Më 26 shkurt të vitit 630 Jerusalemi përgatitet të jetojë një ngjarje të madhe. Prej
disa ditësh, një turmë vigane dyndet drejt Qytetit Shenjt. Familje të tëra grumbullohen
tek portat e qytetit e disa njerëz kalojnë net të tëra jashtë, nga frika se nuk do
të mund të marrin pjesë në festën e jashtëzakonshme. Njerëzit flasin, hanë, këndojnë
së bashku, formojnë grupe të vogla urate. “Po vjen! Erdhi!” Një fëmijë që vrojton
rrugën, i hipur në maje të një peme, i lajmëron njerëzit se po fillon ajo që pritet
prej shumë orësh. Lajmi përhapet me shpejtësinë e dritës: “Është pikërisht Kryqi!
Së shpejti do të kalojë para nesh!”. Disa njerëz ngrihen në majë të gishtërinjve,
të tjerë shtyhen, grupe fëmijësh kacavaren mbi degët e pemëve ose hipin mbi supe të
prindërve. Si të ishte një trup i vetëm, turma grumbullohet buzë rrugës, e mbikëqyrur
nga ushtarët. Është e vërtetë, po vjen! Pas gjashtëmbëdhjetë vjet ‘mërgimi’, Kryqi
i Krishtit po kthehet në shtëpi! Më në fund persianët ia rikthejnë Jerusalemit, pasi
e vodhën kur korrën fitoren e vitit 614. Herakliu, perandori i ri i Lindjes, e
risjell Kryqin në vend me një ceremoni madhështore, i shoqëruar nga e shoqja, perandoresha
Martina, nga oborrtarët e nga gjithë ushtria, me uniformë të ndritshme festive. Paria
e vendit, rregulltarët e krerët ushtarakë formojnë një procesion të paparë ndonjëherë,
të gjatë, pa fund. Procesioni drejtohet ngadalë drejt Jerusalemit. Po pjesëmarrësit
më të shumtë janë njerëz të zakonshëm, besimtarë, të grumbulluar me mijëra gjatë gjithë
rrugës. Ngarendën për ta pritur Kryqin e Zotit me një gëzim, me një entuziazëm, me
një emocion, të cilin askush s’e kishte provuar më parë, e s’do ta provonte as më
pas. Ishte një ditë e jashtëzakonshme, e papërsëritshme! Emocioni nuk përmbahet
më kur, nga larg, nis të duket profili i Kryqit. Herakliu është kujdesur që gjithçka
të jetë e denjë për pritjen e Relikes së Ngjalljes. I ka mbledhur të gjitha pjesët
së bashku, që populli ta shikojë të plotë Kryqin e lumnueshëm. Jerusalemi nuk jetonte
prej kohe një ngjarje të tillë. Burra e gra, të mbledhur pranë e pranë, i harrojnë
grindjet e vjetra e problemet personale, për t’u shtrënguar, të bashkuar e të lum,
rreth Kryqit të Krishtit. Tani, më shumë se kurrë, Kryqi është për ta shenjë e bashkimit
dhe e dashurisë së Hyjit për të gjithë njerëzit. E kështu lind edhe festa e Naltimit
të Kryqit, që Kisha, nga ky çast, nis ta kremtojë vit për vit. Në këtë festë të krishterët
e botës mbarë kujtojnë se Krishti dha jetën për ta, e për ta e mundi të keqen e vdekjen!