Leximet biblike të kësaj së diele na flasin mbi Personin e Mesisë, në Krishtit na ndihmojnë ta zbulojmë fytyrën e vërtetë të Zotit Dashuri e Shëlbues. Përmes pjesën ungjillore të kësaj së diele Jezusi të gjithëve u bën një pyetje vendimtare: “Ju, kush thoni se jam unë?” (Mk 8,29)
Ta marrim seriozisht këtë pyetje e të mos mashtrohemi duke thënë se jemi përgjigjur njëherë e përgjithmonë! Zotit nuk i përgjigjet me një “Po” apo me një “Jo”: Zotit i përgjigjet me dhe tërë jetën. Pra, jeta jonë si i përgjigjet pyetjes së Krishtit?
Ta ndjekim pjesën e Ungjillit. Në pyetje të Jezusit përgjigjet Pjetrit e thotë: “Ti je Krishti, ti je Mesia”(Mk 8,29). Me këto fjalë Pjetri e njeh dhe pranon në Jezusin të dërguarin e Zotit, personalitetin për të cilin flasin Shkrimet e Shenjta, personalitetin e mistershëm të pritur me shekuj nga Izraeli, personalitetin për të cilin profetët në mënyrë të mrekullueshme patën parashikuar mijëra hollësira të jetës së Tij.
Mirëpo çfarë keqkuptimi fshehët në fjalët e Pjetrit! Feja e Pjetrit nuk është ende e plotë e sidomos është tejet e ndotur. Në të vërtetë njerëzit e patën rregulluar e sistemuar idenë e Mesisë ( ashtu sikur ne sot pretendojmë ta sistemojmë sipas komoditetit tonë fenë në Zotin) dhe e patën reduktuar Mesinë në një udhëheqës politik, në një revolucionar i thirrur t’i zgjidhë problemet tokësore të Izraelit.
Jezusi është i vetëdijshëm për këtë tradhtì dhe e lufton në emër të së vërtetës së Zotit. Në rend të parë, Jezusi u kërkon apostujve të mos i thonë askujt se Ai është Mesia, në mënyrë që në njerëz të mos ndizen e lindin shpresa të gabuara. E pastaj i zbulon, i dëfton apostujve misterin e vërtetë të personit të Tij e këndej fytyrën e vërtetë të Zotit: “ Filloi t’u shpjegojë se Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë” (Mk 8,31). Këtu kemi një lajmë, që ende sot e dallon krishterimin prej të gjitha feve tjera: Jezusi na bërë të ditur se Zoti është i durueshëm, se është kaq i përvujtë, kaq i butë, kaq i mirë sa të lejojë të goditet e të mospërfilljet nga njeriu.
Madje, në Krishtin, vet Zoti ka ardhur të vuajë për ne: e nga ai moment dhimbja njerëzore ka marrë domethënie, kuptim, vlerë, është rruga e shpëtimit, udha e shëlbimit. Nxënës i Krishti nuk është ai që sikur Pjetrit di të shpall e kumtoi se Jezusi është Mesia, Krishti, Biri i Zotit bërë njeri. Nuk mjafton na thotë: “kush do të vijë pas meje, le t’i bjerë mohit vetvetes, ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë pas”. Thotë Jezusi në pjesën e ungjillit të kësaj së diele….. Në Meshën e Shenjtë që kremtojmë kemi mundësinë t’i afrohemi Atij e të marrim pjesë në përmasën e vërtetë të jetës së Tij hyjnore.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi I Is 50,5-9a
Profeti është i persekutuar nga patriotët e vet, dhe i beson mbrojtjen e tij Zotit, përderisa po vuan pikërisht për të. Kështu do t’i ndodhë edhe Jezusit që pranon mundimet, që zemra e njeriut të shërohet nga urrejtja. Dashuria duhet të ndjekë logjikën e pamëshirshme të kryqit: të vdesësh për shkak të urrejtjes që kanë të tjerët, që të tjerët të rijetojnë nëpërmjet dashurisë sonë.

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Zoti Hyj ma hapi veshin, s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa. Shpinën ua solla atyre që më rrihnin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat. Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si stralli, pse e di se s’do të mbetem i turpëruar. Afër e kam atë që ma jep të drejtën, kush guxon të shtyhet në gjyq me mua? Le të dalim përballë njëri-tjetrit! Kush është kundërshtari im? Le të më dalë përballë! Ja, Zoti Hyj është ndihmëtari im, kush është ai që do të më dënojë? Të gjithë ata do të brishtohen si petku, tenja do t’i brejë!
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 115
Do të eci në praninë e Zotit

E dua Zotin sepse e dëgjon
zërin e lutjes sime;
sepse mbi mua e pruri veshin e vet
atë ditë që e thirra në ndihmë.

Më kishin rrethuar leqet e vdekjes,
më kishin shtrënguar leqet e nëntokës,
më ndrydhën trishtime e dhembje.
Emrin e Zotit e thirra në ndihmë:
“Deh, o Zot, ma shpëto jetën!”

I mirë e i drejtë është Zoti,
Hyji ynë është vetë mirësia!
Zoti është mbrojtësi i të vegjëlve:
isha ngushtë e Ai më shpëtoi!

Ai ma shpëtoi jetën prej vdekjes,
sytë e mi prej lotve,
këmbët e mia prej rënies.
Do të eci në praninë e Zotit
në tokën e të gjallëve.

Jk 2,14-18
Shën Pali pohon se veprat e kryera sipas ligjit nuk na japin asnjë të drejtë mbi Hyjin. Hyji na ka dashur i pari dhe falas. Ne vetëm mund t’i besojmë kësaj dashurie. Shën Jakobi miraton ato që thotë Pali dhe deklaron që një besim i vërtetë njihet nga frytet, nga një bamirësi e kujdesshme ndaj të varfërve dhe më të vegjëlve.

Lexim prej Letrës së shën Jakobit apostull

Ç’dobi, o vëllezërit e mi, nëse ndokush thotë se ka fe, në qoftë se nuk i ka veprat? A thua mund ta shpëtojë vetëm feja? Në qoftë se ndonjë vëlla ose ndonjë motër janë të zhveshur ose pa ushqimin e përditshëm, dhe ndokush prej jush u thotë: “Shkoni në paqe! Nxehuni dhe ngijuni!”, por nuk u jepni çka u nevojitet për trup, ç’dobi?! Kështu edhe feja: në qoftë se nuk i ka veprat, është e vdekur në vetvete. Por ndokush mund të thotë: “Ti ke fenë, kurse unë kam veprat.” Ma trego ti fenë tënde pa vepra, kurse unë do ta tregoj prej veprave të mia fenë.
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin

Aleluja . Aleluja
Mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveç me kryqin e Zotit tone Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota u kryqëzua e unë për botën.
Aleluja.

Ungjilli Mk 8, 27-35

Rritet urrejtja kundër Jezusit. Pagëzuesit iu pre koka. Jezusi shpall se do të ketë të njëjtin fat të dhimbshëm të profetëve. Pjetri dhe apostujt nuk e pranojnë këtë diskutim. Vështirësia e tyre është edhe e jona, çdo herë që kryqi, i cili është simbol zbukurimi, bëhet një realitet skandaloz i jetës sonë. Duhet të mësojmë të njohim se persekutimi dhe humbja na zbulojnë planin shpëtimtar të Hyjit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi u nis me nxënësit e vet drejt fshatrave të Cezaresë së Filipit. Udhës i pyeti nxënësit e vet: “Çka thonë njerëzit, kush jam unë?” Ata i përgjigjën: “Disa thonë se Gjon Pagëzuesi, do tjerë Elia, do tjerë prapë se je njëri ndër profetë.” Atëherë i pyeti ata: “Po ju, kush thoni se jam?” “Ti je Mesia!” – iu përgjigj Pjetri. Ai u urdhëroi rreptësishtë të mos i tregojnë askujt këtë gjë për të. Atëherë filloi t’u shpjegojë se Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë; se pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët do ta përbuzin; se do të vritet dhe se do të ngjallet pas tri ditësh. Ua tha këto krejt haptas. Atëherë Pjetri e ndau në një anë e zuri ta qortojë. Jezusi u soll, shikoi nxënësit e vet dhe i bërtiti Pjetrit: “M’u hiq sysh, he djall, se nuk i ke ndërmend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”. Atëherë grishi popullin bashkë me nxënësit e vet dhe u tha: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le t’i bjerë mohit vetvetes, ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë. Sepse, ai që do ta shpëtojë jetën e vet, do ta bjerrë, përkundrazi, ai që do ta bjerrë jetën e vet për mua e për Ungjill, do ta shpëtojë.”
Fjala e Zotit.
Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 24-të mund të dëgjoni këtu...........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.