2012-09-14 10:03:07

Më 14 shtator Kisha kremton festën e Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë.


Sot më 14 shtator kisha kremton solemnitetin e Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë, festë që ka zanafillën në Jerusalem më 14 shtator të vitit 335. Këtë ditë u shuguruan ndërtesat e ngritura nga Perandori Kostandini për të mbrojtur e për të nderuar viset ku Jezu Krishti përmbushi misterin e vet të Pashkëve, misterin e vdekjes e të ngjalljes. Shumë reflektime janë bërë e vijojnë të bëhen për misterin më të madh të fesë së krishterë.
Ndërmjet tyre, po kujtojmë reflektimin e Papës Benediktit XVI në Këln të Gjermanisë drejtuar të rinjve të mbarë botës dhe reflektimin e Papës Gjon Palit II. Pohon Benedikti XVI: “Zoti në këtë botë nuk bën konkurrencë me format tokësore të pushtetit. Nuk u kundërvë përçarjeve, përçarje të reja. Jezusit në Kopshtin e Ullinjve Zoti nuk i çon dymbëdhjetë legjione engjëjsh për ta ndihmuar. Pushtetit të potershëm e prepotent të kësaj bote, Krishti i kundërvë pushtetin e çarmatosur të dashurisë, që vdes mbi Kryq e, megjithatë, krijon një gjë të re, hyjnore, e cila pastaj i kundërvihet padrejtësisë dhe ngre mbretërinë e Hyjit”.
E Papa Gjon Pali II në “Letrën drejtuar familjes”, duke u frymëzuar nga Paskali, nënvizon: “Krishti hyri në botë me kryq. Kryqi është simboli i shpërblimit dhe i shëlbimit, por edhe paradigma e jetës të të krishterit”.
Në ditën e festës së Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë ne e shikojmë Kryqin e Krishtit si lavdi e simbol, si rrugë nëpër të cilën duhet ecur ditë për ditë, në përpjekjen për t’iu afruar lumturisë së qiellit, jetës së amshuar, duke pasur gjithnjë parasysh fjalët e Shën Palit drejtuar Galatasve: “Jam kryqëzuar me Krishtin e nuk jam më unë ai që jeton, por Krishti që jeton në mua”.
Prandaj të krishterët krenohen me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, sepse Kryqi është më i fuqishëm e më i madh se të gjitha pushtetet e botës: është shenjë e fitores mbi vdekjen.
Kryqi bëhet kështu lavdi. Zoti lumturohet pikërisht në çastin kur i Biri kryqëzohet. “Në kryq – shkruan Shën Leoni papë – është gjykata e Zotit, aty bëhet gjykimi i botës, zbulohet pushteti i të Kryqëzuarit”. Kryqi është gjykata më e madhe e botës, por edhe fillimi i pushtetit të Krishtit mbi botën dhe mbi historinë e njerëzimit.
Kur të duket se gjithçka ka marrë fund, në të vërtetë gjithçka fillon. Me të drejtë liturgjia e festës së Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë këndon në Meshë: “Është nder për ne të mburremi me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit sepse në Të e kemi shëlbimin, jetën dhe ngjalljen tonë, në sajë të Tij kemi qenë shëlbuar e liruar!”, dhe “Kryq i lavdishëm, në degët tua varej çmimi i lirisë sonë: bota u shëlbua përmes Kryqit. Të falem, o Kryq, i shuguruar nga Korpi i Krishtit; gjymtyrët e Tij mbi ty shkëlqejnë si gurë të çmuar”.
I madh është misteri që përkujtojmë sot, aftësia për të dhuruar vetveten në Kryq, mister i dashurisë, të cilin është tepër e vështirë ta kuptosh në të gjithë thellësinë e tij! Një gjë është plotësisht e qartë: “Kush merr pjesë në mundimet e Krishtit në Kryq, merr pjesë edhe në gëzimin e Tij”. Sa herë i lartojmë sytë nga Kryqi, kujtojmë Atë që pësoi për ne, që na shkëputi nga pushteti i terrinave, duke pranuar vdekjen, për të na bërë trashëgimtarë të jetës së pasosur.
Kryqi i Krishtit dritë që shndrit qiellin e tokën
“Për ne, Krishti u bë i dëgjueshëm deri në vdekje. E në vdekjen e Kryqit” - kështu shkruan Shën Pali Apostull. Ti dëgjojmë përsëri disa nga fjalët bindëse e të flakta të shën Palit mbi misterin e vdekjes së Krishtit mbi Kryq, atë Kryq të Shenjtë që e kremtojmë edhe sot me kalendar kishtar. Askush më mirë se Apostulli i Popujve, Shën Pali nuk mund të na ndihmojë ta kuptojmë thellësisht Kryqin e Krishtit.
Në Letrën drejtuar Korintianëve, mes tjerash Pali shkruan: “Ndërsa hebrenjtë kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti, ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, për hebrenj shkandull e për paganë marri, kurse për të grishurit – si për hebrenj ashtu për grekë – fuqi e Hyjit e dije e Hyjit (1 Kor 1,22-24). Vdekja e Krishtit ka vlerë universale: “Një vdiq për të gjithë e, prandaj të gjithë vdiqën” (2 Kor 5,14). Vdekja e tij i dha kuptim të ri vdekjes së çdo burri e të çdo gruaje.
Para syve të Palit Kryqi ka përmasa kozmike. I mbërthyer mbi të, Krishti shembi muret që i ndajnë njerëzit e kombet, i pajtoi ata me Hyjin Atë e me të afërmin, duke shkatërruar çdo lloj armiqësie (cf Ef. 2,14-16). Prej këndej tradita e lashtë e shikon Kryqin si dru kozmik, i cili me krahun vertikal bashkon qiellin me tokën e me krahun horizontal, pajton mbarë popujt e botës. Ngjarje kozmike, e njëkohësisht tejet personale, sepse thotë Pali, Krishti: “Më deshi e flijoi jetën për mua”(Gal 2,20). Çdo njeri, shkruan Apostulli, është ai ‘për të cilin Krishti vdiq” (Rom 14,15).
Prej këndej, Kryqi i Krishtit nuk duhet parë si ndëshkim, as si shkandull, por si lavdi e krenari për çdo të krishterë, sepse përmes tij njeriu lartohet në fe e, njëzëri me Shën Palin, mund të thotë: “Sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveçse me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit” (Gal 6,14).
Prandaj Pali e vendosi, madje e nguli Kryqin në qendër të Kishës, si ngulet direku kryesor në qendër të anijes.
Kujtojmë se kur Shën Pali shkruante kështu, kryqi ishte sinonim i turpit më të madh, ishte fjalë që nuk duhej as të përmendej, sepse shkaktonte shkandull e shikohej si ndëshkimi më i rëndë që mund të pësonte një njeri.
Më vonë Shën Agostini do të theksonte: “Tani Kryqi i Krishtit mbushi përplot botën e shkëlqen mbi kurorën e mbretërve”. Unë besoj se Krishti e ka mbështetur tërë dashurinë e tij, tërë dhuratën e tij, tërë aftësinë e tij të dhurimit mbi Kryq. E çdo i krishterë është i thirrur ta zbulojë këtë mister, këtë ngadhënjim të Krishtit që tërheq njerëzimin pranë vetes për tek Ati Qiellor. Shenja e Kryqit në një farë mënyre është sinteza e fesë sonë të krishterë, sepse na thotë se sa shumë Zoti na ka dashur e na do: na thotë se, në botë, ekziston një dashuri më e fortë se vdekja, më e fortë se ligështitë tona dhe se mëkatet tona. “Kryqi i Krishtit, thotë Shën Gjon Damasheni, është çelësi i parajsës së qiellit”. Kryqi është drita që shndrit qiellin e tokën.







All the contents on this site are copyrighted ©.