2012-09-14 18:12:12

“Mos ki frikë, o grigjë e vogël e Lindjes së Mesme”: Papa nënshkruan Nxitjen Apostolike pas-sinodale dhe u jep zemër të krishterëve të rajonit


Entuziazëm i jashtëzakonshëm për ditën e parë të vizitës së Papës Benedikti XVI në Liban, i cili filloi sot udhëtimin e tij të 24-të apostolik, që do të vazhdojë deri të dielën. Pika kulmore e ditës së sotme qe pa dyshim, nënshkrimi i Nxitjes Apostolike pas-sinodale “Kisha në Lindjen e Mesme”, në Bazilikën greko-melkite të Shën Palit në Harisa, rreth 30 km larg Bejrutit, jo vetëm në praninë e Patrikut Gregorios III Laham, të presidentit të Republikës, të ipeshkvijve të Libanit, të Këshillit të veçantë për Lindjen e Mesme të Sinodit të Ipeshkvijve, por edhe në praninë e një delegacioni ortodoks e të një delegacioni mysliman.
Ati i Shenjtë nuk mungoi ta përmendë këtë detaj, gjatë fjalës së tij, duke e cilësuar si shenjë të rëndësishme për krejt Lindjen e Mesme, ku bashkëjetesa ndërmjet feve nuk është e lehtë, edhe sot e kësaj dite. Nënshkrimi i dokumentit pas-sinodal përkon me Festën e Lartimit të Kryqit, origjina e së cilës është pikërisht në Lindje, në vitin 335, të nesërmen e Kushtimit të Bazilikës së Ringjalljes, ndërtuar mbi Golgotë e mbi varrin e Zotit tonë Jezu Krisht nga perandori romak Kostandini, që nderohet si shenjt në këto troje. Atij iu duk monograma e Krishtit, dy shkronjat e para të fjalës Kristòs, ndërsa një zë i thoshte: “Me këtë shenjë, do të fitosh!” E Benedikti XVI theksoi se Nxitja Apostolike duhet lexuar e interpretuar në dritën e festës së sotme:
“Ekziston një lidhje e pazgjidhshme ndërmjet Kryqit dhe Ringjalljes, që nuk mund të harrohet nga të krishterët. Pa këtë lidhje, lartimi i Kryqit do të kishte kuptimin e justifikimit të vuajtjes e të vdekjes, pa parë tjetër në to, përveçse fundit fatal. Për të krishterin, lartimi i Kryqit do të thotë të komunikosh me gjithësinë e dashurisë pa kushte të Zotit për njeriun. Bën kështu, një akt feje! Lartimi i Kryqit, në perspektivën e Ringjalljes, do të thotë të duash ta jetosh e ta shfaqësh gjithësinë e kësaj dashurie. Bën kështu, një akt dashurie! Lartimi i Kryqit të çon drejt impenjimit për arritjen e bashkimit vëllazëror e kishtar, burim i dëshmisë së vërtetë të krishterë. Bën kështu, një akt shprese!”
Me pasion të veçantë, Papa përshkroi gjendjen aktuale në Lindjen e Mesme, vështirësitë e shpresat e të krishterëve, që u diskutuan edhe në Sinodin e ipeshkvijve në Vatikan, në tetor 2010. Si të mos e falenderojmë Zotin, tha Benedikti XVI, për guximin e dëshmisë suaj, për solidaritetin, për faktin se e mbani gjallë flakën e dashurisë, që mbolli në këto troje Biri i Mishëruar i Hyjit? Nxitja pas-sinodale “Kisha në Lindjen e Mesme” reflekton për të tashmen, duke menduar të ardhmen, mbi të cilën përpiqet të hedhë pikërisht vështrimin e Krishtit. Të gjitha rekomandimet e saj, nga thellimi shpirtëror e kishtar, nga rinovimi liturgjik e katekistik, tek ftesa për dialog, synojnë t’i ndihmojnë të krishterët të ndjekin Krishtin, në një situatë shpesh të dhimbshme e të vuajtur, ku tundohen ta harrojnë Kryqin e Tij të lavdishëm:
“Por është pikërisht tani - nënvizoi me forcë Papa – që duhet të kremtojmë fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, të faljes mbi hakmarrjen, të shërbimit mbi dominimin, të përvuajtërisë mbi mendjemadhësinë, të bashkimit mbi ndarjen. Në dritën e festës së sotme e në funksion të zbatimit të frytshëm të Nxitjes Apostolike, ju ftoj të gjithëve të mos kini frikë, të mbeteni me të vërtetën e të kultivoni pastërtinë e fesë. Kjo është gjuha e Kryqit të lavdishëm!”
Benedikti XVI bën thirrje të veprohet konkretisht për t’i ndihmuar Kishat të reflektojnë mbi bukurinë e bashkësive të para të krishtera, por edhe për të mos lejuar diskriminimin e të krishterëve, që ata të mund ta jetojnë lirisht e hapur fenë në Krishtin e kryqëzuar, të vdekur e të ringjallur për shëlbimin e të gjithëve.
Nxitja Apostolike pas-sinodale, vërejti Ati i Shenjtë, kërkon një dialog të vërtetë ndërfetar, bazuar në fenë në Zotin e vetëm, Krijues të botës dhe, kontribuon në një ekumenizëm të apasionuar njerëzor, shpirtëror e bamirës, me bazë të vërtetën dhe dashurinë ungjillore. Benedikti XVI kujtoi se do t’ua dorëzojë atë të dielën të gjithë ipeshkvijve e në fund të fjalës së tij, para nënshkrimit të Nxitjes Apostolike për Lindjen e Mesme, duke cituar shën Lukën Ungjilltar, sërish ngriti zërin në këtë thirrje:
“’Mos kij frikë, o grigjë e vogël’(Lk 12,32) e kujto premtimin, që iu bë Kostandinit: ‘Me këtë shenjë, ti do të fitosh’. Kisha të Lindjes së Mesme, mos kini frikë, sepse Zoti është vërtet me ju deri në fundin e botës! Mos kini frikë, sepse Kisha universale ju shoqëron me afërsinë e saj njerëzore e shpirtërore!”.
E duke ia besuar popullin libanez e të gjithë Lindjen e Mesme Virgjërës Mari, Papa përfundoi:
“Zoti iu dhashtë të gjithë popujve të Lindjes së Mesme mundësinë për të jetuar në paqe, në vëllazërim e në liri fetare. Zoti ju bekoftë të gjithëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.