2012-09-14 15:55:46

Bejruti


Në arabisht Bajrùt. Emri ka mundësi të jetë me origjinë kananee (bii’rot: shumësi i biir, “pus”) dhe t’u referohet burimeve ujore të nëndheshme. Fillimisht shtrihej ndërmjet dy kodrave, Ashrafieh dhe Musaytbeh, të cilat sot lidhen me njëra-tjetrën nga ndërtimet e shumta. Qyteti ka dalje në det dhe formon një gadishull trikëndor me Gjirin e Shën Gjergjit në veri.
Bejruti përmendet që në kronikat egjiptiane të mijëvjeçarit të dytë para Krishtit dhe është i përmendur për veprimtarinë e marinarëve e të tregtarëve fenikas. Qyteti mori statusin e kolonisë romake në vitin 14 para Krishtit, duke u quajtur “Colonia Julia Augusta Felix Berytus”. Në shekujt III-VI, merr famë Shkolla e Ligjit. Shkatërruar nga tërmetet dhe nga një tsunami në vitin 551, qyteti ishte akoma rrënojë, kur mbërritën myslimanët në vitin 635. Kryqëzata e parë kthen të krishterët në vitin 1110, ndërsa më 1229, ata përzihen nga mamalukët, që e kthejnë në portin kryesor rajonal për tregtinë e erëzave me Republikat Detare të Venedikut e të Gjenovës.
Pushtuar nga otomanët në vitin 1516, popullsia e Bejrutit rritet me shtimin e rëndësisë së qytetit për tregti. Aty u strehuan edhe të krishterët e larguar me një eksod masiv, që pasoi masakrën e malit libanez në vitin 1860. Paqtimi i vendit, në sajë të Fuqive të Mëdha, u ndoq nga ardhja e misionarëve protestantë e katolikë. Misionarët ungjillorë amerikanë themeluar Universitetin Amerikan të Bejrutit në vitin 1866, ndërsa jezuitët katolikë ndërtuan Universitetin e Shën Jozefit në vitin 1881. Me zhvillimin e tipografisë në arabisht, por edhe në frëngjisht e anglisht, Bejruti është tashmë pararojë e gazetarisë dhe e kulturës në vendet arabe.
Në fund të Luftës I Botërore, pas rënies së Perandorisë Otomane, Libani kalon nën Mandatin Francez. Në vitin 1920, Bejruti shpallet kryeqytet i Libanit, duke u bërë seli e institucioneve publike. Pas pavarësisë, në vitin 1943, ai kthehet në qendër rajonale për tregtinë, biznesin, financën dhe turizmin, duke i dhënë kështu Libanit, emrin “Zvicra e Lindjes së Mesme”.
Përzënia nga Jordania e guerriljes palestineze, në shtator 1970, është ngjarje e rëndësishme në historinë e vendit. Qendra politiko-ushtarake e palestinezëve zhvendoset në Liban, duke shërbyer si katalizator i tënsioneve ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve. Lufta, që zgjati nga viti 1975 deri në vitin 1991, shkatërroi krejtësisht infrastrukturat e kryeqytetit dhe ekonominë e vendit.
Rindërtimi solli në dritë një shtresëzim arkeologjik, që përshkon historinë 5000 vjeçare të Bejrutit. I ashtuquajturi “Bejruti i madh”, pra qendra e qytetit, numëron 1,5 milion banorë, gati gjysma e popullsisë së vendit.







All the contents on this site are copyrighted ©.