2012-09-14 15:55:59

Harisa


Qytezë në majë të një kodre (550 m mbi nivelin e detit), që dominon bregdetin dhe gjirin e mrekullueshëm të Jounieh. Shenjtërorja e Zojës sonë të Libanit u ndërtua në vitin 1904, me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së dogmës së Zojës së Papërlyer nga Papa Pio IX. Përurimi i shenjtërores u kremtua në të dielën e parë të majit të vitit 1908, e cila që atëherë, u bë festa kombëtare e Zojës së Libanit.
Shtatorja e bardhë e Zojës, në bronx, u punua në Lion të Francës. Ajo është 8,50 m e lartë dhe peshon 15 ton. Kulla-piedestal prej guri të skalitur në formë konike, është 21 metra e lartë. Shtegtarët ngjitin këmbëzbathur, ose në gjunjë, shkallën e saj spirale, deri tek Virgjëra e Shenjtë në majë. Shenjtërorja, besuar Kongregatës së Misionarëve Libanezë, është më e rëndësishmja e Lindjes së Mesme, kushtuar Shën Marisë. Mesha kremtohet tri herë në ditë, ndërsa për festa, dhjetë herë në ditë. Shtegtarët vijnë gjatë gjithë vitit, por sidomos në maj, kur procesionet nisin natën nga bregdeti, me këngë e lutje, nën dritën e qirinjve, për të arritur në shenjtërore në agim. Të shumtë janë edhe vizitorët myslimanë, të cilët shkojnë shpesh të dielave në shenjtërore, për të nderuar Shën Marinë. Në vitin 2004, shenjtërorja festoi 100-vjetorin e themelimit.
Një bazilikë e re është ngritur përkrah kullës-piedestal të shenjtërores, në korrik të vitit 1993. Gjeometria e saj të kujton një anije fenikase. Brenda bazilikës ndodhet një kopje e shtatores së Zojës së Lurdës, bekuar nga i Lumi Gjon Pali II më 22 mars 1992, gjatë meshës për të sëmurët në Bazilikën e Vatikanit. Më pas, ajo u òua në Liban nga Vepra Romake e Shtegtimeve. Në ndërtesën, që aktualisht po restaurohet, mund të hyjnë deri në 7 mijë vetë. Pikërisht këtu, në sheshin para bazilikës, Papa Gjon Pali II pati takuar të rinjtë libanezë, më 10 maj 1997, gjatë Vizitës së tij Apostolike në vend. Në fillim të përshëndetjes, vërejti “Sa horizont i bukur!” para panoramës mbrëmësore të Gjirit Jounieh.







All the contents on this site are copyrighted ©.