2012-09-14 15:11:38

Papa në Liban: vij në Lindjen e Mesme si shtegtar i paqes, mik i Zotit dhe i njerëzve


Që në ceremoninë e mirëseardhjes, në aeroportin ndërkombëtar “Rafik Hariri”, udhëtimi i Papës u karakterizua nga përmasa e paqes, aq urgjente në Lindjen e Mesme. Modeli libanez i bashkëjetesës, nënvizoi Benedikti XVI, në fjalimin e parë të vizitës në vendin e kedrave, duhet t’i ketë rrënjët në praninë e Zotit në jetën e secilit. Si shenjë e vogël e kësaj bashkëjetese, Ati i Shenjtë u prit nga presidenti i Republikës Mishel Sulejman, nga autoritetet kishtare e shtetërore, por edhe nga personalitete ortodokse, myslimane e të botës së kulturës.RealAudioMP3
15 vjet pas vizitës së të Lumit Gjon Pali II, në aeroportin e Bejrutit ekzekutohet sërish himni i Vatikanit, nëpër rrugët e kryeqytetit valëviten flamujt bardhë e verdhë të Selisë së Shenjtë e zemrat e njerëzve janë plot me gëzim e shpresë, siç nënvizoi presidenti Sulejman, në fjalën e mirëseardhjes:
“Libani është tokë martirizimi por edhe e bashkëjetesës ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, është shembull bashkëjetese”. Në fjalimin e tij, në të cilin vuri theksin edhe mbi dramën e refugjatëve palestinezë në Liban, Sulejman pohoi se “të krishterët kanë rrënjë shekullore në këtë Vend e në tërë rajonin, e do të dëshmojnë edhe në të ardhmen mesazhin e bashkëjetesës”.
Që nga çastet e para të vizitës, Benedikti XVI u rrethua me përzemërsinë dhe dashurinë e njerëzve, të cilët ishin mbledhur të shumtë në aeroport. Papa kujtoi arsyen kryesore të vizitës, dorëzimin e Nxitjes Apostolike “Kisha në Lindjen e Mesme”; pastaj, përmendi lidhjet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Libanit, faktin që në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë ngrihet shtatorja e Shën Maronit, Pajtorit të katolikëve maronitë, i cili ndërmjetëson gjithnjë për popullin e këtyre trojeve. Ati i Shenjtë foli për ngjarjet e trishtuara e të dhimbshme, nëpër të cilat ka kaluar Libani për vite me radhë dhe u ndal në modelin e bashkëjetesës libaneze:
“Bashkëjetesa e lumtur, krejtësisht libaneze, duhet t’i tregojë krejt Lindjes së Mesme dhe pjesës tjetër të botës se brenda një kombi mund të ekzistojë bashkëpunimi ndërmjet Kishave të ndryshme, të gjitha pjesë të Kishës Katolike, në frymën e bashkimit vallëzor me të tjerët”.
E natyrisht, kjo tregon edhe se mund të ekzistojë dialogu ndërmjet të krishterëve dhe vëllezërve të feve të tjera, në respektin e ndërsjelltë. Por Papa e ka të qartë se ekuilibri mund të jetë jashtëzakonisht delikat dhe mund të prishet, nëse mbi të ushtrohen presione të njëanshme, të grupeve, që punojnë kundër harmonisë së libanezëve:
“Pikërisht këtu duhen dhënë prova për vetëpërmbajtje të vërtetë e urti të madhe. E arsyeja duhet të ngadhnjejë mbi pasionin e njëanshëm, për të favorizuar të mirën e përbashkët”.
Papa nënvizoi me forcë se paqja e vërtetë i ka rrënjët në praninë e Zotit. Bashkëjetesa model e Libanit do t’i ketë rrënjët e forta vetëm nëse bazohet në mësimet e Hyjit, i cili dëshiron që të gjithë njerëzit të jenë vëllezër:
“Ekuilibri i famshëm libanez, që dëshiron të vazhdojë të jetë realitet, mund të jetojë gjatë falë vullnetit të mirë dhe impenjimit të të gjithë libanezëve. Vetëm atëherë do të jetë shembull për banorët e gjithë rajonit e për botën mbarë”.
Kjo nuk është vetëm vepër e njerëzve, nënvizoi Benedikti XVI, por edhe dhuratë e Zotit, të cilit duhet t’i lutemi me këmbëngulje e vazhdimisht për paqen. E pikërisht paqja është përmasa më e fuqishme e udhëtimit të Papës:
“Vij në Liban si shtegtar i paqes, si mik i Zotit dhe i njerëzve. ‘Salami-O Tikum’: ‘Ju jap paqen time’, thotë Krishti (Gjn 14,27). E përveçse për vendin tuaj, vij sot me mendje e me zemër edhe në të gjitha vendet e Lindjes së Mesme”.
Nesër, Atin e Shenjtë e pret një ditë e ngarkuar me takime. Ai do t’i bëjë një vizitë kortezie presidentit të Republikës në Pallatin presidencial të Baabda-s, ku do të takohet edhe me kryetarin e parlamentit e me kryeministrin libanez. Të gjitha autoriteteve do t’u dorëzojë Nxitjen Apostolike pas-sinodale për Lindjen e Mesme.
Po gjatë paradites, Benedikti XVI do të takohet edhe me krerët e bashkësive fetare myslimane, pastaj me anëtarët e qeverisë e të institucioneve, me Trupin Diplomatik, me krerët fetarë e përfaqësuesit e botës së kulturës, gjithnjë në Pallatin presidencial.
Pasdite, takimi më i rëndësishëm i ditës së nesërme, ai me rininë e Libanit e të Lindjes së Mesme në sheshin para Patriarkatit maronit të Bkèrkè-së. Që tani, ky përqafim i Papës me të rinjtë, shihet si një lloj Dite Botërore e Rinisë në Liban.







All the contents on this site are copyrighted ©.