2012-09-14 10:26:14

42 vjet më parë, Papa Pali VI shkriu Trupat e armatosura papnore


Më 14 shtator 1970, në prag të 100-vjetorit të marrjes së Romës, Papa Pali VI shpalli vendimin e shkrirjes (shpërndarjes) së Trupave të armatosura papnore. Me një letër drejtuar Sekretarit të atëhershëm të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Zhan Vijò, vetë Papa Montini shprehte keqardhjen për këtë gjest, por pranonte se trupave të armatosura në Vatikan u kishte kaluar tashmë koha e se ishte i nevojshëm thjeshtimi i strukturave të brendshme.
Që në vitet ’50, Papa Gjoni XXIII e pati urdhëruar Gardën Fisnike të mbante shpatat në mill gjatë funksioneve papnore, ndërsa Gardën Palatine të Nderit t’i linte pushkët në kazermë gjatë shërbimeve në bazilikat romake. Nga ana e tij, në fillim të papnisë, Papa Pali VI i pati hequr Xhandarmërisë uniformën e Napoleonit. Nga vendimi i 40 vjetëve më parë shpëtuan vetëm Trupat e armatosura më të lashta e më karakteristike, si për uniformën, si për kombësinë e ushtarëve, ashtu edhe për faktin se njiheshin në të gjithë botën. Këto Trupa janë Rojet Zvicerane, të cilat në vitin 2006, kremtuan 500-vjetorin e themelimit.
Më të ndërlikuara, ngjarjet që lidhen me Trupat, që në territorin e Vatikanit, kryejnë funksionin e policisë: Trupat e Xhandarmërisë. Papa Eugjeni IV (1431-1447) pati rekrutuar ushtarë të përhershëm, që shërbenin si policë nën urdhrat e një ministri të policisë, apo Soldanus, siç quhej atëherë. Por vetëm në vitin 1816, Papa Piu VII themeloi atë që quajti “Karabinierët papnorë”. Më 17 shtator 1849, Papa Piu IX e zëvendësoi këtë emër me “Ushtarët papnorë”, që më pas u modifikua më tej në “Xhandarmëria Papnore”.
Njëkohësisht me shkrirjen e saj në vitin 1970, Papa Montini themeloi një organizëm të ngjashëm civil. Kështu, më 21 janar 1971, Xhandarmëria u zëvendësua me një institucion jo ushtarak, i cili u quajt fillimisht “Zyra Qendrore e Mbikëqyrjes”, për të ndryshuar pastaj në “Trupat e Mbikëqyrjes së Qytet-Shtetit të Vatikanit”. Më 1 shkurt 2003, Papa Gjon Pali II miratoi propozimin e fundit për emrin, të cilin këto trupa e mbajnë edhe sot: Trupat e Xhandarmërisë së Qytet-Shtetit të Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.